Kundër meritokracisë

Ideja e një shoqërie që vlerëson talentin dhe punën nuk ka bërë të zhduken pabarazitë. Përkundrazi, ka krijuar elita të reja të privilegjuarish. Një artikull i filozofit Kwame Anthony Appiah

Michael Young ishte një fëmijë jo i dashur. I ati ishte muzikant dhe kritik muzikor australian; e ëma, e rritur në Irlandë, ishte një piktore bohémienne. Qenë nevrikë, të shkujdesur dhe shpesh grindeshin. I lindur në vitin 1915, Michael zbuloi shpejt se asnjëri nga të dy nuk kishte kohë që t’i përkushtohej. Një ditë, duke parë se prindërit dukej se i kishin harruar ditëlindjen, mendoi se e priste ndonjë surprizë. Në fakt, prindërit vërtet ia kishin harruar ditëlindjen, gjë që nuk ishte aspak për t’u habitur. Një herë i dëgjoi rastësisht të flisnin rreth mundësisë që ta jepnin për adoptim. Siç do të tregonte më pas, nuk e tejkaloi kurrë krejtësisht frikën e braktisjes. Gjithçka ndryshoi kur në moshën 14 vjecare Young u dërgua në një kolegj eksperimental në Dartington Hall, në jug të Anglisë.

I themeluar nga filantropët progresistë Leonard dhe Dorothy Elmhirst, institute synonte që të ndryshonte shoqërinë nëpërmjet ndryshimit të njerëzve. Për Young qe sikur të ishte i adoptuar, pasi çifti Elmhirst e trajtoi sikur të kishte fëmijë, duke e inkurajuar dhe mbështetur deri sa ndërruan jetë. Papritmas Young e pa veten pjesë e një elite ndërkombëtare që darkonte me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Franklin Delano Roosevelt dhe asistonte në bisedat midis Leonard dhe Henry Ford. I konsideruar një prej sociologëve më të rëndësishëm të ‘900, Young i ka çelur rrugën eksplorimit shkencor modern të marrëdhënieve sociale të klasës punëtore britanike. Por qëllimi i tij nuk ishte vetëm të studionte klasat sociale: donte të reduktonte dëmet që mund të shkaktonin.

Ideali i promovuar në Dartington Hall (kultivimi i personaliteteve dhe i aftësive, cilatdo qofshin ato) pengohej nga struktura britanike me klasa. Çfarë duhet t’ia zinte vendin hierarkisë së vjetër sociale, kaq e ngjashme systemin e kastave? Për shumë sot përgjigja është meritokracia, një term i krijuar 60 vite më parë pikërisht nga Young për të treguar një botë ku pushteti dhe privilegji jepen mbi bazën e meritës individuale dhe jo të origjinës sociale. Të frymëzuar nga ideali meritokratik, shumë ndanë një vizion të caktuar sesi duhej të organizoheshin hierarkitë e parasë dhe të prestigjit social. Mendojmë se një vend pune duhet t’i shkojë jo kujt ka kontaktet e duhura apo familjen me më shumë influencë, por atij që është më i kualifikuar për këtë punë, pavarësisht nga prejardhja e tij sociale. Nganjëherë pranojmë përjashtime, për shembull në rastin e diskriminimit pozitiv, që ndihmojnë për t’u zhdukur efektet e një diskriminimi të mëparshëm. Ama kemi të bëjmë me përjashtime të përkohshme: kur paragjykimet lidhur me seksin, etninë, klasën dhe kastën do të zhduken, përjashtimet nuk do të jenë më të legjitimuara.

E kemi refuzuar shoqërinë e vjetër me klasa dhe, duke u spostuar drejt idealit meritokratik, kemi besuar se kemi eliminuar çdo gjurmë të lënë nga hierarkitë e së kaluarës. Gjërat nuk shkuan tamam kështu dhe Young e kishte kuptuar. Young urrente shprehjen “shtet social” (thoshte se i kujtonte acidin fenik), por nuk kishte mbushur akoma të 30-at kur kontribuoi që të krijohej një i tillë. Si Drejtor i Zyrës së Kërkimeve të Partisë Laburiste britanike, shkori pjesë të konsiderueshme të manifestit që kontribuoi në fitoren elektorale të vitit 1945. I titulluar “Let Us Face the Future”, manifesti parashikonte “krijimin e commonwealth socialist të Britanisë së Madhe, të lirë, demokratik, efikas, progresist, i pajisur me ndjenjë civile, resurset materiale e të cilit vihen në shërbim të popullsisë britanike”.

