Krizë konsumi, të ardhurat nga TVSH e brendshme bien 7.3% në prill

Ndonëse të ardhurat buxhetore kanë shënuar ecuri pozitive në katër muajt e parë të vitit, me një rritje prej 6.6% në raport me faktin 2016, të hyrat nga TVSH e brendshme, një tregues direkt i konsumit të ekonomisë nuk kanë qenë kaq të mbara, duke shënuar dhe tendencë negative. Sipas të dhënave të detajuara të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga TVSH e brendshme për 4-mujorin u rritën me vetëm 1.5% në 11.7 miliardë lekë, duke qenë 12% apo 1.5 miliardë lekë më pak se plani. Duke pasur parasysh se rritja ekonomike është mbi 3% dhe inflacioni rreth 2%, performanca e TVSH-së ka qenë minimale. Ndërsa në prill, ecuria ka qenë tepër negative, teksa të ardhurat nga TVSH e brendshme kanë rënë me 7.3% apo me 196 milionë lekë më pak se prilli 2016, apo rreth 23% më pak se plani i muajit prill. Ka qenë TVSH në dogana ajo që ka shpëtuar këtë zë, duke u rritur me 856 milionë lekë dhe duke rezultuar gati 12% më shumë se plani, të ndihmuar nga rritja e çmimeve të mallrave në bursat ndërkombëtare. Në total, performancën më të mirë tatimore për 4-mujorin e ka shënuar tatim fitimi, që ka tejkaluar planin me 3.4 miliardë lekë dhe taksat nacionale me +1.8 miliardë lekë, që kanë mbuluar mosplotësimin e planit me 1.5 miliardë lekë të TVSH-së së brendshme. Në një tjetër tregues të konsumit të dobët, ekspertët e këmbimit valutor kanë konstatuar se një nga arsyet e zhvlerësimit të euros muajt e fundit lidhet me faktin që ka mungesë të likuiditetit në lekë nga bizneset, si rrjedhojë e aktivitetit të dobët ekonomik. Si rrjedhojë, bizneset po konsumojnë rezervat e tyre në valutë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se niveli i depozitave në valutë për korporatat jofinanciare ka rënë me 42 milionë lekë në shkurt-mars të këtij viti, tkurrja më e lartë në më shumë se një vit. Kjo është një mënyrë për të mbuluar mungesën e likuiditetit pohojnë ekspertët e tregut, ndërsa forma tjetër është përmes emetimit të borxheve. Rënia e shitjeve të bizneseve, automatikisht sjell dhe më pak të ardhura nga TVSH e brendshme.

Artikulli paraprakAmbasada amerikane publikon kushtet e reja të aplikimit për vizë
Artikulli tjetërVonesat në zbatimin e vendimit të gjykatave penalizojnë rëndë arkën e shtetit