Libia, vatra e konfliktit në dyert e Europës

Ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Müller e cilëson katastrofike gjendjen në Libi. Ky vend është kthyer në një trampolinë për mijëra refugjatë. Ai akuzon bashkësinë ndërkombëtare për heqje dorë nga përgjegjësia.
Gjendja në shtetin afrikanoverior është alarmuese, paralajmëron Gerd Müller. Të dërguarit e OKB-së raportojnë për tortura, për gjendje të mjerueshme në kampe, ku izolohen pas gardheve me gjemba qindra vetë që vuajnë nga uria. Müller kërkon një plan Marshall për Afrikën.

Libia u la vetëm
Në një intervistë me gazetën “Neuen Osnabrücker Zeitung” (NOZ), ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Müller kërkon që këto kampe të vihen nën mbikëqyrjen e OKB-së. Sipas Müller, 200.000-300.000 vetë ndodhen në kushte të papërfytyrueshme. OKB dhe BE duhet të reagojnë dhe “të krijojnë struktura në këtë vatër konflikti”.
Müller kritikon bashkësinë ndërkombëtare që e ka lënë vendin në kaos, pasi shtetet e NATO-s në vitin 2011 e bombarduan masivisht Libinë për të rrëzuar, diktatorin, Muamar al-Gaddafi. Nuk ka pasur plan për periudhën pas Gaddafit. Shteti u shpërbë, milicët u ngjitën në pushtet.

Ndihmë për të ndihmuar veten
“Duhet të shkojmë tek njerëzit tani”, kërkon ministri gjerman i Zhvillimit. Ai ka folur me njerëz që kishin përjetuar tortura apo me ata që kanë përshkuar rrugën e mundimshme përmes Saharasë. Gjermania po jep shembullin e para duke ngritur gjashtë qendra konsultimi për migrantët në Tunizi, Marok e në vende të tjera në Afrikë për të ofruar ndihmë për ta. Politikani kristiansocial e quan “turp që bashkësia ndërkombëtare i ikën përgjegjësisë së saj”.
Ai kërkon një menaxhim ndërkombëtar të krizës në kontinentin afrikan dhe një fond të OKB-së me së paku 10 miliardë euro, me një përqasje të shpejtë në rast katastrofe. Një shumë minimale krahasuar me shumën që kërkohet për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes në NATO. Politika më e mirë për paqen është politika e zhvillimit, ka kërkuar Müller, që shpreson në mbështetjen amerikane edhe nën Donald Trump. “Kemi nevojë për amerikanët si superfuqi humanitare”, ka thënë Müller.

Artikulli paraprakGranit Xhaka drejt Bayern Mynihut
Artikulli tjetërGjermani, kërkohet qëndrim i egër ndaj Ankarasë