Largohet Mançini

Roberto Mançini nuk është më trajneri i Interit. Mungonte vetëm zyrtarizimi, por tashmë edhe ai ka ardhur. Përfundon pas 20 muajsh dhe me asnjë trofe të fituar aventura e dytë e teknikut italian në krye të skuadrës zikaltër. Raportet jo të mira mes drejtuesve të Interit dhe trajnerit 51-vjeçarit kanë bërë që Mançini t’i japë lamtumirën klubit milanez një vit më herët nga sa parashikohej në kontratë. Në orët e vona të së dielës palët arritën marrëveshjen për zgjidhjen me konsensus të kontratës. 2.5 milionë euro është shumë që presidenti i Interit, Erick Thohir dhe pronarët e rinj kinezë do të derdhin në llogarinë e Roberto Mançinit për prishjen e parakohshme të kontratës. Një largim i papritur ky i trajnerit italian kur kanë mbetur më pak se dy javë nga fillimi i sezonit të ri të Serisë A. Motivet e vendimit të drejtuesve të Interit për të prishur raportin me Roby Mançinin janë disa.
I pari kishte të bënte me faktin se tekniku italian nuk pranoi kushtin e drejtuesve zikaltër për rinovimin e kontratës që i skadonte më 2017-tën deri më 2019-tën me një pagë më të lartë, por me disa klauzola në bazë të arritjes së objektivave dhe kjo bëri që palët të ndaheshin përfundimisht. Një tjetër arsye që ka ndikuar në largimin e trajnerit sipas asaj që raportojnë mediat italiane ka të bëjë me faktin se, edhe vetë futbollistët nuk e donin më në stol teknikun nga Iesi. Lajmi për largimin e Mançinit u bë i ditur nga vetë klubi i Interit në faqen zyrtare. Në komunikatën e tij klubi zikaltër falënderon trajnerin 51-vjeçar për punën e bërë gjatë këtyre muajve.
Me largimin e Mançinit si trajner i ri i Interit pritet të emërohet holandezi Frank de Boer. Drejtuesit e klubit milanez kanë arritur marrëveshjen me ish-trajnerin e Ajaxit për një kontratë trevjeçare nga e cila De Boer do të përfitojë nga 1,5 deri në 2 milionë euro në sezon. 46-vjeçari, i cili ka fituar 4 herë titullin kampion në Holandë me Ajaxin si trajner pritet të fillojë menjëherë nga puna. Kur mbetet edhe shumë pak kohë nga fillimi i sezonit futbollistik 2016-2017, për Interin nis një epokë e re me një trajner holandez në stol.
Prej kohësh klubi zikaltër ka shprehur pëlqimin për trajnerin holandez, i cili në maj është larguar nga Ajax, pasi ka humbur titullin në kampionat në javën e fundit. Thohir ka folur më shumë se një herë për të, që nga periudha kur ka marrë në pronësi klubin milanez. Në atë kohë, në stol ishte Mazzarri dhe hija e holandezit ka bezdisur shumë trajnerin aktual të Watford: “Është i aftë, ka thënë në të kaluarën Thohir, por e kemi një trajner”. Nga holandezi pëlqehet aftësia e tij për të punuar me të rinjtë dhe stili argëtues i lojës. Për momentin nuk ka ekip dhe në drejtim të Ajax-it ka fituar katër kampionate dhe një Superkupë të Holandës.

Artikulli paraprakComan “snobon” Juven, i premton besnikëri Bayernit
Artikulli tjetërBale e Kross nuk do jenë ndaj Sevillas