“Kryeministri më intimidoi në telefon”, flet pedagogia Ilirjana Kuçana

Pas denoncimit të bërë në “Faxweb.al” nga Ilirjana Kuçana, ku tha se është telefonuar dhe intimiduar nga Kryeministri Edi Rama, ajo ka vijuar mbështetjen e studentëve për plotësimin e kërkesave të tyre.
E ftuar në studion e televizionit “Fax News”, Ilirjana Kuçana u shpreh se për aq kohë sa nuk do të kemi arsim falas, vendi do të jetë në kaos.
Më tej ajo kërkoi që ministrja Nikolla duhet të japë dorëheqje.
Duke u ndalur tek telefonata me Kryeministrin, i cili i ka thënë se Rektorin Konin e keni zgjedhur vetë, u shpreh: “Ata u bënë bashkë dhe e shkelën ligjin me të dy këmbët. Vërtetë ne e kemi zgjedhur Rektorin, por nuk mbështetën paligjshmërinë, shkeljen e ligjit të Arsimit të Lartë”.
Në vijim pedagogia e Universitetit të Tiranës Kuçana, u shpreh, “jam në mbështetje të studentëve e jo vendimmarrësve”.
Duke u ndalur tek ndarja në dy grupe e studentëve, ajo tha se “Nuk janë, janë më të bashkuar se kurrë, por kanë vendosur që një pjesë të jetë tek Kryeministria e një pjesë tjetër tek Ministria e Arsimit”.
Pedagogia Kuçana u ndal tek telefonata intimiduese e Kryeministrit Rama, ku tha:
“Unë jam në mbështjetje të studentëve. E ndjej veten shumë të vogël para studentëve. Nuk kam pasur kërcënim, por kam pasur komunikim. Ai është përpjekur të më bindë, të më intimidojë që të jem pjesë e dialogut në Kryeministri.
Më kërkoi të jem pjesë e një dialogu, që unë t’i bind studentët që të jenë pjesë e dialogut. Por kjo nuk është në vendimarrjen time. Ata e kanë nisur vetë dhe vetë po e vijojnë”.
Ajo shtoi: “I nisa problemet që ka ligji, madje ia nisa edhe me shkrim dhe i thashë se e gjithë kjo e ka një përgjegjës, duke nisur nga Ministria”.

Artikulli paraprakStudentët nxjerrin fotot: Personat e lidhur me qeverinë dhe PS-në marrin fondet e ekselencës
Artikulli tjetërShkodra proteston: “Ulni çmimin e dritave ose do t’u ulim automatin”