Partia i mbajti premtimet: e çoi në 15 vjet detyrimin shkollor, forcoi arsimin për të rriturit, përmirësoi ndërtimet popullore, bëri falas arsimin publik dytësor, krijoi një shërbim kombëtar shëndetësor dhe u garantoi të gjithë përkrahjen sociale. Qe fillimi i një përmirësimi rrënjësor në jetën e klasës punëtore britanike. Sindikatat dhe ligjet e reja mundësuan që të reduktohej dita e punës e punëtorëve, duke bërë të rritej koha e tyre e lirë. Falë rritjes së të ardhurave, punëtorët blenë televizorë dhe frigoriferë. Gjërat ndryshuan edhe për fashat më të pasura, pjesërisht edhe falë tatimeve të reja mbi trashëgimitë. Në vitin 1949 Ministri laburist i Thesarit Staford Cripps (që me që ra fjala është gjyshi im) futi një tatim prej 80% mbi pasuritë prej të paktësh 1 milion stërlinash, ekuivalenti i 32 milion stërlinave të sotme (më shumë se 35 milion euro). Për dy gjenerata këto reforma sociale u gargantuan mbrojtje atyre që ishin pjesë e klasës punëtore dhe u mundësuan fëmijëve të tyre që të avancojnë në shkallën e vendeve të punës, të ardhurave dhe, për pasojë, brenda limiteve të caktuara, edhe në atë të prestigjit social. Young ishte thellësisht i vetëdijshëm për këto rezultate, por me po aq urtësi ua perceptonte limitet.

Tregues klasor

Pas Luftës së Dytë Botërore numri i të regjistruarve në universitetet britanike shpërtheu. Frekuentimi i universitetit u bë një prej treguesve kryesorë klasorë. Përkatësia e bibliotekarëve në klasën e mesme, pavarësisht rrogat e tyre të ulëta, i detyrohej faktit se arsimi i lartë ishte një kërkesë e profesionit. Nëqoftëse punëtorët në zinxhirin e montimit nuk kishin të njëjtin status, edhe pse fitonin më shumë, ishte sepse bënin një zanat që nuk kishte të njëjtën kërkesë. Vetëdija e klasës punëtore, e pranishme në vetë emrin e Partisë Laburiste britanike qysh nga themelimi i saj në vitin 1900, kishte lindur në një epokë mobilizimi të punëtorëve që mbronin interesat e tyre. kurse epoka e re e arsimit ishte ajo e mobilitetit social, e jakave blu që bëheshin të bardha. Mobiliteti do ta dobësonte vetëdijen klasore?

Këto pyetje e shqetësonin Young, që themeloi një institute për studimet mbi komunitetin në lagjen londineze Bethnal Green, dhe nga aty mbështeti lindjen dhe zhvillimin e dhjetëra programeve dhe organizatave në shërbim të nevojave sociale që vetë ai i kishte individualizuar. Consumers’ Association qe një ide e tij, ashtu si edhe revista e shoqatës, “Which?”, e cila ekziston akoma sot. Në vitin 1969 Young themeloi Open University, që qysh atëhere ka pasur më shumë se 2 milion studentë, duke u bërë institucioni kryesor akademik në Mbretërinë e Bashkuar për nga numri i të regjistruarve. Sipas Young, arsimi ishte i rëndësishëm jo vetëm pse mundësonte mobilitetin social, por sepse i bënte njerëzit qytetarë më të fortë, cilado që të ishte gjendja e tyre sociale, më rezistentë ndaj sulmeve të biznesmenëve apo të funksionarëve të qeverisë. Në vijim do të krijonte deri një shkollë për sipërmarrës social. Për vite me radhë u impenjua në forcimin e rrjeteve sociale – “kapitalit social”, siç e quajnë sot sociologët – e komuniteteve, të frikësuar nga kush rivendikon një fetë gjithmonë e më të madhe të pushtetit dhe të pasurisë në shoqëri.

