Ku përfundoi sistemi rus i mbrojtjes në Siri?

Para gjashtë muajsh, duke e konfirmuar vendosjen e sistemeve më të reja të mbrojtjes raketore në Siri, të tipit S-300 dhe S-400, presidenca e Rusisë ishte shprehur krenare se i kishte siguruar bazat ajrore në këtë vend nga sulmet raketore amerikane.
Por, pas sulmeve të djeshme amerikane me raketat e tipit Tomahawk, kundër bazës ajrore siriane, Shajrat, ku është i vendosur një numër i personelit ushtarak rus, shtetasit e shqetësuar të Rusisë në rrjetet sociale kanë pyetur: “Ku në djall ishin sistemet e lavdëruara S-400”? “Unë jam i vetmi që nuk e kuptoj se përse sistemi ynë, S-400, nuk i ka rrëzuar raketat amerikane”, ka pyetur një shfrytëzues në rrjetin Twitter.

Sistemi u vendos në Siri pas rrëzimit të aeroplanit nga Turqia

Së pari, Kremlini i kishte vendosur sistemet “Triumph” S-400, në Siri në vitin 2015, pasi Turqia në nëntor të atij viti e kishte rrëzuar një aeroplan ushtarak rus, për të cilin Ankaraja pati thënë se kishte qëndruar në hapësirën ajrore të Turqisë.
Ky sistem e përdor një pako të katër tipeve të ndryshme të raketave që mund të lansohen nga tipe të ndryshme të armatimeve dhe aeroplanëve.
Njëri e ka rreze veprimin prej 400 kilometrave, tjetri vetëm 40 kilometra. Ky sistem ka kapacitet për të rrëzuar aeroplanë, fluturake pa ekuipazh dhe raketa speciale, përfshirë ato Tomahawk, pati raportuar në atë kohë agjencia shtetërore e lajmeve, RIA.

Shpjegime të ndryshme të analistëve ushtarakë

Megjithatë, analistët ushtarakë rusë dhe perëndimorë, thonë se sistemi ishte i pozicionuar shumë larg nga baza ajrore, Shajrat, për të qenë efektive kundër sulmit të djeshëm amerikan, në të cilin u përdorën raketat e avancuara që fluturojnë pothuajse pesë metra mbi tokë, me shpejtësi pak më të vogël se të zërit dhe udhëhiqen nga kompjuteri i vet.
“Të gjitha këto biseda se ne e kemi siguruar gjithë hapësirën ajrore siriane, është një fishkëllimë artistike”, tha analisti ushtarak moskovit, Pavel Felgengauer, dhe ka sugjeruar se deklaratat për përforcim, kishin për qëllim ta rrisin shitjen e armatimit që paraqitej në Siri.
“Ata me siguri nuk mund t’i interceptojnë raketat e përmendura në atë distancë nga lokacioni i tyre”, tha Felgengauer, dhe ka shtuar se “më së shumti që mund të bëhet, është të mbrohet afrimi në bazë, ku ata janë të vendosur”.
Analisti i mbrojtjes nga Instituti i Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore, me seli në Londër, Justin Bronk, pajtohet me këto konstatime, duke thënë se pavarësisht se sa të sofistikuar janë radarët e tipit S-400, që e mbulojnë lartësinë deri në 400 kilometra, ky sistem mund të ketë probleme me caqet që fluturojnë ulët.
“Çfarëdo terreni i ashpër ndërmjet radarit dhe kursit fluturues të raketës, do ta parandaloj atë sistem që të aktivizohet”, thotë eksperti Bronk.
“Po ashtu, derisa S-400 ishte shpallur se ka kapacitet kundër-raketor, ai është më tepër i përshtatur kundër raketave balistike, që vijnë nga këndet shumë të larta, shumë shpejt, dhe për aeroplanët e tjerë taktikë”, thotë Bronk, duke shtuar se ky sistem është më tepër i përgatitur “për këto lloje të caqeve më tepër se sa kundër raketave me shpejtësi pak më të vogël se të zërit dhe që fluturojnë ulët”.
Një vëzhgues tjetër, megjithatë, e ka lënë të hapur mundësinë që sistemi ka mundur të funksionoj shumë mirë, por Moska ka vendosur që të mos e aktivizojë atë.
Analisti ushtarak nga Moska, Aleksandr Golts, ka theksuar se zyrtarët ushtarakë amerikanë i kanë bërë me dije forcat ruse para sulmit me qëllim që t’i minimizojnë humbjet në personelin rus dhe sirian, në harmoni me memorandum për siguri në hapësirën ajrore, ndërmjet Rusisë dhe koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Siri, që po ndërmerr fushatë të ndarë të sulmeve ajrore në këtë vend.
“Ne nuk e dimë nëse ushtria ruse nuk ishte në gjendje ose nuk dëshironte ta bënte një gjë të tillë”, thotë Golts dhe shton se “nga ajo që mund të shohim, memorandumi për parandalimin e incidenteve është operues dhe amerikanët e respektuan atë duke e informuar Rusinë dy orë para sulmit”.
Sipas tij, në këtë situatë, ne nuk e dijmë nëse Rusia ka dëshiruar ose nuk ka dëshiruar ta përdorë sistemin e vet mbrojtës”.

