Kryemadhi: Dëshpërimi ekonomik po mbyt shqiptarët

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka pasqyruar disa nga sfidat e shumta të Shqipërisë, në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Në artikullin e saj, “Politikë e Re për Gjeneratën e Re të Shqipërisë” për prestigjiozen, “European Interest”, Kryemadhi thekson se pavarësisht ndryshimeve që vendi ka përjetuar në 27 vitet e fundit, që nga përmbysja e diktaturës së Hoxhës, qeveria dhe elita e saj politike nuk kanë qenë të afta të përmbushin pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë. “Ekonomia shqiptare ka vuajtur për dekada të tëra, pasi pasuria është përqendruar gjithnjë e më shumë tek elitat e Shqipërisë, në kurriz të familjeve të thjeshta shqiptare. Ky dëshpërim ekonomik ka detyruar një numër të konsiderueshëm shqiptarësh të lëvizin jashtë vendit. Së paku 1/3 e popullsisë së saj ka emigruar në BE dhe në mbarë botën, si dhe 300,000 shqiptarë kanë ikur nga vendi vetëm në 4 vitet e fundit”, shkruan Kryemadhi. Ekonomia shqiptare, sipas Kryemadhit, ka qenë e varur për shumë vite nga dërgesat e emigrantëve shqiptarë në Evropë dhe më gjerë. “Megjithatë, ky burim i financimit për konsumin e brendshëm dhe investimet private është shteruar dukshëm kohët e fundit. Ndërlikimi i mëtejshëm i situatës ekonomike të Shqipërisë është përpjekja e dështuar për të tërhequr Investimet e Huaja Direkte, kryesisht për shkak të pamundësisë së krijimit të një modeli ekonomik me kornizën e duhur fiskale dhe ligjore, e gatshme për të tërhequr investitorë të huaj strategjikë”, shkruan kryetarja e LSI. Kryemadhi shpreh besimin se sot, shoqëria shqiptare po përballet me një çështje ekzistenciale, pasi të gjithë të rinjtë shqiptarë kanë të drejtën për të bërë zgjedhjen e tyre personale: ose të qëndrojnë në Shqipëri për të kontribuar në ndërtimin e vendit tonë ose të largohen nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë. “Kryesisht është në dorën tonë, si politikanë, nëse ne do të jemi të aftë të japim përgjigjet e duhura, drejtimin e qartë dhe motivimin solid karshi pritshmërive të të rinjve tanë, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë vendin tonë brenda një kohe të shkurtër, për të krijuar një Shqipëri më të mirë dhe më të begatë”, mbyll shkrim e saj Kryemadhi.

 

Artikulli paraprakShehu: Një votë absurde kundër SHBA
Artikulli tjetërBorxhi, Qeveria pranon se po çon vendin drejt falimentimit