Young e ndjente se hierarkitë klasore do t’u rezistonin reformave që donte të realizonte. E shpjegoi se në çfarë mënyre në të shumëshiturin e tij të dytë, “Ardhja e meritokracisë”, një vepër satirike e votuar më 1958. Si shumë fenomene të tjera, meritokracia ia detyron emrin e saj një kundërshtari. Libri i Young paraqitej si një tekst i shkruar në vitin 2033, ku një historian analizonte shoqërinë e re britanike të lindur në dekadat e mëparshme. Në atë të ardhme të largët, paratë dhe autoriteti fitoheshin, nuk trashëgoheshin. Klasa e re drejtuese përcaktohej nga formula “Koeficent Inteligjence (KI) + përpjekje = meritë”. Demokracia do t’ia linte vendin qeverisë së më inteligjentëve, “jo një aristokracie, jo një plutokracie të pasurisë, por një meritokracie të vërtetë të talentit”. Ishte hera e parë që fjala “meritokraci” lexohej e shtypur në në një faqe dhe libri donte të tregonte sesi do të ishte një shoqëri e ndërtuar mbi këtë parim.

Ideja e Young ishte patjetër distopike. Nëqoftëse pasuria pasqyrohet gjithnjë e më shumë shpërndarjen e talentit natyral dhe nëqoftësë pasanikët martohen gjithnjë e më shpesh midis tyre, shoqëria përfundon për t’u ndarë në dy klasa të mëdha, ku secila beson se ka atë që Meriton. Young imagjinonte një vend ku “njerëzit e shquar e dinë se suksesi është një shpërblim i drejtë për aftësitë dhe përpjekjet e tyre” dhe se kush zë shkallët më të ulëta e di se nuk i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i janë dhënë. “Janë vënë shumë herë në provë. Nëqoftëse janë damkosur në mënyrë të përsëritur si “gomarë”, nuk mund të kenë më pretendime. Imazhi që kanë për veten i afron me një reflektim besnik dhe pak tërheqës”, shkruante Young. Një prej ngecjeve të parë të sistemit është se “thuajse të gjithë prindërit do të provojnë për t’i favorizuar në mënyrë jo të ndershme fëmijët e tyre”.

Dhe në një situatë pabarazie të të ardhurave, është pikërisht një prej gjërave që paratë mundësojnë që të bëhet. Nëqoftëse kushtet ekonomike e prindërve kontribuojnë për të përcaktuar shpërblimet e fëmijëve, nuk jemi më në një shoqëri të bazuar mbi formulën “KI + përpjekje = meritë”. Siç e dimë, frikërat e Young qenë të bazuara. Midis familjeve amerikane, 20% më e pasur ka parë që t’i rriten të ardhurat bruto me 4000 dollarë midis viteve 1979 e 2013, 1000 dollarë më shumë sesa ajo e regjistruar nga pjesa tjetër e familjeve. Kur Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar morën masa për të favorizuar aksesin në arsimin e lartë, u mendua se do të sillte më shumë barazi. Por disa gjenerata më pas, shpjegojnë ekspertët, arsimi i lartë është shndërruar në një faktor shtresëzimi social.

Ekonomistët kanë zbuluar se shumë universitete të frekuentuara nga elitat (midis të cilëve Broën, Dartmouth, Penn, Princeton dhe Yale) pranojnë më shumë student nga 1% i shoqërisë që i përket fashës më të lartë se nga 60% e fashës më të ulët. Me pak fjalë, një prej mënyrave më të mira për të fituar një vend midis kujt ka më shumë para, pushtet dhe privilegje është të nisesh nga aty. “Meritokracia amerikane”, thekson Daniel Markovits, Docent i së Drejtës në Yale University, është “bërë saktësisht ajo për të cilën ishte krijuar të luftonte: një mekanizëm transmisioni dinastik pasurishë dhe privilegjesh”. Michael Young, që ka ndërruar jetë në vitin 2002 në moshën 86 vjeçare, ishte i vetëdijshëm për të gjithë këtë.

