Krimi rritet frikshëm, 21 të vrarë në 4 muaj

Krimi është rritur frikshëm në të gjithë vendin. Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti kanë ndodhur 17 ngjarje të rënda me pasojë vrasjen e 21 personave. Shifrat alarmante raportohen nga Policia e Shtetit, sipas të cilës, nga 1 janari deri më 4 maj të këtij viti në Shqipëri kanë ndodhur 17 ngjarje të rënda, ku si pasojë e shkrepjes së armëve të zjarrit dhe dhunës fizike kanë gjetur vdekjen 21 persona. Por mjaft ngjarje nuk janë publikuar nga policia, pasi bilanci i ngjarjeve kriminale është edhe më i madh.
Referuar këtyre statistikave, rezulton se gjatë muajit janar kanë ndodhur 2 vrasje, një me armë zjarri dhe një tjetër si pasojë e sherrit me thika. Këto dy ngjarje të rënda kanë ndodhur në qytetin e Vlorës.
Muaji shkurt, sipas policisë, ka qenë më i qetë, por me dy ngjarje të rënda, pasioni. Ku në Fier, Drini Derveni vrau të dashurën në makinë dhe më pas qëlloi edhe veten. E njëjta skemë, ka ndodhur edhe në Pogradec, ku Fatbardha Tore ka qëlluar me dru bashkëshortin, duke i shkaktuar vdekjen dhe më pas nga gjendja e rënduar psikike ka helmuar veten.
Ngjarje të rënda janë regjistruar edhe gjatë muajit mars, ku policia ka evidentuar 4 vrasje, dy prej të cilave si pasojë e dhunës së ushtruar gjatë grabitjes, një viktimë është vrarë me thikë dhe një tjetër me armë zjarri.
Nga ana tjetër, muaji prill ka qenë më i përgjakshmi, 7 ngjarje të rënda me 9 viktima si pasojë e vrasjeve me armë zjarri, me thikë e dhunë fizike. Fillimisht në Durrës, Ersid Curri, i sapo dalë nga burgu ka ekzekutuar gjyshen dhe më pas në gjendje të rëndë psikike ka vrarë veten. Kjo ngjarje pasoi me vrasjen mafioze të ish-drejtuesit të policisë, Artan Cuku, në hyrje të pallatit të tij në Tiranë. Një ditë pas këtij krimi të rëndë për Policinë e Shtetit, në Vlorë ekzekutohet në qendër të qytetit me breshëri automatiku shtetasi Elidon Mehmeti.
Për të vazhduar me ngjarjen e datës 11 prill në Durrës, ku si pasojë e dhunës dhe goditjes me thikë ka gjetur vdekjen shtetasi Agim Arapi. Pak ditë më pas, në Vlorë në një lokal qëllohet për vdekje Ergys Gjioveshaj dhe plagosen tre persona të tjerë. Këtyre vrasjeve, ju shtuan edhe dy viktimat e autostradës Tiranë-Durrës, Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj, që u ekzekutuan brenda në makinë me breshëri kallashnikovi gjatë lëvizjes. Vrasje për të cilën ende nuk kemi ndonjë të dyshuar konkret nga Policia e Shtetit. Dy ditë pas kësaj ngjarje, në Mamurras vritet me armë zjarri Zef Toma, brenda oborrit të shtëpisë, vrasje për të cilën dyshohet se e ka kryer fiqnji i tij. Kjo vrasje mbyll edhe muajin prill, për të nisur me ekzekutimin mafioz të shtetasit Dashmir Zeneli në Himarë, i cili u gjet i vrarë në një përrua buzë rrugës. Por dy ditë më pas, më 3 maj në Kurbin, vjehrri ka sulmuar dhe vrarë me mjete të forta nusen e djalit, 41-vjeçaren Vera Tota.
Policia nuk ka publikuar vrasjet në aksidente, ku gjatë këtyre 4 muajve janë shënuar dhjetëra viktima dhe të plagosur.
Krimi sa vjen e rritet, ndërsa policia është e paaftë për të vendosur rendin dhe sigurinë. Rrugët nacionale kontrollohen nga bandat dhe maskat, ku si pasojë janë grabitur biznese e makina të qytetarëve. Vetëm një ditë më parë ndodhën dy grabitje në Tiranë dhe në Laç nën kërcënimin e armëve nga maskat. Në të dy rastet u grabitën më shumë se 35 milionë lekë, ndërsa policia ende nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët. Një ditë më parë u vra një person në Vlorë dhe u plagos rëndë me armë një i ri në Tiranë. Autorët ende vazhdojnë të jenë të lirë.

R.POLISI

Artikulli paraprakDrogë nga Shqipëria në Greqi, dy të arrestuar
Artikulli tjetërKorrupsioni me tenderat, në pranga zyrtarja e Prefekturës