Kush qëndron pas sulmit ndaj Kuvendit në Kosovë?

Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante në rastin e sulmit me mortajë dore ndaj Kuvendit të Kosovës, për të zbardhur këtë sulm dhe sjelljen para drejtësisë të kryerësve të tij.
Sulmi me mortajë dore që ndodhi të enjten mbrëma ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, është përpjekja e radhës për ta destabilizuar vendin. Kështu ka thënë eksperti i sigurisë dhe inteligjencës, Fadil Kajtazi. Sipas Kajtazit, ngjarje të tilla destabilizuese kanë ndodhur që nga viti 2001 nga shërbimet sekrete serbe, ndërsa askush nuk i ka analizuar.
“Duke mos dashur ta teproj, që nga viti 2001, në vazhdimësi kam shkruar për potencialin që kanë në Kosovë shërbimet serbe. Dhe ata në vazhdimësi janë përpjekur ta destabilizojnë situatën në shkallë të gjerë ku ngjarjet e marsit 2004, janë aksioni më i madh i tyre. Askush nga politika, institucionet shtetërore, nuk ka analizuar këto ngjarje. Tani se kush është i interesuar ta destabilizojë situatën nuk është vështirë t’ja qëllojmë”, ka thënë Kajtazi.
Sipas tij, politika dhe diplomacia serbe gjithandej trumbeton për Kosovën si “shtet jofunksional”, gjithashtu në gjeopolitikën e re ballkanike dhe më gjerë kemi përvijime të reja të interesave ku vlen të potencohet faktori rus dhe ai turk që po mundohen të rirreshtohen. “Tani problemi qëndron në faktin se kush nga individët, OJQ, mediat, politikanët dhe forcat politike bëhen vegël e procesit për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Edhe kjo punë nuk është e vështirë për t`ja qëlluar nga se tradhtitë e mëdha historikisht te shqiptarët janë veshur me veladonin kuqezi. Mendoj se është momenti i fundit i qeverisë së Kosovës dhe forcave politike që e duan këtë vend të ndalen dhe ta shikojnë pozicionin e tyre dhe të rishikojnë sistemi e sigurisë së Kosovës, i cili si duket çalon në shumë segmente”, është shprehur Kajtazi.
Në anën tjetër, eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërnava, sulmin e së enjtes mbrëma ndaj Kuvendit e ka ndërlidhur me situatën politike në vend.“Mbrapa sulmit të Kuvendit të Kosovës qëndrojnë njerëzit e dëshpëruar e që nuk shohin perspektivë të zhvillimit e sidomos kur e kanë të qartë se kush po i udhëheq apo i përfaqëson. Situata e rëndë ekonomike e pa perspektivë për hapjen e vendeve të punës, dështimet e investimeve të huaja si rastet Brezovica, Trepça, Kosova e re e shumë raste të tjera i kontribuojnë që pakënaqësitë të rriten dhe në mënyra të ndryshme t’i shprehin pakënaqësitë e tyre e pse jo edhe në këtë mënyrë si mbrëmë”, ka thënë Tërnava.
Por, sipas Tërnavës nuk duhet harruar as armiqtë e Kosovës, që e përcjellin situatën dhe kontribuojnë në destabilizimin e saj.
“Rugovasit” distancohen nga sulmi
Përfaqësuesit e Rugovës e kanë mohuar një lidhshmëri me e-mail-in, i cili thotë që rugovasit e sulmuan Kuvendin, dy netë më parë. Më parë dërguesi “Rugovasit-Rugovasit” përmes një e-mail-i thoshte se ata marrin përgjegjësinë për sulmin mbi Kuvendin e Kosovës që u bë të enjten mbrëma.
Në këtë e-mail thuhet se rugovasit kanë ditur të mbrojnë me gjak territorin dhe nëse është nevoja do ta bëjnë përsëri. Mirëpo pak minuta pas këtij e-mail-i, “Zëri” ka kontaktuar me për të folur rreth këtij e-mail-i.
