Kush detyrohet të vendosë kamera

Ligji i “kamerave”, siç është njohur tashmë, ka hyrë në fuqi pas miratimit të tij mes polemikave të shumta të politikës dhe përplasjeve të institucioneve më të larta. Në të janë përcaktuar të gjitha kategoritë që do t’i nënshtrohen detyrimit për të rritur masat e sigurisë: biznese, pallate, institucione publike. Mosmarrja e këtyre masave përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 5,000 deri në 50,000 lekë.
Detyrimet për të vendosur kamera sigurie nuk do t’i shpëtojnë as qytetarët, pasi ligji parashikon që do të jenë edhe pallatet: “Administratorët e ndërtesave të banimit, me marrjen e vendimit të miratimit nga asambleja e bashkëpronarëve, sipas legjislacionit në fuqi, marrin masa shtesë sigurie sipas këtij ligji. Rregullat për bashkëpunimin midis administratorëve të ndërtesave të banimit, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Policisë së Shtetit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Bizneset që duhet të rrisin sigurinë:
Kategoritë e subjekteve, që detyrohen të marrin masa shtesë sigurie pas vlerësimit të analizës së rrezikut të bërë nga Policia e Shtetit:
– subjektet që kanë selinë e mjediset e punës dhe ushtrojnë aktivitetin tregtar në vende të ekspozuara ndaj rrezikut të shtuar për sigurinë;
– subjektet që kanë mbi 50 punonjës dhe/ose frekuentues, të cilët, në mënyrë të vazhdueshme, akomodohen apo frekuentojnë në të njëjtën kohë një mjedis të hapur ose të mbyllur;
– subjektet që ushtrojnë aktivitet tregtar nga ora 23:00–06:00;
– subjektet që kanë aktivitet ekonomik, xhiroja vjetore e së cilës është mbi 10 milionë lekë;
– subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit;
– subjektet që administrojnë mjedise të hapura apo të mbyllura për fëmijë, si: shkolla, kënde lojërash dhe që vlerësohen nga Policia e Shtetit si burim rreziku i shtuar;
– subjektet që kryejnë veprimtari të transportit publik për udhëtarët, nxënësit, studentët, si dhe transport të vlerave monetare dhe të mallrave të rrezikshme.

Artikulli paraprakShqiptarë marrin 35% të huave për mbijetesë
Artikulli tjetërTjetër kompani fantazmë italiane në Manzë për plehrat