Kriza ekonomike, rritet huaja e marrë nga individët

Huaja për individët ka shënuar një rritje të ndjeshme në muajin mars, sipas statistikave të publikuara dje nga Banka e Shqipërisë, duke ndikuar në gjallërimin e kredisë për të gjithë ekonominë. Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë arriti në 547.4 miliardë lekë në mars, me një rritje prej 1.6 miliardë lekësh në krahasim me muajin e mëparshëm apo rreth 0.3%.
Ky është zgjerimi më i madh mujor që nga nëntori i këtij viti dhe ka ardhur pothuajse tërësisht nga huaja që është dhënë për individët dhe familjet. Kredia për individët arriti në 169.4 miliardë lekë, me një rritje prej gati 1% në raport me muajin e mëparshëm. Huaja për individë ka shënuar rritje si në lekë, ashtu dhe në valutë.
Bankat së fundmi po targetojnë gjithnjë e më shumë familjet dhe individët, pasi ata kanë rezultuar kredimarrës më të mirë në raport me bizneset dhe janë më korrektë në kthimin e kësteve. Edhe vrojtimi i fundit i kredidhënies i Bankës së Shqipërisë tregonte se bankat i mbanin të shtrënguara standardet e kredisë për bizneset dhe i kishin lehtësuar për individët. Ofertat e bankave për kredi për shtëpi kanë qenë mjaft të leverdisshme muajt e fundit.
Ndërsa huaja për bizneset ka shënuar një rritje fare të lehtë në mars, në krahasim me muajin e kaluar. Me bazë vjetore (mars 2017/mars 2016), kredia për ekonominë është rritur pothuajse zero, duke treguar për një ngërç të kreditimit në vend, sidomos tek bizneset, që është tkurrur me 1.1%. Ndërsa huaja për individët është rritur me 3.4% për të njëjtën periudhë.

Artikulli paraprakAdministrimi i pallateve, pagesat mujore arrijnë deri në 20.000 lekë
Artikulli tjetërGjykata Administrative ka ndaluar ndërtimin e HEC-it në Vjosë