Kristaqi vari poetin, i biri mbron masakrën e Mehmetit

Debatet e nisura një ditë më parë pas dekorimit të 67 nacionalistëve nga Presidenti Bujar Nishani, janë zhvendosur në seancën e djeshme të Kuvendit. Replikat kanë kaluar edhe në akuza personale, kur deputeti Paloka pranoi se kishte pasur të atin partizan dhe kryeministri e përdori këtë pohim për ta ironizuar. Pas kësaj ka reaguar kryeministri Rama, duke i thënë: “Ti djalë partizani, je këmba që çohesh për t’i rënë kokës, je shembull degradues i një historie ëndrrash dhe shpresash që i dha jetë PD. Sot përfaqësohet nga ty, djali i partizanit që rreh gjoksin për pulat e Ballit Kombëtar”. Në përgjigje, Edi Paloka i ka kujtuar kryeministrit Rama, se “babai yt, Kristaqi, ka firmosur varjen e poetëve”. “Im atë ka qenë vërtet partizan, por do ta kishte për turp atë që bën Rama sot, duke mbrojtur krime për të cilat vetë Mehmet Shehu ka thënë atëherë se ishin të gabuara. Ti mburresh jo me monumentet e Enverit që ka bërë yt atë nën hijen e të cilave edhe je rritur, por ti mburresh me firmën e tij për varjen në litar të poetëve si në rastin e Havzi Nelës. Replikat mes Ramës dhe Kryetarit të Grupit parlamentar të PD nisën pas ndërhyrjes që Paloka bëri në lidhje me qëndrimin e kreut të qeverisë për bujqësinë. Paloka i tha se i vetmi investim i qeverisë për bujqësinë janë plantacionet e drogës në të gjithë vendin se investim tjetër nuk ka askund.

Reagimi i të birit të Kristaqit

Rama vendosi dje veten në Parlament në mbrojtje të kryekriminelit të masakrave ndaj shqiptarëve të pafajshëm, Mehmet Shehu. Ai denoncoi dekorimin nga Presidenti të 67 nacionalistëve, të cilët u masakruan në mënyrë individuale nga Mehmet Shehu. Rama sulmoi opozitën, duke thënë se ajo qëndron pas tradhëtarëve të kombit, ndërsa historia flet ndryshe në lidhje me këtë krim. Historianët pajtohen se në momentin kur është kryer masakra, Balli Kombëtar ka qenë një formacion ushtarak që ka luftuar pushtuesit dhe nuk ka pasur asnjë bashkëpunim me ta. Atëhere përse duhet të sulmohet ky dekorim dhe t’i dilet në mbrojtje një masakre të tillë?
Në këtë rast kemi të bëjmë me një përpjekje të pinjollëve të Bllokut sot në qeveri për të rehabilituar krimet e diktaturës dhe masakrat e kryera. E çuditshme është se për këtë masakër është penduar edhe vetë Mehmet Shehu, diktatori po ashtu e ka kritikuar, ndërsa i biri i Kristaqit sot Kryeministër deklaron se dekorimi i atyre që u pushkatuan është një akt tradhëtie dhe prej renegatësh. Në këtë rast ka vetëm një renegat të krimeve të diktaturës dhe ky është kreu i qeverisë, i cili jo vetëm që provokon shqiptarët, duke i dalë në mbrojtje atyre masakrave të kryera gjatë asaj kohe, por në të njëjtën kohë kultivon përçarjen kombëtare. Rama dëshmoi dje në Parlament se është në genin e tij prej psikopati ai është edhe më kriminel se sa vetë Mehmet Shehu që u pendua për masakrën dhe më kriminel edhe se diktatori Hoxha.
Nëse mund të ketë ndonjë gabim në vendimin e Presidentit Nishani në lidhje me dekorimin e 67 martirëve të Ballit Kombëtar në Lushnjë ky gabim ka të bëjë vetëm me atë kur është bërë dekorimi. Presidenti vendosi që ta bëjë ceremoninë në të njëjtën datë kur edhe janë ekzekutuar nacionalistët, pra plot pas 73 vitesh, ndërkohë akoma dhe më simbolike do të ishte që data e dekorimit të tyre të bëhej në Ditën e Çlirimit të vendit më 28 Nëntor.
Pyetja që shtrohet sot pas 73 vitesh të asaj masakre të Mehmet Shehut është se sa ka ndryshuar partia trashëgimtare e atyre krimeve? Deklarata e Ramës dje provoi se PS po kërkon të kthehet në identitetin e trashëgimisë së saj kriminale.

Opozita braktis votimin në Parlament

Deputetët e opozitës kanë braktisur seancën plenare mbrëmjen e djeshme, duke mos marrë pjesë në votimin e ligjeve që janë në rend të ditës. Kështu, deputetët e PD-¬së janë larguar nga seanca në momentet para votimit. Ndërkohë burime nga PD pohojnë se mund të ketë bojkot të gjithë seancave, ndërsa përgatitet për të zhvilluar protesta në mbarë vendin.
Opozita kërkon që të plotësohen kërkesat e saj, si reforma zgjedhore, dekriminalizimi dhe zhvillimi i seancave dëgjimore në Kuvend.

Debatet në Kuvend

Rama: Unë jam me Partizanin, nuk jam me Ballin Kombëtar. Nuk ka arsye për të dalë këtu në emër të Ballit Kombëtar, në emër të Ballit këtu mund të kujtoni sa pula keni shqyer kur keni qenë në qeveri. E keni trajtuar vendin si një pulë që e keni shqyer nga të gjitha anët. Keni shumë të drejtë t’i dekoroni, sepse jeni njësoj si ata. Kur shkoni aty te Varrezat e Dëshmorëve dhe shkoni përkuleni aty, se s’keni rrugë tjetër, te partizanët jeni. Aty do përkuleni se s’keni ç’bëni.
Sa për fermerët, janë shumë më të zgjuar nga sa i kujtoni ju. Eksperienca e tyre është mëse e mjaftueshme për të kuptuar se ju silleni si në cirk, kur u thoni se u janë rritur taksat. Asnjë taksë nuk është rritur në fshat. Ama u është rritur rimbursimi i TVSh për prodhimet bujqësore.
Paloka: Kisha dëgjuar çdo lloj flote, po flotë ekskavatorësh e kam dëgjuar nga ti (Rama). E në fakt edhe ata i ke dhuratë nga Kina. Flet për subvencione, po ti e di për çfarë farash bëhet fjalë, se i jepni për kastravec e del kungull. Sa për partizanët e bën debatin bosh. Babai im ka qenë partizan, por nuk po flasim për këtë. Ndërsa yt atë, s’ka qenë as partizan dhe ti mburresh jo vetëm me monumentet e tij për diktatorin nën hijen e të cilave je rritur, por mburresh me firmën e tij për të varur poetët në litar. Dhe ti mburresh nga aktet e të tjerëve, mburresh me aktet e tët eti.

Artikulli paraprakSkandali 2 milionë euro me ilaçet, lirohet administratori
Artikulli tjetërDrejtori i Policisë së Mitrovicës lirohet sot