Leskaj: Korrupsioni në administratën shtetërore është ngritur në sistem

Për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj ekonomia shqiptare po përballet me një sërë rreziqesh, ku më i madhi mbetet ai i korrupsionit dhe keqmenaxhimit të pasurive natyrore. Në konferencën e katërt shkencore me temë “Analiza e riskut”, kreu i KLSH-së tha se: “Jetojmë në një mjedis të ngarkuar nga një debat i ashpër politik. Duhet të bëjmë përpjekjet tona që idetë dhe sugjerimet tona t’i mbajmë larg politikës së ditës duke respektuar formatin e kësaj konference dhe standardet e institucionit të lartë të auditimit të KLSH. Raporti i risqeve globale 2015 i Forumit Botëror Ekonomik në Gjenevë rendit si risqe me probabilitet më të madh për të ndodhur në ekonominë botërore dhe që kanë impakt më të lartë dukuri si deflacionin, krizat financiare, goditjet e çmimit të energjisë, dështimin e mekanizmave themelorë financiarë, papunësinë strukturore të lartë apo të tjera si pabarazia e ndjeshme nga të ardhurat, përmbytjet, paqëndrueshmëritë e thella politike dhe sociale. Nëse këtë hartë e sjellim në Shqipëri, mundësia e ndodhjes e pjesës dërrmuese të këtyre risqeve përgjatë 2016 është tejet e lartë. Risku më i lartë është ai i ngritur në sistem në administratën shtetërore, risku i shfrytëzimit pa kriter të pasurive natyrore, keqmenaxhimit të kontratave koncesionare, sidomos në marrëveshjet hidrokarbure, mosmenaxhimi i mirë i partneriteteve publik privat me kosto tejet të rëndë për buxhetin e shtetit etj”. Kreu i KLSH-së tha se: “Korrupsioni duhet të zbulohet dhe denoncohet, të sigurohemi se nuk ka vend ku të fshihet, duke rritur transparencën e buxheteve qeveritare, informacionit tatimor dhe prokurimit publik për të penguar evazionin fiskal dhe për të vënë në dukje vjedhjen ose keqpërdorimin e taksave të taksapaguesve. Gjykojmë se risku i efektivitetit dhe eficencës së punës së audituesve të brendshëm është shumë i lartë. Strategjia e menaxhimit të riskut nuk po zbatohet si duhet dhe puna e koordinatorëve të riskut, të cilët janë dhe nëpunës autorizues të çdo enti publik lë për të dëshiruar”. Leskaj tha se, “si KLSH kemi kërkuar që risku i borxhit të pakësohet duke përdorur 50% të të ardhurave nga privatizimet strategjike për shlyerjen e këtij borxhi dhe të respektohen objektivat në strategjinë për menaxhimin e financave publike 2014-2020 në lidhje me borxhin publik. Mosrespektimin e parashikimeve të strategjisë për nivelet e borxhit duhet ta konsiderojmë si problem të mbartur dhe jemi përgjegjës të gjithë dhe duke u përpjekur të gjithë për ta zgjidhur dhe jo ta mendojmë vetëm si përgjegjësi të ministrit të Financave”. Një tjetër risk për ekonominë, ai rendi rënien e eksporteve. “Tjetër shembull i një risku që po të verifikohet sjell shumatore të tjera në ekonominë shqiptare është rënia e eksporteve. BB i parashikon me 10% ulje për këtë vit. Në rast se një risk të tillë e parashikojmë dhe llogarisim mirë, mund të pakësohet dhe të ulen pasojat në ekonomi”, tha Leskaj. Leskaj lëshoi alarmin se korrupsioni në administratën shtetërore është ngritur në sistem dhe përbën një nga kërcënimet më të mëdha për ekonominë kombëtare. “Një nga risqet më të larta për ekonominë e vendit tonë është korrupsioni i kthyer në sistem në administratën tonë shtetërore, risku i shfrytëzimit pa kriter të pasurive natyrore, i keqmenaxhimit të koncesioneve, sidomos në marrëveshjet hidrokarbure dhe mosmenaxhimi i mirë i partneritetit publik privat, me një kosto tejet të rëndë për buxhetin e shtetit”, tha Leskaj. Kreu i KLSH i bëri thirrje qeverisë të forcojë kontrollin mbi koncesionet dhe të dëgjojë rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare. “Për më tepër, për partneritetin publik privat ka patur reagime edhe nga institucione ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore apo USAID. Ka patur shqetësime për mangësi në studimet e fizibilitetit dhe në të dhënat për raportin kosto-përfitim, që dëshmojnë moskryerjen si duhet dhe mosfillimin e analizave paraprake të riskut”, theksoi Leskaj. Sipas tij, korrupsioni duhet të denoncohet dhe njëkohësisht i bëri apel qeverisë të rrisë transparencën e buxheteve, informacionit tatimor dhe prokurimit publik për të penguar evazionin fiskal dhe për të vënë në dukje vjedhjen ose keqpërdorimin e parave të taksapaguesve.