Rexhep Kurtbogaj, përfaqësues i bashkësisë territoriale të shtatë fshatrave përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi, ka thënë për “Zërin” se rugovasit nuk kanë dërguar asnjë e-mail të tillë.
Ai ka mohuar që e-mail-i që i lidh me sulmin të jetë bërë nga ndonjë banor i Rugovës. Rugovasit, sipas tij, pavarësisht sa janë të revoltuar janë duke pritur që me dialog të zgjidhet kjo çështje pa u dëmtuar apo cenuar pronat e rugovasve.
“Distancohemi nga ky e-mail. Nga banorët rugovas nuk është dërguar dhe as që mendoj se është bërë madje ndonjë akt i tillë”, ka thënë ai.
Policia gjen provat e sulmit
Policia e Kosovës ka gjetur një numër dëshmish në afërsi të Kuvendit të Kosovës gjatë periudhës së zhvillimit të hetimeve, përfshirë edhe një mjet për hedhjen e predhave, i kanë thënë Radios “Evropa e Lirë” zyrtarë të policisë, që megjithatë, nuk kanë dashur të ofrojnë hollësi të tjera, për shkak të, siç thonë, “ndjeshmërisë së hetimeve”.
Një zëdhënës i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i tha Radios “Evropa e Lirë” se, “Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka gjetur dëshmi relevante, në mesin e të cilave edhe një mjet për hedhjen e predhave, shishe të benzinës (koktej molotovi) dhe një motoçikletë të djegur jo larg nga vendi i ngjarjes”.
Policia beson se dëshmitë nga vendi i ngjarjes do të çojnë drejt kapjes së autorëve të sulmit mbi Kuvendin e Kosovës, që ndodhi të enjten në mbrëmje rreth orës 23.
Burime zyrtare i thanë Radios “Evropa e Lirë” se, sulmi u bë me mortajë dore, në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues duke e djegur dhe ikën në këmbë në drejtim të panjohur. Motivet e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës nuk dihen ende, po aq sa edhe autorët e tij.
Shpërthimi ndodhi në kohën kur kishte lëvizje të qytetarëve në shëtitoren e qytetit të Prishtinës. Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u sulmua para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi dhe as atëherë nuk u zbuluan motivet dhe as autorët e sulmit.
Musliu: Sulmi ka elemente terroriste
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu e ka cilësuar sulmin si “terrorist”, bazuar mbi dëshmitë që kanë mbetur në vendin e ngjarjes.“Është sulmuar institucioni i Kosovës me mjete ushtarake ndër më të fortat, me predhahedhës, i cili në gjuhën ushtarake shërben për asgjësimin e mjeteve të blinduara, por edhe për objekte të forta dhe bunkerët. Vetë përgatitja, logjistika, implementimi dhe tërheqja i përmbush të gjitha elementet ligjore për t’u quajtur akt terrorist”, tha Musliu në një deklaratë për Radion “Evropa e Lirë”.
Musliu tha se, pavarësisht autorëve dhe motiveve, është çështje e policisë dhe Prokurorisë dhe së fundi edhe e gjykatave që të tregojnë “efikasitet dhe sa më shpejt ta zbardhin rastin” për të mbyllur “manipulimet e mundshme të grupeve të ndryshme të interesit, si brenda ashtu edhe jashtë vendit”.
Ndërkohë analisti politik, Imer Mushkolaj, ka theksuar se sulmi i kryer në mesnatë “bëhet për të shkaktuar panik edhe për të futur një ndjenjë të frikës”. “Besoj se nuk është e rastësishme, që sulmi ndodhi pikërisht në këtë moment dhe ndodh pikërisht tash kur debati për demarkacionin ka arritur pikën më të lartë të mundshme dhe kur po publikohen çdo ditë përgjimet e zyrtarëve të lartë të shtetit”, tha Mushkolaj.

Artikulli paraprakFranca, brenda fabrikës së një urrejtje terroriste
Artikulli tjetër“Zëri i Amerikës”: Ekonomia shqiptare në një nga vitet më të vështira