Kryebashkiaku i Lezhës në Apel, Frrokaj: Jam totalisht i pafajshëm. Avokati: Nuk ka asnjë lidhje me akuzat!

Gjykata e Apelit të Shkodrës do të vendosë sot për masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Lezhës Fran Frrokaj. Ky i fundit ka apeluar masën e sigurisë “arrest shtëpiak” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë në datë 19 mars. Frrokaj kërkon që të mos ketë asnjë kufizim dhe hetimi të bëhet në gjendje të lirë.
Gjyqi nga Frrokaj ka nisur rreth orës 10:50, ndërsa në seance mungon nënkryetari i bashkisë Enver Hafizi. Ai ka paraqitur prokurore perfaqesimi me avokat. Në seancë mungon edhe kryetari i qarkut Gjoke Ndoka, i cili perfaqesohet nga 2 avokatet.
Relatore e çështjes është gjyqtarja Valbona Vata dhe prokuror Brahim Ndragjoshi. Prokurori kërkon arrest me burg për Frrokajn, Hafizin, Dilaver Nelin dhe Gjoke Ndokën.
Por avokati Adrian Leka thotë se Fran Frrokaj u ndalua pa paraqitur asnjë provë, ndërsa në dosjen e Prokurorisë sipas tij nuk ka asnjë dokument që fajëson kryebashkiakun për tjetërsim pronash në Shëngjin apo shpërdorim detyre. Avokati u shpreh para trupit gjykues se, prokurori tha gjëra të pavërteta dhe përdori gjuhë joligjore.

Leka: Kontestoj qëndrimin e prokurorit sepse tha gjëra të pavërteta dhe përdori gjuhë joligjore. Përdorimi i zhargonit mediatik nga prokurori është e papërshtatshme. Mos të harrojmë se ai gjyqtar në pak ditë dha 2 masa të ndryshme. Çfarë ka ndryshuar nga dita kur gjykata dha arrest shtëpie dhe deri më sot? Këtë duhet të thoshte prokurori. Vendimi është i pabazuar dhe në tejkalim të kufinjve kufizues.
Avokati thotë se klienti i tij Frrokaj nuk ka pasur dijeni për falsifikimin e dokumentacionit.
Leka: Frrokaj nuk ka patur dijeni sepse persona tjerë përpilojnë dokumentacionin. Vepra penale e falsifikimit kryhet me dashje dhe Frrokaj nuk ka patur asnjë dijeni sepse kanë qenë me firma dhe vula të institucioneve të tjera. Eshtë absurd pretendimi. Falsifikatorët të mbajnë përgjegjësi por Frrokaj nuk ka patur dijeni dhe askush edhe në shkallë të parë nuk ka thënë një gjë të tillë. Edhe sikur bashkia të gabonte, ZRPP mund të frenonte dhe ndalonte veprimet e tjera sepse ja jep ligji këtë të drejtë. Kërkojmë ndryshim e vendimit dhe të jepet masë tjetër për Frrokajn, detyrim paraqitje ose garanci pasurore.
Vetë kryebashkiaku ka deklaruar në seancë se e ndjen veten totalisht të pafajshëm. Ai tha se Bashkia firmos me dhjetra AMTP në ditë, por këto bëhet në funksion të vjeljes së taksës jo dhënies së pronësisë.

Frrokaj: E ndjej veten totalisht të pafajshëm. Sot kerkova ndryshim të masës sepse nuk jemi në gjykim me themel për të kërkuar pafajësi. Ne jemi thjesht institucion i ndërmjetëm në këetë rast. AMTP kalon tek ne më shumë për vjeljen e taksës. Qytetari që ka këtë dokument, bashkia nuk ka të drejtë firme. AMTP unë firmos 20 deri 50 në dite dhe nuk kam kompetence te shkoj në terren.Ne kemi 5 dite kohe te kthejme pergjigje. Mbiemri Frrokaj nuk ka lidhje me mbiemrin Frroku. Asnjë njeri i imi në 10 breza nuk ka lidhje me këto persona. Kam ngelur i ofenduar nga prokuroria e Lezhës, të pakten 1 herë do të duhej të isha thirrë.
Fran Frrokaj së bashku me 22 zyrtarë të tjerë akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar tokën në zonën e plazhit, duke e kthyer në pronë private e më pas duke e shitur kundrejt vlerave të konsiderueshme monetare.
Nga 23 zyrtarë të përfshirë, 13 u arrestuan (vetëm dy në masë arrest me burg) ndërsa 11 të tjerë janë ende në kërkim nga policia si të përfshirë në skemën e tjetërsimit të pronës.

Artikulli paraprakProtesta s’duhet të ndalet
Artikulli tjetërRevolta nuk ndalet, banorët në Kukës paralajmërojnë bllokim rruge nëse nuk lirohen protestuesit