Kush janë interpretuesit psikologjikë të ëndrrave?

Andrew Pacholyk

1. Sigmund Frojd
Frojdi mbetet njëra nga figurat më me ndikim të shekullit XX. Gjetja themelore e Frojd se mendjet tona ruajnë kujtimet dhe ndjenjat, të cilat nuk na janë gjithmonë në dispozicion në mënyrë të ndërgjegjshme, ka transformuar përgjithmonë mënyrën se si njerëzimi e sheh veten.
Frojdi tha se ka pasur tri poshtërime të mëdha në historinë e njeriut: zbulimi i Galileos se ne nuk jemi qendra e universit, zbulimi i Darwinit se ne nuk jemi kurora e krijimit dhe zbulimi i vetë Frojdit se ne nuk kemi mendjet tona nën kontroll.
Tendenca e njerëzve modernë t’i ndjekin problemet e tyre deri në traumat e fëmijërisë ose ndjenjat e tjera të shtypura fillon me Frojdin. Njëri nga zbulimet më të rëndësishme të Frojdit është se, ndjenjat e varrosura në pavetëdije dalin në sipërfaqe në formë të fshehur në ëndrrat dhe se fragmentet e kujtuara të ëndrrave mund të ndihmojnë në zbulimin e ndjenjave të varrosura.
Qoftë i saktë mekanizmi siç e përshkruan Frojdi apo jo, shumë njerëz kanë nxjerrë zbulime për vetveten nga shqyrtimi i ëndrrave të tyre dhe shumica e njerëzve bashkëkohorë mendojnë se ëndrrat kanë rëndësi emocionale, ndryshe nga stërgjyshërit tanë, që shpesh i konsideronin ose si ogurë të shenjtë ose si efekte të çuditshme anësore të tretjes së keqe.
Frojdi argumenton se ëndrrat janë plotësime dëshirash dhe mbaron së argumentuari se ato dëshira janë rezultati i qejfeve të shtypura ose të frustruara seksuale. Ankthi që i rrethon këto dëshira kthen disa ëndrra në makthe.

2. Carl Gustav Jung
Carl Gustav Jung është njëri nga psikologët më të respektuar dhe më të njohur të të gjitha kohërave. Shumë njerëz e njohin Jungun si njërin prej nxënësve dhe bashkëpunëtorëve të Sigmund Frojdit.
Theksi i Jungut në fushën e psikologjisë kishte të bënte me ëndrrat. Jung zhvilloi shumë teori për ëndrrat, shumë prej të cilave kundërshtoheshin me Frojdin. Jung ishte një psikolog dhe psikiatër i madh, i cili ka ndryshuar rrugët e psikologjisë moderne.
Jung mendonte se ëndrrat qenkan një vegël që na ndihmon për t’u rritur, jo vetëm për të shkarkuar dëshira ekstreme seksuale. Jung ndjente se ëndrrat kanë të bëjnë me më shumë se seks, ato kanë të bëjnë me jetë. Jung thoshte se epshi seksual nuk na motivon aq shumë sa frika nga vdekja.
Jung ishte një frymëzim për të gjithë në fushën e psikologjisë. Sot teoritë e tij janë të dobishme në psikologji dhe psikiatri. Ai ishte një personalitet i shkëlqyeshëm, që nuk kishte frikë të mbronte mendimet e tyre jashtë kornizave të zakonshme.
Ishte Jung, një bashkëkohës i Edgar Cayces, i cili gjeti prova bindëse për një nivel të thellë të mendjes së pavetëdijshme. Kjo thellësi e madhe, siç ndjeu Jung, vjen nga një realitet i vërtetë spiritual, i cili nuk u pranua nga Frojdi. Jung e quajti këtë nivel “pavetëdije kolektive”. Atje, të gjitha mendjet mund të komunikojnë nëpërmjet përdorimit të simboleve universale – imazhe, të cilat duket se kanë një domethënie të përbashkët për njerëzit në gjithë botën.
Për shembull, një simbol si një luan ose një mace të mëdha ka një domethënie universale ose arketipike të fuqisë dhe gjallërisë. Zogjtë simbolizojnë shpesh lloje të ndryshme dashurie ose meraku; uji shpeshherë të sjell në mendje shpirtin vetë.
Një plakë ose një plak ose një figurë gjyshërore mund të simbolizojë veten tonë të lartë ose urtësinë tonë të brendshme. Mitet dhe përrallat kanë shpesh ngjashmëri midis kulturave dhe këto ngjashmëri tregohen nëpërmjet simboleve dhe temave të tyre universale. Nganjëherë ëndrrat tona mund të përmbajnë këto lloj simbolesh.
Natyrisht jo të gjitha simbolet dhe imazhet në ëndrrat tona janë universale ose arketipike. Shumë prej tyre, ndoshta bile shumica, interpretohen më së miri me të zbuluar asociacionet që njeriu ka me atë person ose objekt. Simboli i ëndrrës i një pushke, për shembull, me gjasë do të thotë një gjë për një armëtar dhe diçka krejt ndryshe për një viktimë lufte.

