Kriza e konsumit, të ardhurat nga TVSH, 12% poshtë planit

Të ardhurat buxhetore u rritën me 6.6 për qind në 4 muajt e parë të vitit, por Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që mblidhet në tregun e brendshëm, shënoi një ecuri të dobët. Sipas Ministrisë së Financave në periudhën janar-prill të ardhurat nga TVSH e brendshme ishin 12% ose 1.5 miliardë lekë më të ulëta se plani i periudhës. Më konkretisht sipas të dhënave, për katërmujorin tatimet mblodhën 11.7 miliardë lekë TVSH të brendshme, nga 13.2 miliardë që ishte plani. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat nga TVSH e brendshme janë rritur me vetëm 1.5 për qind, në një kohë kur vetëm inflacioni dhe rritja ekonomike duhet të kishin sjellë minimalisht një rritje me 6 për qind të të ardhurave në vlerë nominale. Por treguesi më shqetësues është se në muajin prill situata është përkeqësuar. Sipas financave, muajin e kaluar të ardhurat nga TVSH ishin 196 milionë lekë më të ulëta se prilli i një viti më parë. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është një nga indikatorët më të rëndësishëm në ekonomi. Për shkak se vendoset ad valorem mbi shitjet, kjo taksë gjurmon qarkullimin e mallrave në ekonomi. Rrjedhimit ecuria e dobët në katër muajt e parë të vitit e të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar mund të sinjalizojë një ndrydhje tjetër të konsumit në ekonomi. Këto dyshime forcohen edhe nga një tjetër fakt, ai i rënies së inflacionit, një tregues që tenton të jetë i ulët kur konsumi i mallrave në ekonomi bie. Në prill rritja e çmimeve u rikthye sërish poshtë objektivit ligjor të Bankës së Shqipërisë duke rënë në 1.9 për qind.

Blerjet online bien me ritme dyshifrore në 4-mujorin e parë

Volumi i blerjeve online është ulur dukshëm në katërmujorin e parë të këtij viti duke reflektuar uljen e kufirit për taksimin e tregtisë nga interneti që qeveria aplikoi në gusht të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT, transporti i mallrave me postë shënoi rënie vjetore me 13% në janar-prill 2017. Nga të dhënat mësohet se në katërmujorin e parë të vitit u transportuan me postë 146 tonë mallra nga 169 tonë që u transportuan më 2016. Në gusht të vitit të kaluar, hyri në fuqi një vendim me të cilin blerjet online mbi 22 euro paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë, taksimi fillon nga kufiri 45 euro. Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH, 2.4% taksë doganore). Me këtë vendim, të gjitha blerjet mbi 22 euro dhe dhuratat e dërgesat nga jashtë mbi 45 euro, çmimet u shtrenjtuan. Kufiri mbi të cilin paguhen taksa është ulur ndjeshëm. Ky veprim, sipas Financave, u bë për të shmangur konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import. Ulja e kufirit për blerjet online ka shkaktuar pakënaqësi e reagime të shumta te konsumatorët, të cilët gjithnjë e më shumë i ishin drejtuar kësaj alternative, si një zgjidhje për të blerë mallra cilësore me çmime të pranueshme. Ky vendim i qeverisë përveçse u prit me zemërim nga konsumatorët fanatikë të blerjeve online, duket se ka dhënë edhe efektet negative zinxhir te bizneset. Aktiviteti i postave në transportin e mallrave ka rënë me ritme dyshifrore këtë vit. Në mes të vitit 2014, qeveria kishte vendosur që të gjithë ata që blinin online dhe iu vinte produkti me postë nga jashtë vendit, paguanin taksë në rast se vlera e mallit do të kalonte 20 mijë lekë, duke e rritur, nga 10 mijë lekë, që ishte më parë.

Rënia e investimeve publike

Ndryshe nga vitet e mëparshme elektorale, investimet publike këtë vit nuk janë përshpejtuar. Të dhënat fiskale nga Ministria e Financave, tregojnë se plani i investimeve kapitale për periudhën janar-prill ishte 8% më i ulët se programi. Në fillim të vitit, qeveria parashikonte të investonte gati 16 miliardë lekë në 4 muaj, ndërsa shpenzimet e kryera ishin 14.4%. Infrastruktura rrugore këtë fillimviti është zëvendësuar nga ajo energjetike, për sa i përket rëndësisë së investimeve. Investimet në rrjet kryesuan investimet e këtyre muajve. Për sa u përket rrugëve, investimi kryesor vijon në segmentin Qukës-Qafë Plloçë, me një vlerë rreth 940 milion lekë. Investimet publike, ndonëse një burim i rëndësishëm për rritjen ekonomike kanë qenë të frenuara vitin e fundit, për shkak të angazhimit të qeverisë për konsolidimin e financave publike, ndërsa shumë më të frenuara janë në çdo fillimviti pasi projektet nisin me vonesë. E kundërta ndodh në vitet elektorale, kur zakonisht qeveritë kanë nxituar të injektojnë para në ekonomi, përmes përshpejtimit të investimeve.

Shqipëria “prodhon” shifra, e dyta në rajon, por e paaftë t’i shfrytëzojë

Barometri Open Data mat sesi qeveritë i përpilojnë dhe publikojnë të dhënat dhe impaktin e tyre në shoqëri. Në renditjen e fundit të organizatës që mban të njëjtin emër, Shqipëria renditet në vendin e 50-të në botë ndër 114 shtete të marra në analizë. Vendi ynë është një risi në këtë listë, pasi është viti i parë që përfshihet, ashtu si thuajse të gjitha vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Maqedonisë. Fqinjët janë vendi me renditjen më të mirë, në vendin e 49-të, paçka se kanë rënë me plot 15 pozicione në krahasim me një vit më parë. Në vend të dytë në rajon ndërkohë qëndron pikërisht Shqipëria, me një diferencë minimale në pikëzim me Maqedoninë. Më pas ndjek Kroacia e 58-ta, Kosova e 63-ta, Serbia e 65-ta, Mali i Zi i 83-ti dhe Bosnje-Hercegovina e 100-ta. Me një pikëzim nga 0 në 100, në bazë të sektorëve të ndryshëm, kjo tabelë specifikon se ku Shqipëria performon mirë, e ku keq, sa i përket publikimit të të dhënave. Të dhënat më të dobëta janë në transportin publik, të drejtën e pronës, performancës në shkollë, statistikës së krimeve dhe rezultatit të zgjedhjeve. Nga ana tjetër, të dhënat më transparente janë në drejtim të buxhetit, tregtisë ndërkombëtare, ambientit dhe deri diku edhe censusit. Shqipëria është një ndër vendet ku të dhënat e publikuara nga qeveria kanë impaktin më të vogël në shoqëri. Në këtë drejtim vendi ynë grumbullon vetëm 4 pikë nga 100 të tilla, çka ka gjeneruar edhe vendin e 50-të në listën me 114 shtete.

Artikulli paraprakSot është koha e provës, kush e do PD, e ka vendin në fushatë
Artikulli tjetërKulla e re me 26 kate në qendër të Tiranës