Licencohet një bursë me kapital privat

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare njoftoi se licencoi më datë 3 korrik 2017 shoqërinë “Bursa shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a., (Albanian Stock Exchange) si bursa e parë shqiptare me kapital privat e licencuar në vend. Vendimi i Bordit të AMF-së erdhi pas vlerësimit në përputhshmëri me kërkesat e legjislacionit të të gjithë dokumentacionit lidhur me objektin e aktivitetit, kapitalin, organet drejtuese të shoqërisë, infrastrukturën dhe sistemet teknologjike të nevojshme për realizimin e aktivitetit të saj.
“Bursa shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a. është një shoqëri aksionere, me tre aksionerë themelues: Banka Credins sh.a., me 42.5% të kapitalit, Banka Amerikane e Investimeve sh.a. me 42.5% të kapitalit dhe shoqëria AK Invest sh.a. me 15% të kapitalit. Kapitali i regjistruar i kësaj shoqërie do të jetë 50,000,000 lekë. Shoqëria “Bursa shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a. do të ketë si aktivitet kryesor:
– Tregtimin si bursë letrash me vlerë, për tregtimin e titujve dhe instrumenteve të tjerë financiarë;
– Realizimin e një platforme tregtimi shumëpalëshe;
– Edukimin, promovimin dhe dhënien e informacionit grupeve të interesuara lidhur me veprimtaritë e tregut të kapitalit, aktivitetin e emetuesve të titujve të listuar në bursën e titujve dhe aktivitetin e anëtarëve të bursës së titujve, etj.
Shoqëria “Bursa shqiptare e Titujve, ALSE” sh.a. do të përdorë sistemin elektronik të quajtur “Quick Trade”, sistem i cili përdoret edhe nga Bursa e Lubljanës në Slloveni, si edhe nga Bursat e Shkupit, Sarajevës, Banja Lukës dhe Malit të Zi. Ky sistem mund të kryejë deri në 100,000 transaksione në ditë.
Në vitin e parë të aktivitetit, transaksionet e bursës do të përqendrohen në tregtimin e titujve të qeverisë, si edhe tregtimin e aksioneve të shoqërive të dala nga privatizimi.
Në tregun shqiptar, krijimi i një burse është aktivitet progresiv për ekonominë e vendit, një pikë takimi midis njësive ekonomike për të gjetur kapital dhe rritur biznesin e tyre, si edhe qeverisë për të gjetur financime për projekte zhvilluese dhe për pushtetin vendor, thekson AMF.
Parë në këndvështrimin makroekonomik për Shqipërinë, krijimi i një burse titujsh paraqet tregues konkretë dhe të qartë për nivelin e pjekurisë që ka arritur tregu financiar shqiptar. Ai gjithashtu, sipas AMF:
– Sjell mundësinë që kompanitë dhe qeveria të gjejnë financime afatgjata për projekte, të cilat bankat mund të mos jenë në gjendje t’i financojnë;
– Bën të mundur që kompanitë me fitim të kenë mundësinë të rriten, duke nxjerrë në shitje aksionet e tyre, tek një numër i madh aksionerësh dhe duke i diversifikuar ato;
– Mundëson investitorët të investojnë me besim, transparencë të rritur në një treg të mirërregulluar.
Krijimi i bursës në Shqipëri do t’u japë mundësi investitorëve të vegjël të përfshihen në tregun e letrave me vlerë në mënyrë transparente. Kjo do të zvogëlojë tregtimin në platformat online, në disa raste edhe joprofesionale, të cilat mbartin njëkohësisht edhe rrezikshmëri më të lartë investimi për publikun.
Bursa do të jetë një mundësi e mirë për të tërhequr, në vitet në vazhdim, edhe kompani nga zona të tjera shqipfolëse, siç është tregu i Kosovës, duke shërbyer edhe si një platformë bashkuese për të gjithë investitorët shqiptarë.
Krijimi i saj do t’i japë mundësi edhe lidhjes së kësaj burse me projekte të filluara nga vende të tjera në rajon. Aktualisht, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, ka iniciuar një projekt rajonal ku është e përfshirë bursa e Sllovenisë, Bullgarisë, Maqedonisë, Kroacisë e Serbisë dhe synon krijimin e një infrastrukture për tregtimin e letrave me vlerë në këto vende dhe për rritjen e bashkëpunimit mes tyre në këtë drejtim. Gjithashtu, BERZH ka investuar në këto bursa, duke blerë një pjesë të aksioneve. Integrimi në platformat e ngjashme rajonale do të jetë një shans më shumë për Shqipërinë për gjetjen e burimeve alternative të financimit, përfundon njoftimi i AMF.