“Arsimi e ka vënë vulën e tij të miratimit mbi një pakicë”, shkruante, “dhe vulën e tij të mosaprovimit mbi shumë njerëz që nuk arrijnë të shkëlqejnë pasi kanë përfituar në klasat për nxënësit më pak të aftë, në moshën 7 vjeçare ose më parë”. Ato që duhej të ishin mekanizma mobiliteti qenë shndërruar kështjella privilegjesh. Young kishte parë të afirmohej një shpurë meritokratësh të interesuar vetëm për fitimin, padurueshmërisht të vetëkënaqur, shumë më tepër nga kush e di se e ka arritur një objektiv pse bir apo bijë e dikujt. Në raste të caktuara këta të sapoardhur besojnë deri se e kanë moralin nga ana e tyre. Guacka e “meritës”, vërente Young, vetëm sa i kishte bërë fitimtarët të pandjeshëm ndaj turpit dhe fajit.

 

Një korrent i populizmit

Në ndryshim nga britanikët, amerikanët nuk flasin shumë për vetëdijen e klasës punëtore. Ka që theksojnë se të gjithë amerikanët e konsiderojnë veten pjesë të klasës së mesme. Në realitet nuk është më kështu. Në një sondazh të kryer më 2014 nga National Opinion Research Center, qenë më të shumë njerëzit që e konsideronin vetën si pjesëtarë të klasës punëtore. Një korrent i populizmit që ka sjellë në pushtet Donald Trump ka qenë shprehje e mërisë ndaj një klasë të përcaktuar nga arsimimi dhe nga vlerat e saj, domethënë ndaj qytetarëve kozmopolitë dhe të shumëdiplomuar që dominojnë botën e informacionit, të kulturës dhe të profesioneve të specializuara. Siç ka nënvizuar Nat Silver pak pas presidencialeve të 2016, Hillary Clinton ka fituar 50 kontetë më të arsimuara, kurse Trump ka fituar 50 më pak të arsimuarat. Populistët mendojnë se elitat e majta i përçmojnë qytetarët e thjeshtë, i injorojnë shqetësimet e tyre dhe se e përdorin pushtetin në favor të vetes.

Ndoshta nuk përdorin shprehjen “klasë shoqërore e lartë”, por treguesit që përdorin për t’i përkufizuar këto elita – para, arsimim, marrëdhënie, pushtet – do të mundësonin që të identifikohej borgjezia e mesme dhe e lartë e ‘900. Shumë votues të bardhë të klasës punëtore provojnë një ndjenjë inferioriteti, që buron nga mungesa e arsimimit formal, dhe kjo mund të influencojë mbi pozicionet e tyre politike. Në vitet ‘60 e ’70 sociologët Richard Sennett dhe Jonathan Cobb i analizuan këto qëndrime në një libër të titulluar “The Hidden Injuries of Class”. Kjo ndjenjë dobësie nuk pengon që të ndjehen superior në mënyra të tjera. Përkundrazi: njerëzit e klasës punëtore shpesh i konsiderojnë njerëzit e borgjezisë mesme dhe të lartë sit ë dobët ose të padenjë. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e asaj që e quajmë klasë punëtore e bardhë është e bindur se nuk i meriton mundësitë që i janë mohuar.

Edhe pse i akuzojnë pakicat se janë të favorizuara padrejtësisht në kërkimin e punës apo në shpërndarjen e subvencioneve, këta njerëz nuk e gjejnë të padrejtë faktin se nuk mund të bëjnë punët për të cilat nuk mendojnë se janë të kualifikuar apo se paguhen më pak punët për të cilat janë kualifikuar. Sipas tyre, pakicat jetojnë me ndihma dhe, sipas disa burrave, edhe gratë janë padrejtësisht të avantazhuara. Ama askush nuk mendon se zgjidhja është të kërkohen më shumë ndihma për veten. Më shumë konsiderojnë mënyrën me të cilën trajtohen pakicat një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm: për ta, Shtetet e Bashkuara janë në pjesën më të madhe (dhe duhet të jenë plotësisht) një shoqëri ku mundësitë i shkojnë atij që i ka fituar. Nëqoftëse një sistem i ri dinastik po fillon të formësohet, mund të deduktojmë se meritokracia ka dështuar, pasi nuk është aq sa duhet meritokratike.

