Kukulla e Tiranës

Bledi KASMI

Sa shumë pesimizëm ka sot. Vjen nga lajmet dëshpëruese, vjen nga mosreagimi, vjen nga tulatja, vjen nga konformizmi me të keqen, nga zhgënjimi apo mosshikimi i një drite në tunelin e errët ku jemi futur. Të gjitha mund të jenë të vërteta në këtë realitet që bëhet gjithnjë dhe më mbytës, por shpresa nuk mund të vdesë bashkë me lajmet e hidhura.
Ky që është në pushtet mendon se tregoi dje forcë duke shkarkuar Shkullakun nga drejtimi i ABC-news, një gazetar kritik me qeverinë, më pas duke sulmuar Ora-News dhe duke ndërhyrë edhe brenda një tjetër gazete. Reagimet e para në rrjetet sociale nuk i kursenin dozat e fatalizmit të rënies së pushtetit të medias në batakun e organizatës kriminale që drejton vendin.
Vendimet e djeshme provojnë se liria e medias për pjesën më të madhe të shtypit u jepka me tollon nga zyra e Kryeministrit. Pyetja që shtrohet në këtë fillim viti elektoral është se përse Rama po sillet si një vrasës me pagesë që detyron të tjerët të ekzekutojnë urdhrat e tij. Përgjigjja është e thjeshtë; ai ka frikë. E ka pushtuar paniku i së nesërmes dhe po ekzekuton armiqtë imagjinarë.
Ai shikon fundosjen dhe kjo e bën të humbasë arsyen. Ditët dhe javët e ardhshme do të kthehen në një ferr të vërtetë për të.
Ai ka ngritur një ushtri mercenarësh, të mirarmatosur, të mirëpaguar, të mirushqyer, por ka një problem të madh. Aq i madh është ky problem sa ai nuk e zgjidh dot. Ramës i ka vdekur garanti. Mos e harroni këtë.
Ai nuk ka më garantin që e lejonte të grabiste votat me ushtarë të krimit. Nuk e ka më garantin që i jepte bekimin që Parlamentin ta mbushte me vrasës, trafikantë droge dhe prostitutash. Atij i ka ikur siguresa e kësaj paprekshmërie edhe për aferat e pafundme korruptive dhe koncesionet e grabitjes së madhe të shqiptarëve dhe e kupton se po afron ora ku do të duhet të japë përgjigje, ndaj thjesht po bën atë që bëjnë të gjithë diktatorët në orët e fundit të regjimeve.
Sorosi vdiq, por ka lënë litarin varur për Ramën. Kjo ikje e njeriut pas të cilit ai ishte lidhur aq fort për të krijuar pushtetin okult personal në këtë vend e ka kapur Ramën të papërgatitur, ndaj ai po reagon në mënyrë kaotike dhe po kërkon të forcojë radhët e një armate me gjak të ri besnikësh. Ai synon të ngjallë frikë përmes vendimeve që po merr si ai i djeshmi. Të tregojë forcë, kur në të vërtetë, ai është sot një kufomë politike që gjallon me afat të përcaktuar.
Bota po zgjohet. Amerika po ringrihet dhe era që ndjehet është ajo e një epoke të re që po lind e ngjashme me atë të revolucionit të madh të rrëzimit të Murit të Berlinit. A mund t’i shpëtojë kjo “kukull” e Tiranës këtij ndryshimi të madh? Shanset që t’i shpëtojë janë po aq sa i kishte edhe Ramiz Alia më ‘90. Ai do të bëjë zvarranikun, do të tentojë të tregojë dhëmbët dhe do të na hiqet si një tigër prej letre, por nuk do të mund t’i shpëtojë fundit të dhimbshëm. Zgjatimi i establishmentit të së keqes do të shkatërrohet dhe kjo është vetëm çështje kohe.
Nuk ka vend për pezmatim dhe as për fatalizëm. Të shkruaje në Shqipëri për fitoren e Trump deri një muaj më parë ishte thuajse çmenduri. Të kritikoje Sorosin thuajse ishte herezi. Ne u bëmë palë me këtë ndryshim epokal. Kështu mund të duket edhe tani kur parashikojmë fundin e Ramës, që për shumëkënd duket i pamundur, por vetëm pak durim dhe ashtu sikurse ndodhën dy të parat, rregulli i treshit do të funksionojë kësaj here. Kukulla e Tiranës do të rrëzohet.

Artikulli paraprakTë vërtetat e Bulevardit të Ri
Artikulli tjetërFaqja e pare