Kryebashkiaku i Himarës u rrëmben tokën banorëve dhe e jep me koncesion

Banorët e Himarës kanë denoncuar rrëmbimin e pronave të tyre nga kryetari i Bashkisë, Jorgo Goro. Sipas banorëve, Livadhi në Himarë që është pronë e tyre është marrë nga kryebashkiaku dhe u është dhënë me koncesion njerëzve nga Tirana. Denoncimin e kanë bërë në takimin e zhvilluar dje, takimi i dytë mes drejtuesve të Bashkisë së Himarës të shoqëruar nga hartues e drejtues të planit të përgjithshëm vendor, si dhe banorëve. Takimi ka nisur me fjalën e drejtuesve të projektit ku është folur mbi shëtitoren e re dhe vazhdimësinë e planit të Himarës, ndërkohë që është ndërprerë disa herë nga ana e banorëve.
I pranishëm në takim, i cili ka folur edhe në emër të banorëve, ka qenë edhe kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, në të njëjtën kohë dhe drejtor ekzekutiv i shoqatës së komunitetit himariot, Nikollaq Neranxi. Ai ka replikuar ashpër jo vetëm me drejtuesit e projektit, por edhe me kreun e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro i pranishëm edhe ky në takim. Në qendër të reagimeve dhe kundërshtimeve ka qenë pikërisht moszgjidhja e çështjeve të tokave, të cilat edhe sot e kësaj dite për shumë banorë nuk janë zgjidhur ende.
“Këtu keni një popull që nuk mund ta gënjeni duke dashur t’i merrni dy cilësi kryesore, pronat dhe emrin. Kemi përballë njerëz që duan të na gënjejnë, të cilët vijnë me një projekt të përfunduar që prej një viti, sipas drejtuesve të projektit, ndërsa drejtuesi i urbanistikës na gënjen duke thënë se po vijmë të marrim mendim. Ne duam atë Himarën e bukur me historinë e saj që doni të na e merrni, ato prona që po shikojnë se si po vdesin himarjotët duke mos i gëzuar”, është shprehur Neranxi.
Ai ka akuzuar kreun e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro se nuk arriti dot të zgjidhte çështjen e pronave në këto 5 vite. Neranxi shtoi se historia e Himarës po shfrytëzohet, por kjo gjë nuk do të lejohet të vazhdojë më pasi pronat do të mbrohen me gjak.
Pas fjalës së tij Neranxi është larguar nga salla duke bojkotuar takimin, ndërkohë që së bashku me të janë larguar dhe shumica e banorëve të pranishëm. I shoqëruar dhe nga banorët, Neranxi është drejtuar për në zonën e Livadhit ku ka denoncuar koncesionin e një pjese të plazhit, e cila sipas tij i është dhënë në mënyrë të padrejtë nga bashkia disa njerëzve të ardhur nga Tirana duke iu rrëmbyer banorëve të Himarës.

Artikulli paraprakArrestohet në Luksemburg shqiptari që vrau çiftin anglez
Artikulli tjetërTë mësojmë nga Namibia