Lekë Tasi: “Grabjani rrëzë kodrave”

Skena, personazhe, historira nga fshati i internimit në vitet ‘70-’80

Fragment nga romani

18 Tetor 1975

U mbushën katër ditë sot që ndodhemi të internuar në Myzeqe. Grabjan i thonë fshatit, nja 20 km nga Lushnja por larg rrugës nacionale, në drejtim të perëndimit, veçse det nuk shohim me sy, e kemi të fshehur, prapa një vargu kodrash.

Na kanë dhënë dy dhoma në një kapanon të mbuluar me llamarina, i cili strehon veç nesh edhe dy familje të tjera po nga Tirana.

U ngushtua edhe më rrethi, çarku. Vetëm burgu ndodhet përposht nesh tani… Por çuditërisht e kam zemrën të lehtë, me shpresë.

Dua t`i shënoj ngjarjet që do vijnë, si një spektator i mënjanuar; që me to të formoj më pas një histori, një nga të shumtat e kësaj epoke, që është e mbushur me të tilla, fate njerëzish në qytet e në fshat dhe sidomos në vendet e mbyllura, burgje e kampe, një sferë kjo mjaft e njohur për familjen tonë nga e cila ishim shkëputur prej disa vitesh dhe që tani po na gllabëron sërish.

Në Tiranë kam bërë një jetë monotone vitet e fundit, deri diku të rehatshme; tani filloi të lëvizë prapë indikatori, gjilpëra…..Të rrish mënjanë e tua regjistrosh këtyre  “bëmat”, kjo më nxit mjaft megjithëse nuk është  kaq e thjeshtë ( kjo frymë pikniku e ditëve të para, ka për të na lënë së shpejti, kjo dihet ). Sidoqoftë vlen t`i hyj kësaj pune, është e vetmja mënyrë për të mbajtur një lidhje me gjërat por edhe me veten time. Nga të tjerat s’ do të jem fort i ndryshëm nga një automë, i dëshiruar për gjumë.

Kjo histori filloi në datën 14 kur na u komunikua vendimi i Komisionit Qëndror të Dëbim- Internimeve. Kemi dëgjuar për 60 familje të hequra, që i kanë shpërndarë në të katër anët. S’di sa e vërtetë është kjo shifër, disa thonë janë më shumë. Mund të them vetëm që në rrugën e Durrësit, kur dolëm atë mëngjes, të datës 15, kishte edhe makina të tjera, para e mbrapa nesh.

Mëngjesin e së djeshmes, të datës 14  isha nisur si përditë me biçikletë nga dhoma ime përtej Laprakës, për të vajtur në punë (që këto tetë muajt e fundit ka qënë në Fermën e Perimeve ngjitur me stacionin e trenit). Si përherë, bëra një ndalesë  tek im’më  për të veshur robat e punës. Gjeta Teftën, time motër, që më priste tek dera por jo  si zakonisht. Ndërsa po lija biçikletën, diçka ndjeva tek sytë e saj. Bëra  të hyj me një dëshirë të papërcaktuar për të shmangur  atë që donte  të më thoshte. Por ajo ma dha lajmin aty me të butë për të mos më alarmuar: Po na internojnë Lekë. Pesë vjet në një fshat të Lushnjës….Të kanë thirrur edhe ty, të paraqitesh menjëherë. Fjalët e saj nuk më ndalën por kur zgjata dorën të marr rrobat prapa derës, kuptova përnjëherë se dita ime po bënte  një kthesë të fortë dhe se  për të gjithë ne po rifillonin havazet.

Brënda gjeta mamanë të ulur në një cep; më vështroi me pikëllim U ula: “Ja ç’paskan qënë fjalët që qarkullonin. Për ne paskan qënë… thashë pa frenuar dot një sarkazmë të hidhur për verbërinë tonë. Dhe  ne flinim gjumë” Ato më shikonin pa bërë zë.

