”Lëre se na prish punë, është nën moshë”, protestuesi 17-vjeçar rrëfen dhunën në Polici

Paolo Ahmetcenaj është 17-vjeçari që u mbajt tre ditë në ambientet e paraburgimit për shkak se ishte pjesë e protestës për mbrojtjen e pronës së tij dhe të familjes në zonën e Astirit.
Ai tregon në një intervistë ekskluzive për Fax News se në protestë kishte qëndruar në rreshtat e fundit dhe nuk ka pasur lidhje me hedhjen e kapsollave.
Paolo rrëfen se ndaj tij është ushtruar dhunë në Drejtorinë e Policisë, ndërsa shumë prej oficerëve e kishin ngatërruar atë me Daniel Dobrajn, i cili dyshohet se ka qenë autori i plagosjes së efektives Ina Nuka.
“Kam shkuar pak me vonesë se isha në shkollë, isha në rreshtet e fundit të protestës. Një civil më ka shtrirë në tokë dhe më ka gjuajtur me shqelma, ka pasur njerëz që kanë ardhur dhe ka lënë kapsolla në mes të rrugës, i mora dhe i futa në çantë, i doja që ti kisha te shtëpia, nuk kisha ndërmend që ti hidhja atë ditë.
Më mori babi në telefon dhe më tha nisu për shtëpi, dhe u nisa së bashku me xhaxhanë. Duke ikur për shtëpi vjen një makinë e Shqiponjave dhe na ndalon para këmbëve, erdhën dhe disa motora, po nuk po bënin asnjë veprim derisa erdhi një civil, që iu tha kapini këta. Më çuan te rajoni numër 1, na morën telefonat, së bashku me xhaxhain. Nuk më lanë që të telefonoja asnjë nga prindërit, deri në momentin që duhej firma.
Ka ardhur më pas babi, në rajonin numër 1 kanë qëlluar një prej personave të tjerë të shoqëruar. Nga aty na kanë çuar te drejtoria e policisë, vjen një civil duke na ofenduar. Vjen një civil dhe më pas më tregon një foto të Danjelit, pasi dyshonin se isha ai. Një person erdhi në korridor dhe tha: Kush ishin ata që ofenduan policët, më ka gjuajtur me grusht në nofull, edhe pse i tashë që isha 17-vjeç, tentoi sërish të më gjuante dhe i mbajta dorën.

Personi që më gjuajti ka qenë rreth 27 vjeç, po nuk e mësova dot emrin e tij. Më nxjerrin foton e Danjelit, po unë nuk e njihja dhe nuk kisha pasur asnjëherë kontakte me të. Për videon e Danjelit këmbëngulnin se isha unë. Po më detyronin në njëfarë mënyre që të pranoja një gjë që nuk ishte e vërtetë, se unë kisha qenë pranë Danjelit. Kam pasur një moment shumë të vështirë, po dridhesha.
Më gjuanin lehtë te faqja, një që ishte ulur në karrige tha: Lëre se na prish punë se është nën moshë. Më shtrëngonin në trup, dhe thonin: Hajde se do e shikosh se si do e hash! As nuk e mbaj mend se çfarë kam firmosur, herë pas here i ndyrshonin dhe më bënin presion. Në dhomat e paraburgimit nuk kam ankesë, madje mua janë munduar që të më trajtojnë më mirë se të tjerët”,u shpreh Paolo Ahmetcenaj.
“Në një moment ai polici më kapi nga qafa, më merrte me të mirë, por psikologia i tha të lutem largohu, mos i bëj presion, më pas psikologia ka thënë që për cdo lloj nevoje që të kesh, më thuaj.
Avokati i caktuar nga shteti më bëri presion tha , kjo dënohet 3 deri në 10 vite burg”, u shpreh më tej 17-vjeçari.
Paolo dhe mamaja e tij insistojnë se ata nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike, dhe se shtëpinë e tyre e kanë në proces legalizimi prej 17 vitesh.
Nënë e bir shprehen se në rast se ata dorëzohen, do të mbeten më mes të rrugës, pasi shteti nuk iu ofron asnjë zgjidhje.
‘’Jemi në proces legalizimi dhe derimë tani nuk na kanë dhënë asnjë shpresë”, u shpreh Marta Ahmetcenaj.
17-vjeçari shprehet se për shkak të shoqërimit në polici do të detyrohet që të lërë edhe shkollën, pasi vendimi i gjykatës e ka lënë që të paraqitet 3 herë në muaj.

Artikulli paraprakDrogë nga Shqipëria, operacion i madh në Itali, 41 urdhër-arreste
Artikulli tjetërDanieli nga Unaza e Re dhe Zaho nga Surreli…