Hapja e bursës, Xhepa: Të jetë pjesë e një rrjeti rajonal

Me hapjen e bursës së parë private, Shqipëria duhet të bëhet pjesë e tregjeve rajonale të kapitalit. Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa thotë në një intervistë se në afatin e gjatë, projekti i bursës duhet parë më gjerë se tregu i brendshëm shqiptar. Sipas tij, fakti që kjo bursë është produkt i nismës private i rrit premisat që ajo të rezultojë e suksesshme. “Mendoj që ky është një nga lajmet pozitive që merr ekonomia e Shqipërisë në këtë vit, pavarësisht se ka qenë një vit elektoral. Nga ana tjetër mendoj se është një zhvillim për t’u përshëndetur, për faktin se përtej përpjekjeve të sforcuara të deritanishme që nga viti 1996 që autoritetet publike shqiptare, pra qeveria ka këmbëngulur të krijojë një bursë shqiptare kryesisht si entitet publik, u provua që nuk ishte e mundur të ishte funksionale. Fakti që kjo iniciativë vjen nga sektori privat mendoj që shpreh njëkohësisht edhe gjasat e mëdha dhe një probabilitet të lartë që ky të jetë një projekt i suksesshëm. Unë e shikoj këtë edhe me një dimension më shumë rajonal, sepse në këtë mënyrë duke i integruar platformat e tregtimit këto të Shqipërisë me platformat e tregtimit të vendeve të tjera rajonit të Kroacisë, të Maqedonisë të Bosnjës, të Serbisë, mundet të krijohet edhe një treg rajonal kapitalesh”, u shpreh eksperti i ekonomisë. Xhepa mendon se tashmë interesi i biznesit për instrumentet e bursës është i prekshëm. Shumë biznese mund të kenë nevojë për të ristrukturuar bilancet në krahun e detyrimeve dhe bursa vjen në momentin e duhur, për të mundësuar financimin përmes obligacioneve apo obligacioneve të konvertueshme në aksione. “Ekziston do të thoja një masë e caktuar sipërmarrje private, e cila mund të ketë interesa për të shndërruar një pjesë të pasiveve të tyre në tituj borxhi dhe kjo mund të jetë pjesë e strategjive të tyre të ristrukturimit financiar. Pra, ka potenciale dhe xhepa të mjaftueshëm fillestarë, të cilat mund të përdoren si shembuj pilot për të filluar këtë sipërmarrje. Nga iniciativat pioniere mendoj që mundet të përhapen shembuj pozitivë për të inkurajuar edhe operatorë të tjerë të sipërmarrjes private që t’i atashohen kësaj nisme thjesht dhe në interes të përfitimeve të tyre individuale”, u shpreh eksperti i ekonomisë. Eksperti Xhepa shprehet se hapja e bursës do të jetë një zhvillim tejet i rëndësishëm për ekonominë shqiptare dhe do të garantojë një kanal alternativ të financimit të aktivitetit të sektorit privat. Megjithatë, duke parë modelin europian të zhvillimit, ai mendon se edhe në të ardhmen sistemi bankar do të ngelet kolona dominuese e sistemit financiar në vend. “Bursa shqiptare e Titujve ALSE” është projekti i parë privat që synon të ndërtojë një treg kapitali në Shqipëri. Zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se kërkesa dhe oferta për instrumentet e bursës është në rritje. Mjedisi me norma të ulëta interesi ka rritur kërkesën për investime me kthime më të larta, ndërkohë që disa kompani kanë nisur të përdorin titujt e huamarrjes, kryesisht obligacionet.

Artikulli paraprakDiaspora synon investime për uljen e papunësisë në Kosovë
Artikulli tjetërVarfëria, konsumi në nivelin më të ulët