Dhoma e rregulluar për bukuri, me atë sistemim rrënjësor që i bëmë tamam këto ditët e fundit. Të gjitha kot… Njëzet vjet n’atë bodrum, vetëm tani, këtë muajin e fundit  me ndarjen e pallatit karshi, e kishim hequr shpresën definitivisht se do na jepnin hyrje dhe i kishim bërë  një revizion të thellë bodrumit (deri edhe me kartë të ngjitur në mure për  të mbuluar njollat e lagështirës.)

U çova në këmbë:- “S’ka gjë ! Ky mund të jetë fillimi i fundit!” u thashë për të reaguar disi dhe për tu dhënë zemër. “Një palë kërkon të hedhë palën tjetër, për ti veshur krimet e bëra. Prandaj vetë vala që po na merr, mund të jetë menduar si klimë e egër, si shtrat i ngrohtë për të larë hesapet me kundërshtarët…”

Shpresojmë që diçka e mirë të dalë, një kthesë që e kërkon koha.

Vëllai im i madhi, Napoloni në Shkodër, është jashtë rrezikut deri sot. Pata një gjysmë shprese se edhe i vogli, Ylli i transferuar në Librazhd qysh në prill do të shpëtonte. Por s’mu vërtetua; e sollën në mbrëmje me polic. Peripecitë e tij kanë qënë më të shtrira në hapësirë se e ne të tjerëve. Para gjashtë muajsh kur ishte në Kukës për një punë, e pushuan dhe e dërguan puntor së bashku me mua (që më pushoi ndërmarrja ime) në Bonifikim. Pastaj urdhri u prapsua, sepse si duket  u erdhi ne mend internimi që po pritej, por ndërkohë atë e dërguan në Librazhd për tu zgjidhur edhe një problem tjetër të ngutshëm që kishin.

E hidhur është kur kërkon shënja vërtetuese të asaj që je i bindur se po ndodh në thelbin e situatës  dhe në vend të tyre të vijnë shuplaka të tilla. Eshtë një duel me telepati, sikur ata e kuptojnë që ne i biem në të sëmundjes së vërtetë të tyre dhe na ndërshkojnë për këtë. Tani më duket se po paguaj për një optimizëm mjaft mëndjelehtë që kam shpalosur në këto dy – tre vjetët e fundit. Jo se më tronditet besimi. Më tepër është kjo tjetra, që kuptoj se faktori kohë në të gatuarit e ngjarjeve  është i tillë që ta bën pothuaj të pavlefshme gjithçka ke pikasur, i shtyn, i largon tej e më tej ato që ti i llogatitje të afërta. Ajo është një kohë “politike”, historike, shumë më  e gjërë se e jona  dhe tani duhet ti jap të drejtë atij shokut tim që entuziazmit tim rreth kursit të ngjarjeve  para dy vjetëve iu kundërvu me një të qeshur gati tallëse: “Rrudhat tona s’mund të hahen me ato të sistemit…”Aq më tepër i jap të drejtë tani që erdha këtu dhe më pret bujqësia, që sa për rrudha e di vetë si i hap e i thellon së bashku  me brazdat që do të na vënë të hapim.

Por prapë s’mund të rri pa shpresë. Më mjafton që kjo e jona është bazuar në gjëra të vërteta, të ndodhura, e jo si në vitet e para. Afatet fundja s’dihen, ka edhe të papritura….

Gjeta në korridorin e ngushtë të Këshillit një tjetër  fatkeq si unë që po priste. Sa e pashë mendova me vete: Ja  një nga ata, për të cilët dëgjojmë “ e futën brënda filanin, e hoqën me kamion filanin”. Edhe vetë emri i tyre sikur ndjell gjëra të tilla, ca emra si Burimi, Bregu etj ato janë kalamitat e luftës së klasave gjatë dekadave, gjithmonë po ata.

Sa i pambrojtur, i pakët  m’u duk atë çast, i dënuar qysh në fillim të ekzistencës së tij (do të ish nja 30 vjeç), të pozojë përherë në rrumbullaken e shënjestrës së tyre. Priste të hynte dhe kur më pa që po ngjitja shkallët bëri buzën në gaz si i turpëruar që e kapa aty në  këtë rol që po lozte aq gjatë, përtej çdo lezeti.