Nëqoftëse talenti vlerësohet në mënyrë efikase vetëm në fashat me të ardhura të larta, kjo ndoshta ndodh sepse nuk kemi qenë të aftë të realizojmë idealin meritokratik. Nuk do të jetë e mundur që të gjithë të kenë prindër të zot, por mund ta promovojmë në mënyrë më të vendosur meritën, duke garantuar që çdo fëmijë të ketë të njëjtat avantazhe në fushën e arsimit dhe të mësojë të njëjtat aftësi sociale që familjet e suksesshme ruajnë sot për fëmijët e tyre. Pse nuk mund të jetë kjo përgjigja e duhur? Sepse, shpjegon Young, problem nuk është vetëm mënyra me të cilën shpërndahen çmimet sociale.

Problem qëndron tek vetë çmimet. Një sistem me klasa i filtruar nga meritokracia mbetet një sistem me klasa: implikon një hierarki respekti social, duke ua njohur dinjitetin atyre që qëndrojnë në majë, por duke ua mohuar respektin (e të tjerëve dhe të vetes) atyre që nuk kanë trashëguar talentin dhe aftësitë e nevojshme, të kombinuara me një arsimim të mirë, për të pasur akses në profesionet më të shpërblyeshme. Për këtë arsye, autorët e “Manifestit të Chelsea” imagjinar të tij (që në “Ardhjen e meritokracisë” duhet të jetë akti i fundit i rezistencës ndaj rendit të ri) kërkojnë një shoqëri që “vepron mbi bazën e një pluralitei vlerash”, midis të cilave mirësjellja, kurajoja dhe ndjeshmëria, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësinë “të zhvillojnë aftësitë e tyre për të realizuar një jetë të pasur”. Të mbështetësh ekuacionin “KI + përpjekje = meritë” do të thotë të promovosh një pabarazi akoma edhe më të madhe.

Respekti për veten

Këtë vizion i botës alternative, ku secili prej nesh niset nga kapacitetet e veta dhe ndjek objektiva të ndryshëm, me respektimin e vetëvetes që kërkon secili objektiv, Young e kishte mësuar në Dartington Hall. Impenjimi i madh i tij në favor të barazisë sociale mund të duket donkishotesk, ashtu si projekte të caktuara shkollore utopike, megjithatë lind nga një reflektim i thellë filozofik. Detyra qëndrore e etikës është të pyesë se çfarë do të thotë të jetosh mirë. Një përgjigje e besueshme është se të jetosh mirë do të thotë të përballosh sfidën e paraqitur nga 3 gjëra: aftësitë tona, rrethanat në të cilat lindim dhe projektet që konsiderojmë të rëndësishëm. Nga momenti që secili prej nesh lind ne rrethana dhe me aftësi të ndryshme dhe pasi zgjedhim projekte të ndryshme, përballemi të gjithë me sfida të ndryshme.

Nuk ekziston një masë krahasuese vlerësimi që mundëson të përcaktohet se jeta ime është më e mirë se jotja. Young kishte të drejtë kur kritikonte idenë sipas së cilës “njerëzit mund të futen në një renditje të bazuar mbi vlerën”. Në fund, ajo që ka rëndësi nuk është ses klasifikohemi karshi të tjerëve. Nuk duhet të gjejmë diçka që e bëjmë më mirë se kushdo tjetër. Për kë përqafon filozofinë e Dartington Hall, ajo që ka rëndësi është thjesht që të bëjmë maksimumin tonë. Young e kishte kuptuar se ideali i meritokracisë ngatërron dy probleme të veçanta. I pari ka të bëjë me efiçencën, i dyti më vlerën njerëzore.

Në rast se duam që njerëzit të bëjnë punë komplekse që kërkojnë talent, arsim, impenjim formim dhe praktikë, atëhere duhet të individualizojmë kandidatët me kombinimin e duhur të aftësive, disponueshmërise dhe t’u japim stimuj në mënyrë që të formohen dhe të bëjnë praktikë. Duke parë që mundësitë e arsimit dhe punësimit do të jenë të kufizuara, duhet të gjejmë një mënyrë për t’i shpërndarë, parime përzgjedhjeje për t’ua dhënë njerëzve vendet e punës. Duhet të gjejmë edhe stimujt e duhur për të garantuar që të kryhet puna e nevojshme.