3. Edgar Cayce
Ndonëse është e vërtetë se shumë prej nesh nuk bëjnë përpjekje të vetëdijshme për t’i kujtuar ëndrrat tona, çdo njeri ëndërron. Gjatë pjesës së hershme të shekullit XX, ndërsa psikologë si Sigmund Frojd dhe Carl Gustav Jung vërtetonin rëndësinë klinike të ëndrrave, Edgar Cayce u jepte individëve të rëndomtë vija orientuese për të punuar me atë që është bërë njëri prej qëndrimeve më praktike ndaj ëndrrave.
Qindra prej leximeve të Cayces trajtojnë temën e ëndrrave dhe të interpretimit të ëndrrave. Ndoshta zbulimi më i rëndësishëm i nxjerrë nga bollëku i këtij materiali është fakti se secili prej nesh është i vetëdijshëm në nivele të nënndërgjegjshme për shumë më tepër nga vetvetja, për trupin fizik, mjedisin, bile stilin e jetës nga ç’kuptojmë kur jemi të zgjuar.
Në gjendjen e ëndrrës, ne hapim mendjet tona ndaj shumë niveleve të ndryshme të pavetëdijës sonë. Atje janë të ruajtura jo vetëm të gjitha përjetimet tona të mëparshme të ndërgjegjshme, por atje është edhe depoja e burimeve, të cilat rrallë vijnë deri te vetëdija e ndërgjegjshme. Nënvetëdija ka dhunti të shquara për të gjetur zgjidhje për probleme.
Ajo strehon të gjitha dëshirat dhe shpresat tona dhe kujtimet tona nga përjetimet e kaluara dhe mund të na ndihmojë në vetekzaminim duke na pajisur me drejtime praktike për çdo lloj pyetjeje. Ajo bile na mundëson përjetime të mbinatyrshme.
Ëndrrat mund të përcaktojnë diagnozën e sëmundjeve tona fizike, të nxjerrin në pah mendimet dhe ndjenjat, të cilat jemi munduar t’i injorojmë dhe shpesh bëjnë propozime për të përmirësuar marrëdhëniet tona me të tjerët. Në ëndrrat mund të fitojmë vetëdije për qenien tonë të tërë: fizikisht, mendërisht dhe shpirtërisht.

Ëndrrat dhe gjumi

Është e mundur që ëndrrat të mos jenë dritarja sekrete e dëshirave të papërmbushura që Sigmund Frojdi ka zbuluar më 1899, por faktet tregojnë që ëndrrat – ose më mirë të themi gjumi – kanë lidhje me procesimin e emocioneve humane. Sipas studimeve të reja paraqitur javën e kaluar në takimin vjetor të Associated Professional Sleep Societies gjumi i mjaftueshëm mund të përforcojë mundësinë tonë të kuptojmë kompleksitetin e emocioneve në jetën tonë të zgjuar.
Një studim i kohëve të fundit nga Walker dhe kolegët e tij ekzaminoi se si pushimi – dhe veçanërisht, lëvizja e shpejtë e syve (REM) – ndikon aftësitë tona për të lexuar emocionet në fytyrat e njerëzve të tjerë. Në një analizë të vogël prej 36 të rriturish, vullnetarët u pyetën për të interpretuar shprehjet e fytyrës së njerëzve në fotografi, pas një gjumi 60-90 minutësh apo pa pushim.
Pjesëmarrësit, të cilët kishin arritur REM (kur ëndërrojnë ndodh më shpesh) gjatë dremitjes së tyre ishin në gjendje më të mirë për të identifikuar shprehjet e emocioneve pozitive si lumturia, tek njerëzit e tjerë në krahasim me pjesëmarrësit që nuk e kanë arritur REM ose nuk kishin fjetur fare. Këta vullnetarë ishin më të ndjeshëm ndaj shprehjeve negative, duke përfshirë zemërimin dhe frikën.
Kërkime në të shkuarën nga Walker dhe kolegët e tij në Shkollën Mjekësore të Harvardit, i cili u botua në gazetën “Current Biology”, ka gjetur se në njerëzit, të cilët ishin privuar nga gjumi, aktiviteti në lobin paraballor – një rajon i trurit i përfshirë në kontrollin emocional – u zvogëlua në mënyrë të konsiderueshme. Ai sugjeron se një përgjigje të ngjashme mund të ndodhin në të vullnetarët e privuar, megjithëse në një shkallë më të vogël dhe se ajo mund të ketë rrënjët e saj në evolucion. “Në qoftë se jeni duke ecur nëpër xhungël dhe jeni të lodhur, mund të përfitoni më shumë duke qenë tepër të ndjeshëm ndaj efekteve negative”, thotë ai. Ideja është që me më pak energji mendore për të harxhuar kot jeni më të vëmendshëm ndaj gjërave që ju duken më të rrezikshme për momentin. Në të kundërt, kur jeni të çlodhur, ju mund të jeni më të ndjeshëm ndaj emocioneve pozitive.
Ekzistenca jonë e përditshme është kryesisht e ndikuar nga aftësitë tona “për të kuptuar ndërveprime të shoqërisë sonë, për të kuptuar gjendjen emocionale të dikujt tjetër, për të kuptuar shprehjet në fytyrën e tyre”, thotë Ninad Gujar, një zyrtare e lartë e studimit.
Gjetjet e reja vënë në pah një fenomen që studiuesit e quajnë marrëdhënie dypalëshe midis çrregullimeve psikiatrike dhe gjumit të çrregullt. “Mjekësia moderne dhe psikiatria kanë menduar vazhdimisht se çrregullimet psikologjike janë në bashkëpunim me problemet e gjumit”, thotë Walker. “A është e mundur që, në fakt, të jetë gjumi i çrregullt që kontribuon në çrregullimin psikiatrik?”.