Pale, u dashka pritur! mendova me gjakun në kokë përnjëherësh. Edhe tani që po na heqin qafe brënda 24 orëve duhet të rrimë e të presim përjashta! Është ajo teknika bajate tanimë e mjediseve policore, e shkundjes psikologjike që ua kanë lënë trashëgim ustallarët moskovitë dhe që synon ti japë kujtdo që ka punë me ta një të përzier të lezetshme në stomak.

Nga i mërzitur u ktheva gati në qejf .. shtyva derën dhe vetëm çastin e fundit një farë serioziteti ndaj vetes më frenoi që mos ta filloja me ndonjë të tillë si “Hajër ishalla” ose “Hë ç’kemi?” i vështrova me një ngrysje ku përbuzja, besoj, dukej hapur. Të katër muret e zyrës ishin zënë me njerëz të ulur në karrige rresht, që asistonin në aktin e komunikimit dora – dorës, të vendimeve. Ishin aq ngushtë të shtërnguar saqë brrylat e secilit kërkonin vend në ijët e tjetrit pranë. I kishin thirrur sigurisht si bashkëpërgjegjës. Ndoshta disa  mund të ishin ndër ata që kanë raportuar emrat tanë këto javët e hartimit të listave, por s’m’u dukën fort të kënaqur që po i ballafaqonin me viktimat. Vështronin si të ngurosur përpara dhe asnjë s’guxonte të fliste ose të ndizte cigare, si ata të dy ne krye të tryezës. Njëri prej të cilëve, i vogli i vëllezërve Kondi, Shima, një tip kokëvogël  përfaqësonte Ministrinë. Tjetri, Kryetari i Lagjes, i vetmi që aktivizohej, nja 40 vjeç, i pashëm, i bëshëm dhe fare i çkujdesur si një viç që ka shumë kohë para vetes gjersa ti vijë ora e thikës. Më komunikoi vendimin për pesë vjet jetë bujqësore në Grabjan të Lushnjes. Vazhdoi me arrogancë : “Nuk do të lëvizni nga shtëpia se jeni nën vërejtje: Nesër ju vjen makina” dhe vazhdoi të shfletonte dosjen. – “Kam nënën sëmurë, dua një shtytje” tentova unë fare pa shpresë, por me një ton sa më të shkoqur e duke vështruar në tavan. Ata rrotull m’i kishin ngulur sytë, kurse ai me sytë përsëri në shkresa, e kishte spuntuar emrin tim dhe ma ktheu pa më vështruar: “Ka doktorë edhe atje.”

U ktheva mendueshëm drejt derës, shumë  ngadalë e pa i  hequr sytë nga tavani. E tërë rezistenca ime u reduktua në kaq gjë,  meqë s’më mbetej  ç‘të bënja më. I ndodhur n’atë pikë si duket preferova ritiratën sesa një palë hekura në duar. Fundja çdo gjë që të thoshnja s’vlente. Kjo është tatëpjeta e të gjithëve (edhe e atyre që rrinin ulur ngjitur me murin;) dhe çastin e fundit si për tu justifikuar me veten time, mu kujtua që ‘heshtja është më dinjitoze’.

Dola që andej dhe shpejtova hapat për në shtëpi. Në 24 orë duhet të ngrenim plaçkat, t`i bënim gati. Nga t’ia mbaja? I pazoti vetë të ngul një gozhdë, s’më mbetej veç tu drejtohesha të tjerëve si përherë, meqënë se jeta paska prapë për ne kamiona e policë të armatosur që presin te dera; “ Ylli duhej patjetër tani”  thashë me vete i ndodhur ngushtë tani për paketim, për të mos përmendur atë që na pret atje poshtë, kush e di çfarë, çati që pikojnë, brava që s’mbyllen, soba që nxjerrin tym, gjëra këto që i kam parë të rregullohen  gjithmonë prej tij.

