Liberal nuk është fjalë e keqe

Një mendim politik, një pasion i lindur në vitet e Thatcher. Flet Mario Vargas Llosa.

Tek “Le Poisson dans l’eau”, ju keni rrëfyer episode të jetë tuaj. “L’Appel de la tribu”, i konsakruar në shtatë gene të mendimit liberal të adhuruar nga ju, është më shumë një antologji sesa një autobiografi. Pse keni zgjedhur këtë formë për këtë vëllim të dytë?
“E kisha shumë merak të shkruaja deri në çfarë pike mendimi liberal është i dashur për mua. Kur jam larguar nga Parisi për të shkuar të vendosesha në Londër, unë jetoja në zhgënjimin e së kaluarës time politike. kisha qenë socialist, komunist, kastrist. Evolucioni i Kubës dhe më pas vizita ime në Bashkimin Sovjetik më kanë bërë një të zhgënjyer nga marksizmi dhe jam bërë një mbrojtës i zjarrtë i demokracisë. Por ka qenë duke jetuar në Londër që kam aderuar në liberalizëm, kur zonja Thatcher drejtonte qeverinë. Ajo që ka ndodhur më ka entuziazmuar. Kam nisur të lexoj dhe studioj mendimtarët liberalë për të cilët flas në këtë libër. Kam dashur të lë një dëshmi të këtij evolucioni. Veç të tjerash, Franca ka evoluar në të njëjtin drejtim. Gjatë viteve të mia në Paris, mendimi dominohej nga idetë e majta. Sot ka shumë më pak intoleranca kundrejt një mendimi jognosist. Në atë kohë, një njeri si Jean-François Revel ishte marxhinalizuar krejtësisht, sikur të kishim të bënim me një gazetar të dorës së dytë. Kurse tani pranohet si mendimtar origjinal dhe cilësor. Vetëm Raymond Aron kishte një çikë hapësirë. Në Paris, pavarësisht se isha socialist, e blija “Le Figaro” për të lexuar artikujt e tij. Sikur në atë kohë të ishte përqafuar më shumë ky mendim liberal, Franca sot do të kishte më pak probleme!”.

Titulli i vëllimit tuaj, “L’Appel de la tribu”, i referohet denoncimit të “tribalizmit” nga ana e sër Karl Popper, teoricien i shoqërisë së hapur. Është sërish e ndjeshme epoka jonë ndaj këtij apeli?
“Fatkeqësisht, po. Kjo shpjegon pakashumë kudo shfaqjen e lëvizjeve nacionaliste. Nacionalizmi është ideja e tribùsë. Është një fantazi. Nuk ka ekzistuar kurrë në formën që evokojnë nacionalistët: një shoqëri përsosshmërisht e integruar, ku flitet e njëjta gjuhë dhe ku besohet në të njëjtin zot. Sipas antropologjisë, tribùja ishte një botë terrori dhe dhunë. Ata që propagandojnë nacionalizmin fantazojnë për një shoqëri të përkryer, njëlloj si komunistët. Një botë ku dominuesi do të ishte i barabartë për të gjithë. Kjo nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk do të ekzistojë kurrë. Moderimi është i papajtueshëm me nacionalizmin. Nëqoftëse shkohet më në thellësi të kësaj ideje, shfaqet dhuna. Çfarë është nacionalizmi? Është ideja raciste sipas të cilët të lindurit në një vend të caktuar është privilegj. Është një idiotësi që nuk ka asnjë lloj justifikimi, as historik, as moral, as filozofik. Është një ndeshje e humbur, është një akt besimi. Veç të tjerash, kjo rizhytje është e habitshme, pasi ndodh në një epokë ku mund të mendohet se nacionalizmi është eliminuar nga historia, si në rastin e komunizmit. Nacionalizmi ka qenë shkaku i Luftës së Dytë Botërore. Ka shkaktuar miliona viktima, e megjithatë ja ku rishfaqet. Është një deformim, por në thelb nuk mendoj se do t’ia dalë. Ëështë i mishëruar nga pakica shumë aktive dhe shumë të dhunshme. E ardhmja e tij është e shënuar. Megjithatë, duhet të jesh i vetëdijshëm për rreziku që ai përfaqëson. Mendoj sidomos për rrezikon që i kanoset Bashkimit Europian. Do të ishte katastrofë nëse ky i fundit do t’ia linte Kinës dhe Shteteve të Bashkuara përgjegjësinë e ndarjes së botës. Europa është liria dhe demokracia, që ka lindur në këtë kontinent”.

Pse fjala liberal është kaq e denigruar në Francë?
“Është një fjalë e keqe thuajse kudo! Shoqërohet me termin reaksionar. E majta ka qenë e aftë të prodhojë antitrupa. I ka përqëndruar sulmet e saj kundër liberalizmit sepse ka parë tek ai një armik. E megjithatëë, liberalizmi ka qenë motori i demokracisë. Është falë tij që shoqëria është rinovuar, duke krijuar sindikatat, duke pranuar reformat sociale dhe duke e shtyrë kapitalizmin drejt një forme progresizmi. Sot është mendimi vetëm politik i mbetur në panoramën botërore. Gjendet i konfrontuar me populizmin që ka zëvendësuar komunizmin. Por nuk mendoj se populizmi ka një të ardhme të madhe. E kemi parë me atë që i ka ndodhur Trump: një lloj iluzioni që nuk zgjat”.

