Kuvendi i Kosovës kërkon pezullimin e dialogut me Serbinë deri në lirimin e Haradinajt

Parlamenti i Kosovës miraton një rezolutë ku kërkohet pezullimi i dialogut me Serbinë deri në lirimin e Ramush Haradinajt.
Haradinaj, po mbahet në Francë, në pritje të vendimit nga një gjykatë në Colmar, nëse do ta lirojë apo ekstradojë atë në Serbi. Ai u arrestua më (04.01) nga policia franceze në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, e cila e akuzon atë për krime lufte. Rezoluta me të cilën kërkohet pezullimi i dialogut me Serbinë, u propozua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj dhe ajo mori 78 vota të deputetëve.

Lirim pa kusht i Ramush Haradinajt
“Të pezullohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deri në lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë nga Bashkimi Evropian, që ta detyrojë Serbinë për t’i anuluar të gjitha aktakuzat dhe fletarrestet e lëshuara nga Serbia, përmes Interpolit për shtetasit e Republikës së Kosovës”.
Po ashtu rezoluta i bën thirrje qeverisë së Kosovës që t’i informojë të gjitha instancat ndërkombëtare se “refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në territorin e ish-Jugosllavisë dhe konform kësaj të kërkohet edhe lirimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj”.
Më 2 mars gjykata në Colmar të Francës vendosi që ta shtyjë për datën 6 prill vendimin lidhur me kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e Ramush Haradinajt.

Dialogu Kosovë-Serbi
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u nënshkrua më 19 prill të vitit 2013. Që nga ajo kohë janë zhvilluar shumë takime të nivelit të lartë politik dhe janë nënshkruar edhe një sërë marrëveshjesh ndërmjet të dy vendeve. Për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi dhe përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, foli në vizitën e saj të para pesë ditëve në Kosovë, shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini. Ajo tha në Prishtinë se “përshëndet angazhimin e Kosovës në dialog me Serbinë, duke ritheksuar që “dialogu me Serbinë mbetet formë e pazëvendësueshme për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve”.
Partia e zotit Haradinaj i kërkoi Mogherinit që BE të ndikojë në lirimin e zotit Haradinaj, mirëpo, përgjigjja e Mogherinit ishte se BE-së nuk mund të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë franceze.

Artikulli paraprakBie numri i migrantëve në Gjermani
Artikulli tjetërSamiti i BE-së, përsëritet premtimi për Ballkanin