Kur u ktheva në shtëpi bëmë një program  pune me mamanë dhe Teftën. Të dyja ato u vunë të grumbullojnë plaçkat e vogla, ndërsa vetë shkova njoftova Engjëllin (kushëririn) e pastaj vajta në shtëpinë time njoftova gruan (që atë javë ish turn i  dytë). Vendosëm që ajo të vazhdojë punën gjersa neve të stabilizohemi. U dëshpërua shumë por unë s’kisha kohë të rrinja më gjatë. Janë të dyja shtatzanë ajo edhe e shoqja e Yllit. Pastaj u hodha në ndërmarrje ku mora librezën dhe bëra likuidimin. Kur u ktheva në shtëpi gjeta një polic te dera. Në ato pak orë që na mbeteshin, jo vetëm nuk mund të delnim më nga shtëpia deri sa të vinte makina, por edhe askush nuk mund të hynte po të mos ish i rrethit familjar.Më vonë në vend të policit erdhën  të tjerë, çuna të lagjes që ndenjën roje te dera gjithë natën, dy nga dy, me turne.

Por para se të vendosej mirë kjo bllokadë, pasdite përfitova nga një gjysmë leje e policit dhe dola për të fundit herë me biçikletë në rrugët e Tiranës.Vinte rrotull për shi, vesonte herë pas here prandaj dielli që shfaqej me hope në muret e ndërtesave, më dukej edhe më i shtrenjtë si vetë orët e pakta të lirisë që më mbeteshin.

Galloshet duheshin ngjitur – mendim naiv ky po ta gjykoj me këtë det balte që na priti këtu ku ka rrezik të fundoset çizmja – pedalet difektoze të biçikletës duheshin ndërruar, ca punë të tjera pezull duheshin mbaruar…

Gjeta njerëz plot te gomistët por në cepin e tejmë të banakut ku u mundova  të çaj, një shok i ushtrisë,  një krutan i lindur për tregti grosiste i katandisur tani të presë  çizme e galloshe të vjetra, më njohu mbas 20 vjetësh dhe me gjithë rrëmujën zgjati dorën. Ia lashë me një përshëndetje që s’ma dëgjoi dhe ika vrap te biçiklistët. Edhe aty njerëz plot vinin rrotull nëper shiritat e verdhë të dritës së diellit që hynte nga dritaret e mëdha horizontale, secili duke kërkuar diçka në tokë për vete. I pata zili për atë jetën e tyre të muzgët që do të zgjatej përtej nisjes sime. Të kish të kthehej si për mrekulli urdhri, premtoj të çoja një jetë të thjeshtë, të përkushtuar këtyre gjërave të vogla, lojrave të motit e të dritës dhe të gjitha ngjarjeve të parëndësishme që më ndodhin afër, veç pa problemet e ngutshme që urrej, siç është të nxjerrësh një këmbë nga balta  ose të zësh rradhe në një dyqan të qelbur fshati.

Zërat e internimeve ishin hapur me shpejtësi si duket. Iu afrova përgjegjësit një djalë sportiv  mjaft i ngrysur që më kishte thënë “jo” nja dy herë kohët e fundit për pedale. Ruajta rastin dhe i fola në emër  “Ke gjëkundi ndonjë palë pedale se më duhen shumë” dhe pa i lënë kohë të përgjigjet shtova me zë të ulët “Po nisem familjarisht”. Më nguli sytë një  çast, pastaj më ktheu kurrizin dhe u zhduk te dera në fund. Mbas pak erdhi me dy kuti me ngjyra të ndezura e mi dha pa asnjë fjalë. Pagova dhe ika.

Kur u ktheva në shtëpi gjeta Engjëllin, kushëririn që kish filluar punën. Për fat na u ndodhën ca dërrasa. Me ato bëri arkat për plaçkat e për librat.

Në atë bodrum  jetuam plot 20 vjet.

Artikulli paraprakBIRN: Kompania Albcontrol në rrezik falimenti pas bllokimit të llogarive nga Becchetti
Artikulli tjetërFis