Largimi i Veselit kusht për një shumicë në Kosovë

Kuvendi i Kosovës ka proceduar me vazhdimin e seancës konstituive, të filluar që nga 3 gushti, por nuk ka arritur sërish të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët e këtij institucioni.
Në fillim të seancës, koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma ka kërkuar edhe një afat tjetër kohor për të krijuar shumicën parlamentare në Kuvend.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se PAN e ka kandidatin për kryetar të Kuvendit, por nuk e ka shumicën. Andaj, ai kërkoi edhe 10 apo më shumë ditë kohë për të proceduar me votimin.
“Në këto javët e fundit nuk e kemi pasur shumicën prej 61 votave për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, tha Hoxhaj.
Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, koalicioni PAN e ka të drejtën e propozimit për kryetarin e Kuvendit. Pa zgjedhjen e tij, nuk mund të bëhet asnjë hap tjetër drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.
Koalicionit PAN do t’i nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, vota të cilat deri në këtë fazë, nuk arriti t’i sigurojë.
Në një situatë të tillë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti doli me dy propozime. Së pari për PAN-in, duke i kërkuar që ta ndërrojë kandidatin për kryetar dhe në vend të Kadri Veselit të dalë me një kandidat tjetër, i cili sipas tij do të mund të siguronte mbi 61 vota. Dhe, së dyti, ai tha se nëse PAN nuk propozon kandidat, atëherë grupet e tjera parlamentare duhet ta bëjnë këtë. Në këtë frymë, Kurti tha se, “e shtrinë dorën e bashkëpunimit me koalicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativës”, për formimin e institucioneve.
Fjalimi i Kurtit, është përcjellë me reagimin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ai tha se Vetëvendosje ka bllokuar në vazhdimësi shtetin e Kosovës dhe se të vetmin synim e ka pushtetin, duke i kërcënuar me burgje e persekutim rivalët politik.
Ndaj Veselit reagoi sërish Albin Kurti, duke thënë se ai dhe PDK-ja e kanë kapur shtetin, drejtësinë dhe të gjitha organet, duke e lënë Kosovën në perspektivë të paqartë, të izoluar dhe me korrupsion e krim të organizuar.
Polemikat dhe akuzat ndërmjet Kurtit e Veselit u shtrinë edhe në çështje të tjera, duke përfshirë aty edhe rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në burg.
Duke e parë se seanca nuk po prodhon zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, kryesuesi i saj, deputeti Adem Mikullovci e ndërpreu atë, duke thënë se do t’i njoftojë me kohë deputetët për vazhdimin e saj.

Kosova në krizë politike, por atje deputetët nuk shiten

Deri dje përfaqësuesit e koalicionit fitues ishin shprehur të bindur që dita e enjte do të zhbllokojë procesin, duke llogaritur në votat e Aleancës Kosova e Re të afaristit Behgjet Pacolli, i cili siç është thënë, është autorizuar nga partia e tij “të kërkojë mundësi të gjetjes së daljes nga kriza dhe të shohë mundësi të tjera alternative jashtë koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativës, me të cilat kishte konkurruar në zgjedhje. Por, një ditë më parë, u tha se gjërat janë ndërlikuar.
Sipas Kushtetutës ky koalicion ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetarin e Parlamentit, por lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshtojnë kandidimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli.
Aktualisht është e paqartë se si do të vazhdojë procesi i ngritjes së institucioneve, ndërsa sot u hodhën ide për organizim tryezash në kërkim të një rrugëdaljeje nga kriza politike.
Kosova zyrtarisht është në një krizë politike prej shumë javësh. Ajo nuk po arrin të menaxhojë këtë pjesë të konstituimit të Parlamentit edhe për shkak të kokëfortësive politike, por Kosova ndryshe nga Shqipëria nuk ka një krizë morale dhe kjo për arsyen e thjeshtë; Në Kosovë deputetët nuk shiten dhe blihen si në tregun e gjësë së gjallë sikurse ndodh në Shqipëri. Po ashtu edhe votat nuk blihen sikurse ndodh në Shqipëri dhe këto janë tregues së përtej krizës politike Kosova ka një demokraci shumë më të shëndetshme se në Shqipëri.

Artikulli paraprakSerbia e Vuçiç kthehen në faktor destabiliteti
Artikulli tjetërZaev ndryshon qëndrimin e Maqedonisë për Kosovën