Harta e risqeve

Në konferencën shkencore me temë “Analiza e riskut”, Leskaj listoi një sërë risqesh të tjera që sipas tij kërcënojnë ekonominë dhe kanë probabilitet të madh ndodhje. “Si KLSH kemi kërkuar që risku i borxhit të pakësohet duke përdorur 50% të të ardhurave nga privatizimet strategjike për shlyerjen e këtij borxhi dhe të respektohen objektivat në strategjinë për menaxhimin e financave publike 2014-2020 në lidhje me borxhin publik”, tha ai. Por një rrezik i ri me të cilin po përballet ekonomia është ai i rënies së eksporteve, që sipas kreut të KLSH, mund të sjellë shumatore të tjera në ekonominë shqiptare. “Banka Botërore parashikon se eksportet do të ulen me 10% për këtë vit. Në rast se një risk të tillë e parashikojmë dhe llogarisim mirë, mund të pakësohet dhe të ulen pasojat në ekonomi”, deklaroi Leskaj. Paralelisht ai listoi si risqe të tjera për ekonominë borxhin të lartë publik, rritjen e papunësisë dhe thellimin e varfërisë.

Soltez: Nevojiten mekanizma efikasë për të luftuar korrupsionin

Eurodeputeti slloven, Igor Soltez duke vlerësuar përpjekjet e KLSH-së dhe qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupisonit tha se duhen ngritur grupe pune për të luftuar këtë fenomen, pasi sjell shumë humbje ekonomike në financat publike. “Ne nxisim vendet që të ngrenë grupe pune si një mekanizëm efikas për të luftuar krimin dhe korrupsionin si elementë që bëjnë që ekonomia të mos ecë përpara”, tha Soltez. Po ashtu, sipas tij, është shumë e rëndësishme edhe edukimi i stafit, i cili ka si detyrë auditimin. “Detyra jonë është të rikthejmë besimin tek këto institucione dhe KLSH luan një rol të rëndësishëm në këtë drejtim”, tha ai. Për Soltez e rëndësishme është që të zbulohen kompanitë që janë të korruptuara dhe më pas të krijoni edhe politikat përkatëse për të luftuar këtë fenomen. “Ne të gjithë duhet të luajmë rolin tonë në luftën ndaj korrupsionit dhe menaxhimin e riskut. Doja t’ua adresoja këtë gjë autoriteteve të vendit që të forcojnë institucionet e tyre që të jenë më të pavarura, sepse qëllimi i pavarësisë së institucioneve është që të funksionojnë e përmirësojnë përdorimin e taksave e parave të qytetarëve në shërbim të vendit”, tha Soltez.

Arben Shahini

Artikulli paraprakQytetarët përleshen me policinë në Vlorë
Artikulli tjetërPolici: Prenga kërcënoi në spital dy vëllezërit Cali