Kushtetuesja i drejtohet Venecias për ligjin e pronave

Reforma në drejtësi nuk është kushti i vetëm që Shqipëria duhet të përmbushë për të ecur përpara me procesin e integrimit europian. Ligji i pronave është gjithashtu në listën e 5 prioriteteve kyçe për integrimin. Dhe njësoj si reforma në drejtësi, për fatin e ligjit të pronave do të pyetet Komisioni i Venecias. Kjo është zgjidhja me të cilën është rënë dakord në një mbledhje të zhvilluar nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese mesditën e së martës. Përpara se të marrin një vendim nëse ligji i pronave është apo jo kushtetues, gjykata vendosi që të marrë opinionin e Venecias. Ky ishte një hap i pritshëm, sepse burime zyrtare konfirmojnë se mes anëtarëve të Gjykatës ka një ndarje në qëndrime, të ngjashme me ato të qeverisë nga një anë dhe të opozitës dhe Presidentit nga ana tjetër. Pak kohë më parë, Gjykata Kushtetuese refuzoi kërkesën e Presidentit dhe të shoqatave të pronarëve për ta pezulluar ligjin e pronave, i cili është në fuqi prej më shumë se dy muajsh. Marrja e opinionit nga  Komisioni i Venecias besohet se është një vendim që ka për qëllim të sheshojë mosmarrëveshjet brenda Gjykatës Kushtetuese për ligjin e pronave, edhe pse rasti i reformës në drejtësi nuk e arriti dot këtë qëllim…të paktën jo deri më tani. Ligji ka parashikuar mundësinë për rikonfiskim apo rishpronësim të subjektit. Konkretisht, pasi këtij të fundit i është njohur e drejta e pronës dhe i është njohur edhe e drejta e kthimit të pronës (për shkak se ajo rezulton e lirë), ATP do të bëjë një vlerësim të pronës së kthyer, për të konstatuar nëse subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit. Është evident fakti që sot prona ka një vlerë më të madhe sesa kishte në momentin e shpronësimit gjatë periudhës komuniste. Për pasojë, në mënyrë antikushtetuese dhe në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës, ATP i kompenson fizikisht subjektit vetëm sipërfaqen që i korrespondon vlerës që ka patur prona në momentin e shpronësimit. Ndërkohë që pjesa e mbetur merret nga shteti dhe kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së (që përdoret për të kompensuar subjektet e tjera apo për t’u shitur në ankand). Ky akt, përbën de juro shpronësim nga një autoritet administrativ apo konfiskim të pasurisë pa një vendim gjyqësor. Heqja e nocionit të kthimit të pronës në objektin e ligjit është i lidhur me metodologjinë e re të propozuar për vlerësimin e pronës. Për ne është e papranueshme, që ndërkohë që shteti e konsideron shpronësimin apo konfiskimin e kryer nga regjimi komunist si të padrejtë dhe të paligjshëm, për rastet kur prona rezulton e lirë dhe nuk i shërben interesit publik, subjekti të mos të kthehet përsëri në gjendjen e mëparshme, pra t’i kthehet e gjithë prona në gjendjen që ajo është sot. Vetëm në rastet, kur për shkaqe sociale dhe ekonomike, kthimi në gjendjen e mëparshme dhe zhbërja e paligjshmërisë do të ishte e pamundur, mund të aplikohen mekanizmat e kompensimit.

Artikulli paraprakNishani takon ambasadorin Cannon
Artikulli tjetërTritan Shehu ironizon: “Varfëria falas” në shëndetësi