Nëqoftëse këto praime përzgjedhjeje do të jenë të mirëmenduara, mund të themi se kush u përgjigjet kërkesave për të hyrë në një punë apo për të siguruar një punë të caktuar e “Meriton” ta zërë atë vend punë. Për të përdorur zhargonin e dobishëm të filozofëve, bëhet fjalë për një çështje “merite institucionale”. Njerëzit i meritojnë këto vende pune ashtu si kush blen një biletë fituese llotarie e meriton shpërblimin: poste dhe shpërblim sigurohen duke zbatuar një tërësi të saktë rregullash.

Por merita insittucionale nuk ka të bëjë aspak me vlerën e brendshme të njerëzve të pranuar në një universitet apo të punësuar për një punë të caktuar, pikërisht ashtu si kush fiton llotarinë nuk ka më shumë merita nga kush humb. Edhe në nivelet më të larta të suksesit hyjnë në lojë shumë rrethana të rastësishme. Sikur Ajnshtajni të kishte lindur një shekull më parë, ndoshta nuk do të kishte dhënë asnjë kontribut themelor në fushën e tij të kërkimit. E njëjta gjë mund të thuhet për Mozartin, sikur të kishte lindur në fund të ‘800 dhe të kishte bërë muzikë dodekafonike.

Asnjëri nga të dy nuk do të kishte mundur të zhvillonte prirjet e tij sikur të ishte rritur midis fisit nukak në Amazonë. Natyrisht, edhe aftësia për të punuar fort është frut i edukimit dhe i cilësive të lindura. Kështu, as talenti, as impenjimi nuk janë diçka që njeriu i fiton. Për ta thënë me shprehjen prozaike të “Ardhjes së demokracisë”, kush “damkoset në mënyrë të përsëritur si “gomar”” ka megjithatë kapacitete dhe mund të përballojë sfidën e kryerjes së një jete plot domethënie. Jeta e kujt nuk ka sukses nuk ka më pak vlerë nga jeta e të tjerëve, por jo sepse ka të njëjtën vlerë apo një vlerë më të madhe. Thjesht, nuk ekziston asnjë mënyrë të arsyeshme për të krahasuar vlerën e jetëve njerëzore.

Nëqoftëse lëmë menjanë nocionin kontradiktor të “meritës”, atëhere panorama duket më e qartë. Paratë dhe prestigji social janë çmime që mund t’i inkurajojnë njerëzit të bëjnë gjërat që kërkojnë një impenjim. Në një shoqëri të mirëkolauduar, aftësitë zhvillohet, stimulohen dhe vihen në veprim në mënyrë efikase. Ndarja e pasurisë dhe e prestigjit është pashmangshmërisht e pabarabartë, pasi vetëm kështu këto çmime sociale mund ta luajnë rolin e tyre dhe të stimulojnë sjellje të caktuara njerëzore. Megjithatë, është e gabuar të mohohet jo vetëm merita, por edhe dinjiteti i atyre që në llotarinë gjenetike dhe në rrethanat historike të situatës së tyre kanë pasur më pak fat.

Sigurisht, njerëzit do të donin patjetër që të ndanin para dhe prestigj me ata që duan, duke kërkuar që të sigurojnë çmime ekonomike dhe sociale për fëmijët. Por për t’u siguruar avantazhe fëmijëve tanë, nuk duhet t’u mohojmë një jetë për të qenë fëmijëve të të tjerëve. Çdo fëmijë duhet të ketë akses në një arsim të mirë, të përshtatshëm me kapacitetet dhe me zgjedhjet e tij. Çdo fëmijë duhet të arrijë të ketë respekt për veten. Dimë shumë mirë sesi të vazhdojmë t’i demokratizojmë mundësitë e përparimit, anipse ka pak të ngjarë që në të ndodhë në kontekstin aktual britanik dhe amerikan. Megjithatë, këto masa qenë parashikuar në distopinë meritokratike të Young, ku pesha e trashëgimisë ishte e destinuar që të zhdukej. Mesazhi më i thellë i tij ishte që duhet t’i përkushtohemi një gjëje të re: të eliminojmë përbuzjen ndaj atyre që janë të dizavantazhuar nga etika e një konkurrence të bazuar mbi impenjimin.

