Ligji i faljes së tatimeve, demagogji apo skemë falsifikimi?

Nga Flir Mosho

Ministri i Financave në daljen e fundit publike deklaroi nismën e re të rilindjes për atë që administrata ka prej disa muajsh që po e pompon si faljen e madhe të borxheve tatimore.
Falja e detyrimeve tatimore, në vetvete është një nismë sa e mirë aq edhe e keqe dhe partizanë të faljes ose luftëtarë të ideve shtetformuese kundra faljeve fiskale, kanë secili argumentet e tyre dhe ndeshen prej vitesh në një debat që nuk do e gjejë kurrë as fundin as fituesin.
Por nëse lexon atë që ka thënë ministri i Financave për nismën zemërgjerë të rilindjes, atëherë minimumi kupton që nuk do të ketë asnjë falje. As të madhe as të vogël.
Ministri i Financave deklaroi se do të falen detyrimet tatimore të pambledhshme të para vitit 2010, si dhe nëse ka do të falen interesat dhe gjobat për detyrimet 2011-2014…. nëse ka (?!).
Kaq tha ministri! Tani të mundohemi të kuptojmë çfarë në të vërtetë tha ministri, si dhe çfarë nuk tha.
Neni 103 i ligjit për procedurat tatimore ka përshkruar qartë procedurat për deklarimin e detyrimit tatimor si të pambledhshëm.
Së pari, ligji nuk lejon që të deklarohet si i pambledhshëm një pjesë apo i gjithë detyrimi tatimor (ku përfshihen interesat dhe gjobat), për të cilin nuk janë ezauruar dhe evidentuar të gjitha procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor.
Pra së pari, ligji klasifikon si kategori boxhesh tatimore të pambledhshme vetëm ato që nuk kanë më se ku të merren.
Pastaj për klasifikimin si të pambledhshëm të një pjese ose të të gjithë detyrimit tatimor, njësia përkatëse e borxhit i paraqet një relacion me shkrim drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, sipas të cilit evidenton, në përputhje me ligjin, çdo dokumentacion dhe veprim të kryer për mbledhjen e detyrimit tatimor.
Pra së dyti, ligji përcakton edhe dokumentacionin që do të vërtetojë zbatimin e ligjit.
Dhe së treti, ligji parashikon edhe rastet përjashtimore kur nuk mund të bëhet deklarimi і detyrimit tatimor si i pambledhshëm. Dhe ky është rasti kur ka prova të evazionit tatimor ose të mashtrimit.
Tani i vjen radha të analizojmë pak aktin me të cilin ministri do që të miratojë fshirjen. Ministri ka zgjedhur që fshirjen ta bëjë me ligj të posaçëm.
Por ligji i procedurave tatimore e ka parashikuar edhe autoritetin për miratimin e fshirjes. Deklarimi i pambledhshëm i detyrimit tatimor apo i një pjese të tij bëhet me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve kurse deklarimi i pambledhshëm i detyrimit tatimor apo i një pjese të tij, për shuma të barabarta apo më të mëdha se 5 000 000, lekë bëhet me urdhër të ministrit të Financave, sipas dokumentacionit dhe rekomandimit, dhënë nga administrata tatimore.
Ligji e ka trajtuar fshirjen e detyrimit tatimor si pjesë të rutinës të punës së administratës tatimore.
Pse qeveria e rilindjes po kërkon që të miratojë me ligj (që do të thotë me disa akte me vendimmarrje kolegjiale) një veprim që i takon me ligj ta bëjë sipas rastit drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve apo ministri i Financave?
Çfarë është kjo falja e madhe e shpjeguar si fshirje e detyrimeve tatimore, që reklamohet si akt shpirtgjerësie, por që nuk prek asnjë tatimpagues aktiv???
Dhe pse ministri i Financave e fut në procedura miratimi nga qeveria dhe Kuvendi, kur mjaftonte një akt individual i tij?
Çfarë do të fshijë realisht ministri i Financave me ligjin e faljes?
Po ndalem pak edhe tek dilema e ministrit për faljen e interesave dhe gjobave për periudhën 2011-2014 sepse për këtë thotë që do të bëhet vetëm “nëse ka”. Atëherë duke qenë se sigurisht ka, por dallojmë dilemën në deklarimin e ministrit, mund të arsyetojmë që edhe për këto po shikohet mundësia e deklarimit si të pambledhshme, sepse nuk besoj dot që dilema është vërtet dilemë prej ministri Financash.
Minimumi, e gjithë nisma është demagogji pragelektorale. Më shumë, do të mund të flasim kur të shohim tabelat dhe dosjet e plota të borxhit që do të fshihet dhe do të kuptojmë nëse jemi vërtet në një rast deklarimi si të pambledhshme të detyrimeve tatimore, të cilin ministri me një akt prej kavaljeri nuk po e bën vetë, por po ia përcjell Këshillit të Ministrave dhe më pas Kuvendit.

Artikulli paraprakInteri thellon krizën
Artikulli tjetërVerratti, i pakënaqur me trajnerin