Lapsusi i ish-ministrit, që nuk dinte emrin e fshatit. Flet pedagogia Toska!

Pedagogia Teuta Toska në Shqip nga Rudina Xhunga shpjegoi rëndësinë e gjuhës shqipe dhe se çfarë arrijmë të prodhojmë ne si shqiptarë, nga fjalët që ofron gjuha jonë Amtare.

Pedagogia theksoi se nuk duhet anashkaluar kurrsesi përdorimi i Ë-së dhe Ç-së, pasi në këtë mënyrë ne arrijmë të dallojmë gjininë femërore/mashkullore, vetën I ose të III, apo si formohet fjala.

“Kam dëgjuar njëherë një ish-ministër, që erdhi bëri prezantimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Ishim mbledhur të gjithë në Elbasan, pamë prezantimin e rrugës, ai në një moment tha rruga do të kalojë në Graçen. Fshati quhet Gracen, më i larti në zonën e Krabës. Duke qenë se ne nuk përdoret rregullisht, ç dhe c, njerëzit nuk dinë si ta përdorin. Ai zyrtari e lexoi si Graçen. Është e domosdoshme përdorimi i ç-së, dhe ë-së, po ashtu. Sepse ka role jo vetëm fonetike por edhe morfologjike. Pa ë, ne nuk dallojmë gjininë nga femërore nga mashkullore, në të shkruar duhet me patjetër. Nuk dallojmë dot vetat po ashtu në zgjedhim. Nëse ë-ja mungon, ngatërrojmë nëse është veta I apo III. Po ashtu Ë-ja na ndihmon që ne të kuptojmë se si fjala është formuar.

Një pjesë e madhe e emrave të gjinisë femërore mbarojnë me Ë, ndaj duhet të kuptojmë se si është formuar. Njeriu duhet të kuptojë se si ndodh fjalëformimi në gjuhën e vetë. Secili prej nesh ka një gjini krijuese të gjuhës, ndodh tek të gjithë shqiptarët pa përjashtim, edhe tek ata më pak të arsimuar. Fjalëformimi është një nga energjitë më të mëdha krijuese të gjuhës në shqipe, nëse ne nuk e shkruajmë Ë-në, nuk e kuptojmë nga vjen fjala. Shkrimi ruan edhe historikun e gjuhës, ndaj është ai që ndryshon më rallë. Duhet të njohim këtë strukturë, në mënyrë që të ndizet ndjesia krijuese, është edhe tek fëmijët e vegjël. Më ka bërë përshtypje tek nipi im, krijoi fjalën puntac, duke bashkuar fjalët përtac dhe punëtor. Tekstet e gjuhës shqipe si rrjedhojë e reformës, ka ardhur koha të themi që nuk janë aq të suksesshëm. Duhet kuptuar se jetojmë në një kohë që ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Dija ka kaluar nga përsëritja përmendësh, sot kërkohet mendimi i lirë. Është një çështje që nuk besoj se lidhet me skemat, shkolla jonë kishte shumë autoritet. Gjuha dhe letërsia, konsiderohej shumë soleme, tani ka marrë fund. Rregullat e gjuhës shqipe, akoma dhe sot nuk harrohen. Përpara viteve ’90 qëllimi në vetvete ishte gjuha dhe letërsia, ndërsa tani shihet si mjet për të komunikuar. Unë besoj se ky është një qëllim i mirë, pasi këtë mëson dhe Perëndimi”, tha zonja Toska

Artikulli paraprak“Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, arritje madhore”, Basha: Hapja e bazës së Kuçovës, një lajm i mirë jo vetëm për Shqipërinë, por për sigurinë e të gjithë rajonit në një kohe të trazuar
Artikulli tjetërHapja e bazës së NATO-s në Kuçovë, Kreshnik Çollaku: Lajm shumë i mirë! Mazhoranca të miratojë amendamentin Basha për t’i akorduar Kosovës 50 milionë euro ndihmë ushtarake