“Është e arsyeshme t’u jepen vendet e punës njerëzve në bazë të meritës”, shkruante Young. “Është në fakt e paarësyeshme kur njerëzve të cilëve u njihet një meritë e caktuar të konsolidohen në një klasë të re sociale që nuk u lejon hapësirë të tjerëve”. Qëllimi nuk është të eliminohen hierarkitë dhe të nivelohet shoqëria. Jetojmë në një botë plot me herarki të pamatshme dhe qarkullimi i vlerësimit social do të avantazhojë gjithmonë romancierin më të mirë, matematikanin më të rëndësishëm biznesmenin më të zot, atletin më të shpejtë, sipërmarrësin social më efikas. Nuk mund ta kontrollojmë krejtësisht as shpërndarjen e kapitalit ekonomik, social e njerëzor, as të eliminojmë skemat e formuara nga mbivendosja e këtyre rrjeteve. Por identitetet klasore nuk duhet detyrimisht t’i internalizojnë plagët klasore. Rishikimi i mënyrave me të cilat konceptojmë vlerën njerëzore, duke e vënë në shërbim të barazisë morale, mbetet një ndërmarrje kolektive urgjente.

Mund të duket utopiste dhe është patjetër, nëqoftëse konsiderohet kjo ide në tërësinë e saj. Por askush nuk ishte më pragmatist sesa Young, krijues institucionesh par excellance. Sigurisht, shqetësimet e vetëdijes së tij qenë një reagim si ndaj të jetuarit të tij, ashtu edhe ndaj sistemit në të cilin jetonte. I shtruar në spital për një tumor në fazë terminale, u preokupua që të mësojë nëse emigrantët afrikanë që për llogari të një kompanie nënkontraktore shpërndanin ushqimin në institute merrnin apo jo pagë minimale. Por dhembshuria e tij ishte pandashme nga një shpirt energjik praktik. Nuk kufizohej të ëndërronte reduktimin e privilegjeve të trashëgueshme. Mori masa konkrete për t’i eliminuar, me shpresën që të gjithë qytetarët do të kishin mundësinë të zhvillonin “aftësitë e tyre të veçanta për të realizuar një jetë të pasur”. Ishte ajo që vetë ai kishte bërë. Në të ardhmen imagjinare të “Ardhjes së meritokracisë”, ekzistonte akoma një Dhomë Lordësh, por ishte e përbërë vetëm nga njerëz që qenë dalluar për kontributin e tyre ndaj shoqërisë (sot Dhoma e Lartë e Parlamentit britanik përbëhet pjesërisht nga njerëz me titull fisnikërie të trashëgueshëm apo një post ekleziast). Nëse ka një njeri që do ta meritonte një vend në këtë asamble imagjinare, ky është pikërisht Michael Young.

Dhoma e Lordëve

Ajo asamble ishte në antipodet e Dhomës së Lordëve që Young kishte njohur në rininë e tij dhe është ndoshta një prej motiveve për të cilën në vitet ’40 mentori i tij Leonard Elmhirst e refuzoi këtë titull fisnikërie. Siç u tha njerëzve që e frekuentonin, “për mua, pranimi do të kishte qenë një zgjedhje e vështirë për t’u shpjeguar dhe, nga miqtë e mi, për t’u kuptuar”. Kështu pra është e habitshme që Young, kur ju propozua titulli më 1978, e pranoi. Natyrisht, zgjodhi për veten atë të Baronit Young të Dartington, në nderim të institucionit që i kish shërbyer si administrator qysh kur ishte 27 vjeç. Young e shfrytëzoi këtë mundësi që të fliste për tema të cilat i kishte për zemër në Dhomën e Lartë të Parlamentit britanik. Për ironi të fatit, njëra prej arsyeve kryesore pse e pranoi titullin (“me maturinë e duhur”, u shpjegonte miqve të tij) ishte se mezi arrinte të paguante për spostimet midis Londrës dhe shtëpisë së tij në fshat. Lordët jo vetëm që përfitonin një mëditje kur ishin të pranishëm në Dhomë, por kishin të drejtën edhe të një aboneje për të udhëtuar falas me tren. Michael Young u fut në aristokraci sepse kishte nevojë për para.

(Kwame Anthony Appiah është një filozof dhe shkrimtar britanik me origjinë ganeze).

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakFitimet marramendëse të Leicester City nga shitjet e lojtarëve
Artikulli tjetërGjumi ynë i humbur