Bizhev: Amerikanët nuk janë idiotë

Aytech Bizhev, ish-zëvendëskomandant i Forcës ajrore ruse, i tha agjencisë Interfax, se “kursi i fluturimit ishte bërë për t’i anashkaluar sistemet tona mbrojtëse, në mënyrë që ata nuk do të hynin në rrezen e veprimit tonë sulmues” dhe ka shtuar se “amerikanët, po ashtu, nuk janë idiotë”.
Sipas tij, raketat e tipit Tomahawk, do të ishin më pak efketive sikur të kishin hyrë në rrezen e veprimit të mbrojtjes ajrore ruse.

A është Moska e siguruar nga S-300 dhe S-400?

Zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, tha se Rusia do ta përforcoj mbrojtjen ajrore të Sirisë “shumë shpejtë, me qëllim që t’i mbrojë objektet më të ndjeshme të infrastrukturës siriane”, ka raportuar agjencia Interfax.
Megjithatë, joefikasiteti i perceptuar i sistemit S-400 ka shkaktuar shpërthim të komenteve sarkastike në rrjetet sociale në gjuhën ruse, ndërsa një shfrytëzues në Twitter ka shkruar: “dëgjoni, dëshiroj vetëm ta verifikoj – a është, po ashtu, Moska e siguruar nga S-300 dhe S-400”?

Skema e re e luftës në Siri pas bombardimit amerikan

Ministri i Jashtëm i Britanisë, Boris Johnson, anuloi sot planet për vizitë në Moskë, disa orë para se të nisej nga Londra, në një kohë kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë shtuar.
Udhëheqësit rusë, të cilët e kanë cilësuar si akt të paligjshëm sulmin amerikan në kundërpërgjigje të përdorimit të armëve kimike nga regjimi i Asadit në Siri, i acaruan akuzat të premten. Kryeministri rus Dmitri Medvedev paralajmëroi Amerikën se është “një hap larg përplasjes ushtarake me Rusinë”.
Në një demonstrim force, një fregatë ruse e pajisur me raketa kruz, njoftohet se është nisur drejt Mesdheut. Sipas medias shtetërore ruse, mjeti lundrues do të ankorojë në Tartus të Sirisë.
Rusia është zotuar gjithashtu të forcojë mbrojtjen ajrore siriane.
Sekretari i Jashtëm britanik Johnson e njoftoi anulimin e planeve për vizitë në Moskë përmes Twitterit, duke thënë se në këto momente përparësia e tij janë bisedimet me aleatët perëndimorë mbi Sirinë dhe mbështetjen ruse për Asadin.
Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse e cilësoi anulimin e vizitës si një sjellje absurde.
Ndërkaq, aktivistë sirianë njoftojnë se avionë luftarakë të qeverisë siriane goditën qytetin Khan Sheikhoun, të kontrolluar nga kryengritësit. Ky qytet ishte skenë e sulmit të kësaj jave me armë kimike nga regjimi sirian.
Besohet se avionët që kryen sulmin sot ishin ngritur nga bazae ushtrisë siriane, al-Shairat, e cila u godit së fundmi nga raketat amerikane.
Goditja amerikane me raketa Tomahawk kundër bazës së ushtrisë siriane të premten po sinjalizon një ndryshim në vendim-marrjen e administratës Trump si dhe një ripozicionim forcash në luftën e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS.
Prej shumë muajsh koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po respektonte një balancë delikate, duke goditur grupet ekstremiste në Sirinë veriore, ndërsa ndiqte në mënyrë pasive bashkëpunimin e forcave siriane dhe njësive ajrore ruse në luftë kundër ISIS në vend.
Goditja amerikane e së premtes mund të mobilizojë një angazhim të ri kundër ISIS, thonë analistët; aktualisht po vërehet një ofensivë më e fortë e forcave kurde drejt jugut, ndërkohë që janë mobilizuar më intensivisht edhe njësitë turke grupe paraushtarake suni.
Por goditja e së premtes ka tronditur balancën delikate diplomatike me rusët. Moska ka pezulluar marrëveshjen e sigurisë së fluturimeve që synon të shmangë incidente mes forcave ajrore amerikane dhe ruse gjatë operacioneve në zonë.

Artikulli paraprakTensionet Uashington-Moskë në prag të vizitës së Sekretarit Tillerson
Artikulli tjetërMedia italiane: Mister, kufomat e peshkatarëve italianë në Vlorë