Pse flemë?

Gjithkush ka nevojë për gjumë dhe kjo nevojë është sasia e gjumit që çdo organizëm kërkon për t’u rizgjuar i rigjallëruar.
Shuma mesatare e gjumit të nevojshëm ndryshon gjatë periudhave të jetës, sidomos gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Edhe pse ekziston një shumë mesatare gjumi, sasia e gjumit gjithashtu ndryshon nga personi në person – çka e bën gjumin gjenetik apo të përcaktuar nga gjenet e çdo individi.
Sipas Fondacionit kombëtar të Gjumit – National Sleep Foundation – SHBA, foshnjet nga 3 në 11 muaj kanë nevojë për 14-15 orë gjumë në 24 orë; nga 12 në 35 muaj duhet 12-14 orë; parashkollorëve 3–6 vjeç u duhet 11-13 orë gjumë; fëmijët nga 6 në 10 vjeç kanë nevojë për 10–11 orë; adoleshentët nga 11–18 vjeç kanë nevojë për 9 orë e gjysmë gjumë; dhe të rriturit për një mesatare prej 8 orësh në 24 orë.
Përllogaritet se një të tretën (1/3) e jetës, njeriu e kalon në gjumë.
Çfarë ndodh nëse nuk plotësohet nevoja për gjumë? Duke mos fjetur sa duhet, personi grumbullon një borxh që zakonisht duhet paguar (me gjumë). Kjo mund të përfshijë gjumin shtesë. Nëse njeriu fle më pak sesa trupi ka nevojë, ai/ajo ndjen lodhje, vështirësi në të menduar, shton rrezikun për aksidente, komplikime shëndetësore (për shembull, shtim në peshë). Megjithatë, disa studime të kohëve të fundit kanë treguar se borxhi i gjumit nuk mund të shlyhet.
Qëllimi dhe funksioni i gjumit vazhdojnë të mbeten kryesisht mister. Vetëm në dekadat e fundit shkencëtarët kanë filluar të zbulojnë disa nga sekretet e tij. Ekzistojnë të paktën 3 teori pse njeriu fle.
Teoria e riparimit; është shpjegimi më i pranuar, që sugjeron se gjumi rikthen në jetë indet dhe përgatit trupin për të nesërmen. Kjo mund të përfshijë pastrimin e neurotransmetuesve të akumuluar nga truri, si dhe riparimin e indeve në të gjithë trupin.
Teoria e adaptimit; është shpjegim alternativ që thotë se gjumi rrit aftësinë për të mbijetuar. Ndërsa nata mund të jetë e rrezikshme, sidomos nga kafshët grabitqarë, kjo i shtyn qeniet për të kërkuar një strehë të sigurt. Duke shmangur rreziqet, kafsha jeton gjatë dhe ka më shumë gjasa për të riprodhuar – kështu, gjumi bëhet një përparësi për t’u përshtatur.
Teoria e konservimit; sipas kësaj teorie, gjumi është një mjet për të ruajtur energjinë. Gjatë gjumit, metabolizmi ngadalësohet, kështu që nevoja e përgjithshme për kalori është e paktë. Në qoftë se koha shpenzohet zgjuar, njeriu nuk mund të ketë ushqim të mjaftueshëm për të mbijetuar.
Ka teori që thonë se gjumi duket të ketë funksione të tjera, por që ende nuk njihen. Gjithsesi mendohet se gjumi e ndihmon njeriun të mësojë, rafinojë dhe konsolidojë kujtimet. Gjumi ndihmon në forcimin e sistemit imunitar.
Pavarësisht nga qëllimi ose funksioni, gjumi është, qartë, një nga aktivitetet më të domosdoshme të jetës dhe ndoshta një për të cilat dihet shumë pak. Kjo çon në mundësi për spekulime filozofike dhe analizë të vetvetes – nëse shtrirë me sytë në tavan, në pritje për gjumë, lind pyetja “Pse flemë? Mos ndoshta gjumi është për të parë të realizuar atë që zgjuar nuk e arrijmë dot?”.

Artikulli paraprakSi ukrainasit ndërtuan komunizmin
Artikulli tjetërEmirati ka dështuar