I kujt ishte faji në Sharlotsvill?

Presidenti Donald Trump mbrojti me forcë atë që shumë njerëz e quajtën një deklaratë të dobët të tij për dënimin e dhunës racore të së shtunës në Sharlotsvill të Virxhinias. Duke komentuar përsëri të martën pasdite për dhunën në Virxhinia, ai tha se ka mjaftueshëm arsye për t’i ngarkuar me faj të dyja palët.
Kritikët e presidentit thonë se atij iu deshën dy ditë për të përdorur fjalët neo-nazistë, Ku Klux Klan dhe supremacistë të bardhë kur dënoi trazirat, në të cilat gjeti vdekjen një grua, dy oficerë policie të shtetit Virginia dhe u plagosën dhjetëra njerëz të tjerë.
Duke folur në Kullën Trump të Nju Jorkut, përballë pyetjeve të gazetarëve që jehonin në hollin e ndërtesës, Presidenti tha se nuk i kishte patur “të gjitha faktet”, kur bëri deklaratën e tij të parë menjëherë pas trazirave në Sharlotsvill.
Ai tha se donte të sigurohej se, ajo që do të thoshte do të ishte e saktë dhe jo thjesht të dilte me një deklaratë politike.
Zoti Trump tha se, deklarata më e detajuar që ai lëshoi të hënën u bë duke patur “informacion të saktë”.
Në një debat të nxehtë me atë që ai e quajti përsëri “media e rreme”, zoti Trump i cilësoi anti-protestuesit e tubimit të së shtunës “e majta alternative”, që nuk kishte leje për të marshuar, por që iu vërsul protestuesve të së djathtës ekstreme me shkopinj, e gatshme për të luftuar.
Presidenti tha se, jo të gjithë protestuesit në anën e së djathtës ekstreme ishin neo-nazistët dhe nacionalistë të bardhë. Ai tha se disa prej tyre ishin njerëz të mirë, të cilët erdhën në Sharlotsvill për të protestuar kundër planeve të qytetit për të hequr një statujë të gjeneralit të Konfederatës Robert E. Lee, gjatë Luftës Civile amerikane.
Presidenti iu shmang pyetjes së një gazetareje nëse ai mendote se statuja e gjeneralit Lee duhet të mbetej. Zoti Trump i kujtoi asaj se George Washingtoni dhe Thomas Jeffersoni, të cilët konsiderohen si heronj dhe udhëheqës progresivë amerikanë, ishin që të dy pronarë skllevërish.
Shoferin që dyshohet se vrau me makinë 32-vjeçaren Heather Heyer dhe që ishte simpatizant i nazistëve, Presidenti Trump e quajti “vrasës, një turp për veten e tij dhe për vendin”. Ai tha se Heyer ishte “një vajzë e re fantastike dhe e shkëlqyer”.
Presidenti Trump tha se, krijimi i vendeve të punës është një zgjidhje për të kapërcyer racizmin, duke thënë se njerëzit duan punë të mira dhe me pagë të mirë.

Nisma kundër urrejtjes

Lagjia Del Ray në Aleksandria, Virxhinia, e sheh veten si një vend që u takon të gjithëve, por kjo atmosferë paqësore dhe mikpritëse u vu në pikëpyetje një ditë, kur qytetarët gjetën postera urrejtjeje kundër njerëzve me ngjyrë, myslimanëve dhe grupeve të tjera, në dyert e shtëpive dhe bizneseve të tyre.
“Kjo urrejtje dhe këto mendime negative nuk kanë lidhje me Del Ray-n, të paktën jo me komunitetin ku jetoj unë me të fejuarin”, thotë banorja e lagjes “Del Ray”, Nelle Champlin-Scanelle. Bizneset vendase u kundërpërgjigjën me posterat e tyre.
“Kjo pankartë është për të treguar se, ky komunitet më ka adoptuar dhe tashmë jam pjesë e tij, kështu që do t’i përkrah kundër çdo akti racizmi”, thotë Petros Ghebre-Egziabher, pronar i dyqanit “Dolce and Bean”.
“Urrejtja nuk është tipar i kësaj lagjeje, ku të gjithë njihemi me njëri-tjetrin. Ne jemi miq, kolegë dhe ky është një sulm personal ndaj të gjithëve ne”, thotë Stephany Wright, pronare e një dyqani arti. Del Ray njihet si një lagje miqësore dhe tolerante, ku mesazhet e urrejtjes dhe intolerancës janë të papranueshme.
“Fjala e lirë mbrohet nga Kushtetuta e Amerikës, por jo kur bëhet fjalë për gjuhën e urrejtjes”, thotë Presidenti i Shoqatës së Qytetarëve të “Del Ray”, Rod Kuckro.
Tabelat në Farmacinë e Lagjes tregojnë se kushdo është i mikpritur aty. Bashkëpronarja, Stacey Swartz, thotë se farmacia ka një staf të larmishëm.
“Këtu kemi punonjës latinë, myslimanë, persë, nga të gjitha racat. Duam që edhe klientët të ndihen të mirëpritur”, thotë zonja Swartz. “Kundër dhunës” është mesazhi i vendosur jashtë këtij dyqani me ushqime dhe aksesorë për qentë. Që prej zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, pronari i dyqanit, Paul Haire, beson se gjuha e urrejtjes ka dalë jashtë kontrollit.
“S’ka rëndësi kush e nisi këtë lojë urrejtjeje, por ajo duhet të marrë fund sa më parë”. Në Del Ray, përfundon ai, komuniteti jeton çdo ditë me moton “kundër urrejtjes”.

Artikulli paraprakKush e furnizoi Korenë e Veriut me motorë raketash?
Artikulli tjetërAferat me Ramën, Soros interesa në naftën shqiptare