Shumë theksojnë se populizmi ka lindur nga teprimet e kapitalizmit financiar dhe nga globalizimi pa rregullim. Këto transformime kanë ndodhur me Margaret Thatcher dhe Ronald Reagan të cilëve ju i thurni elozhe të mëdha në librin tuaj…
“Ajo që Margaret Thatcher ka realizuar në Angli ka qenë e jashtëzakonshme. Kur kam arritur aty, ishte një vend në dekadencë, pa dinamizëm dhe pa shpirt iniciative. Ajo ka arritur të ngrejë këtë vend dhe ta bëjë ekonominë e Britanisë së Madhe më të fortë se ajo gjermane në një periudhë të caktuar. Kam qenë dëshmitari i këtij transformimi të fuqishëm. Lidhur me pyetjen tuaj për kapitalizmin aktual, ju përgjigjem se liberalët duhet të jenë shumë kritikë me vetëveten. Duhet të mos u besojnë ekstremistët e kampit të tyre që mendojnë vetëm për tregun dhe janë të bindur se ai është zgjidhja për gjithçka. Nuk është kështu. Ideja e liberalizmit e ruan të gjithë rëndësinë e saj, por duhet përshtatur politike me realitetin, duhet të jetë pragmatike. Mendimtarët e mëdhenj liberalë që paraqes në librin tim nuk thonë gjëra të ndryshme nga kjo: praktikojnë artin e së mundshmes. Asnjë prej tyre nuk është fanatik i tregut. Mbështetësit e kapitalizmit financiar të ditëve tona nuk janë miq, por armiq të liberalizmit që do të donin të shkatërrohej modeli demokratik”.

Papa Françesku është shumë kritik kundrejt kapitalizmit. Cili është opinioni juaj lidhur me papën latinoamerikan?
“Ajo që po ndodh në Amerikën Latine është interesante. Nuk ka më asnjë diktaturë ushtarake, ama mbesin diktaturat ideologjike – Kuba, Venezuela, Nikaragua. Në pjesën tjetër ka qeveri të zgjedhura. Shpesh popujt votojnë keq, zgjedhin opsionet më të këqija, por ama e bëjnë lirisht. Zhdukja e diktaturave mbetet një progres. Ushtarakët kishin krijuar nacionalizma qesharakë. Njëkohësisht, është zhdukur edhe luftëtari që del në mal me një pushkë më krah në emër të idealit komunist. Për sa i përket Papës, ai drejton një katolicizëm latinoamerikan në krizë, që humbet terren, po tenton ta rifitojë atë. Ama për ta fituar, po u jep të drejtë të gjithë atyre që kemi luftuar për t’i dhënë të drejtë demokracisë dhe lirisë. Papa Françesku është një peronist. Në vitin 2021, Peroni është anakronik. Peronizmi ka shkatërruar Argjentinën, që ishte një vend i përparuar dhe i pasur. Kështu që të rimarrësh sot tezën e tij është thjesht një çmenduri”.

Autori që ju vini në pah në libër është Adam Smith, që është shumë më tepër se një ekonomist siç klasifikohet shpesh.
“Ishte një njeri që besonte tek kultura. Ishte i bindur se ajo duhet të ushqente institucionet demokratike. Nuk ishte ideolog. E shihte veten si profesor moral. Nëse ekziston një profesor fleksibël dhe i moderuar, ai është pçikërisht Adam Smith. Nuk ka dashur kurrë t’i imponojë diçka shoqërisë. Për të, idetë liberale duhej të përshtateshin me realitetin dhe jo e kundërta. Ta bësh atë armik të progresit, siç dëgjon të thuhet nga ndonjë anë, është thjesht groteske! E kishte merak shumë barazinë e mundësive dhe mbi të gjitha kishte merak lirnë si thelbin e organizimit shoqëror. Sikur të kishim ndjekur thëniet e Adam Smith, nuk do të ishte krijuar kurrë gulagu”.

I sulmuar si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta, si mund të ruhet sipas jush e ardhmja e liberalizmit?
“Duhen bindur të rinjtë që të bëjnë politikë. Sot më brilantët dhe ata që kanë marrë formimet më të mira e urrejnë politikën. Preferojnë t’i përkushtohen krijimit të një biznesi, që është një gjë shumë pozitive, ama nuk duhet përçmuar jeta publike. Duhet t’u tregojmë të rinjve se politika mund t’i ndryshojë gjërat, se mund të bëjë mrekulli. Duhet t’i bindim edhe ta mbrojnë lirinë pasi është e brishtë. Institucionet demokratike janë më pak ekzaltuese krahasuar me revolucioni, por impenjimi në këto institucione përbën një projekt më të qëndrueshëm”.
(Nobel për Letërsinë në vitin 2010, në pragun e 85 vjetorit të tij, shkrimtari peruan Mario Vargas Llosa ka vendosur që të hartojë një lloj testamenti politiko – filozofik: “L’Appel de la tribu”. Këtu është në bashkëbisedim me “Figaro Magazine”)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprak20 milionë lek në Dibër për një godinë tregtare që nuk funksionon, Mziu: Tregu ushqimor në kushte skandaloze, rrezikon shëndetin e banorëve
Artikulli tjetërCovid-19 ka ndryshuar botën, nevojiten liderë që e kuptojnë