Kryeprokurorja e Ramës është kallëzuar për 3 vepra penale

Arta Marku që u zgjodh dje në krye të Prokurorisë së Përgjithshme me 69 vota të Partisë Socialiste rezulton e kallëzuar penalisht në korrik të vitit 2008. Lapsi.al publikoi dje dokumentin që e fakton këtë gjë. Prokurorja e Shkodrës akuzohet për tre vepra penale pas një inspektimi të bërë nga Ministria e Drejtësisë, e cila asokohe drejtohej nga Enkelejd Alibeaj. Në kohën që ka qenë prokurore në Shkodër, Arta Marku ka lënë padrejtësisht në burg për 2 muaj dhe 13 ditë shtetasin Arben Ndoja.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ajo ka konsumuar këto vepra penale. ‘Heqje e padrejtë e lirisë’, ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Kryerja e veprimeve arbitrare ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve’.
Sipas Kodit Penal, për këto vepra dënimi është si më poshtë:
Dënim me gjobë deri në një vit burg për ‘Heqje të paligjshme të lirisë’.
Burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë për ‘Shpërdorim detyre’.
Gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet për “Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve”.
Arta Marku do të mbahet mend si kryeprokurorja e zgjedhur mes tymit dhe flakës në Kuvendin e Shqipërisë. Në seancën e sotme, deputetët e opozitës hodhën tymuese në sallë dhe sende të tjera kundër Kryeministrit. Opozita thotë se Rama kërkon të kapë sistemin e drejtësisë dhe të mbyllë dosjet e korrupsionit.
Ndërkohë pavarësisht këtyre akuzave, ndërkombëtarët janë reshtuar pro qeverisë. Pas zgjedhjes së Arta Markut në krye të organit të akuzës, ambasada e SHBA bëri një deklaratë ku dënoi aktet e dhunës, si dhe shfrytëzoi sërish rastin për të sulmuar Adriatik Llallën, të cilin e cilësoi si kryeprokurori që hezitoi të hetonte politikanët.
Arta Marku u përfol që prej momentit të parë që kandidoi si e zgjedhura e Ramës. Ajo është nxitur dhe mbështetur për kandidimin prej Ulsi Manjës, kreu i Komisionit të Ligjeve dhe zyrtarë të tjerë të mazhorancës. Në dokument faktohet kallëzimi penal i bërë ndaj Arta Markut gati 10 vjet më parë.

Artikulli paraprakNë Vdekjen e Republikës së Tretë
Artikulli tjetërDëshmia: Policët më tërhoqën zvarrë e më lanë në mes të rrugës