Libri i keq

Nga Edison Ypi

Pa magjepsje, pa energji, pa harrim të bukur, pa arratisje drithërruese, pa punë të lodhëshme, pa sakrifica të mundimshme, pa shkak të madh, pa arësye të lartë, pa talent, energji, ndjeshmëri, dashuri, frymëzim, përkushtim, vetflijim, pa dehje, pa dalldi, pa çmendje, pa marrosje, pa lodhje në secilën fjalë, pa stërmundim në secilën rrokje, pa vuajtje në secilën gërmë, pa mahnitje në secilin tingull, pa përdorim të filtrave artistikë që s’lejojnë depërtimin e llumrave, pa atë misterin që të shkruarën e bën Art, pa atë delirin që të bën të fërgëllosh, pa atë dorën e padukëshme që ndez dritën e përtejme, pa atë flakën e zbehtë që leximin e bën magjepsës dhe librin Letërsi – libri i keq është një çthurje e thurur, një koleksion ligësish plot me përdredhje prej konformisti, insistim prej budallai, stoicizëm prej edepsizi, vuajtje të paafti, përpëlitje oportunisti, shkretëtirë shpirtërore materialisti, është një vjellje e kollajshme pa përpjekje për tu shprehur sa më shkurt dhe sa më bukur, një zhgarravitje dhe llomotitje e papërgjegjshme, një batak plot me zhaba, gaforre, gjarpërinj, insekte helmatisëse, një ankth prej të cilit do të shpëtosh por s’di se si, do të ikësh, por s’di se ku.
Libri i keq është një përpjekje për të mbushur me bosh një humnerë të dobishme.
Libri i keq është një kombinim situatash banale që s’bëjnë asnjë tablo, s’formojnë asnjë mozaik.
Libri i keq është një stinë e mërzitshme; Behar pa Dashuri. Dimër pa acar. Pranverë pa aroma. Vjeshtë pa fruta.
Libri i sotëm i këllirshëm është më i keq se libri i keq i diktaturës që na zbaviste duke na shkaktuar gajasje.
Libri i keq i sotëm është një ferr që s’të bën të qeshësh por vetëm të vuash.
Libri i keq është shkaku që shumicës së shqiptarëve u merren mëntë pasi lexojnë një paragraf.
Libri i keq është arsyeja pse u duket vetja shkrimtarë po arritën të shkruajnë një rrjesht e gjysëm në kompjuter.
Libri i keq nuk ekziston për tu lexuar.
Libri i keq ekziston për tu shitur dhe për të bërë të njohur demekautorin e menderveprës duke dëshpëruar lexuesin.
Libri i keq është kontributi i pakursyer me efekte provizore i të patalentuarve për ta ndotur Tempullin e Artit duke i vënë kazmën Letërsisë.
Libri i keq nuk është për shqiptarë, as për njerëz.
Libri i keq është për gjallesa primitive të një planeti të largët ku e shkruara artistike pritet të nisi pas miliona vitesh.
Libri i keq është shpërdorimi më i përbindshëm që i bëhet Lirisë.
Libri i keq është poshtërimi më i padenjë për një komb të vjetër.
Libri i keq është dënimi më i pamerituar për një popull leximtarësh.

Artikulli paraprakReshje të dendura bore në veri të vendit, ja çfarë ndodh në Theth
Artikulli tjetërOpozita jo e shkatërruar, por e pastruar deri në 2025