Kryeministër “out”!

Nga Luçiano BOÇI

Sa herë dëgjoj Ramën për Arsim më krijon një gjendje neverie të mbushur me revoltë.

Sot sipas tij, fajin për situatë në arsim e kanë disa drejtorë që janë “out”.

Me këtë kërkoi t’i vendoste kapak buxhetit qesharak për arsimin.

Realisht drejtorët janë aty për meritat që u ka dhënë vetë Rama.

Një pjesë e mirë janë të komanduar, ose të katapultuar politikisht me proces zgjedhor fallco.

Një pjesë tjetër e madhe fare, janë aty se me zellin e patronazhistëve dërguan me dhunë vota për PS, duke mbledhur karta identiteti të prindërve nga mësues që i kërcënonin me vendin e punës.

Një pjesë tjetër vazhdojnë të jenë aty për lidhjet e ngushta që kanë me njerëzit e politikës së zonës ku ndodhen.

Fare pak, një minorancë në zhdukje për merita profesionale.

Pra qartësisht ato nuk janë “out”, sepse të tillë i do partia, militantë, dallkaukë e eunukë njerëzorë.

Out është Kryeministri:
– Asnjëherë dhe kurrë nuk e konsideroi arsimin prioritet kombëtar.
– Asnjëherë dhe kurrë nuk rriti buxhetin për arsimin në raport me PPB.
– Asnjëherë dhe kurrë nuk realizoi një reformë efikase në arsim.
– Asnjëherë dhe kurrë nuk foli dhe investoi për edukimin në arsimin parauniversitar.
– Asnjëherë dhe kurrë nuk mbështeti universitetet publike e pedagogët.
– Përçmimi e inferioriteti i tij për shkencën është absolut.

Jo vetëm kaq:
– Rritja e pagave të mësuesve ndjek ritmin e breshkës, ndërsa shpenzimet e mësuesve për arsye të profesionit thyejnë rekord, sepse mungon çdo mbështetje.
– Tekstet, jo thjesht duhen korrektuar, por duhen përmbysur për shkak të nivelit skandaloz.
– Programet dhe kurrikulat duhen rishikuar krejtesisht për të përfshirë jo thjesht tenisin që do ketë fatin e shahut, por për të përfshirë aty lëndët themelore TIK që lidhen me programimin.

Dhe jo vetëm Kryeministri është “out”, por dhe sistemi arsimor që ai ka imponuar është “out”.
Mësuesi sot ka humbur çdo autoritet.
Marrëdheniet midis tij dhe nxënësit janë të shprishura. Prindi nuk konsiderohet fare.
Modeli i transmetimit mekanik të dijes është dominant. Edukimi është i fikur.

Arsimi i mesëm duket se nuk ndjek ritmin e arsimit 9-vjeçar.
Ndërsa Arsimi i lartë është krejt inercik.

Prandaj na duhet një kapërcim themelor, një revolucion arsimor si mjeti i vetëm që ky vend të shpëtojë të ardhmen e tij.
Hapi i parë është largimi i Kryeministrit “out”!

Artikulli paraprakBasha poston videon: Sali Berisha nuk e ka luftën me mua, e ka me SHBA për interesat e tij personale
Artikulli tjetërKrimi bën ligjin, vriten me breshëri plumbash dy persona në Tiranë