Krimi nuk ndalet, vritet me 5 plumba një person në Tiranë

Një person u vra mbrëmë me armë zjarri në Tiranë, duke tronditur kryeqytetin. Bëhet e ditur se, nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i vdekur 41-vjeçari Devi Kasmi, trupi i të cilit ndodhej për më shumë se një orë në rrugë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:45 tek rruga ‘Kongresi i Manastirit’ pranë QSUT në kryeqytet. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes pohuan se dëgjuan 5 krisma me armë zjarri.
Burime zyrtare nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se dy atentatorët ishin me skafandra në kokë, dhe pas krimit janë larguar me një motor në drejtim të Shërbimit Informativ të Shtetit, duke përfituar nga rrugica e errët.
Dëshmitarë në vendgjarje bënë të ditur se, njëri nga atentatorët priste në motor dhe tjetri në këmbë, duke i zënë pritë viktimës. 41-vjeçari është qëlluar me 5 plumba, 4 nga të cilët e kanë prekur në trup dhe i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhereshme. Burimet bënë të ditur se, policia gjeti në vendin e ngjarjes 2 pistoleta, por nuk dihet nëse i përkasin autorëve apo dhe vet viktimës.
Zona ku ndodhi ngjarja nuk kishte kamera sigurie, pasi ishte një rrugicë pa ndriçim dhe pa biznese. Krismat e armëve kanë krijuar frikë dhe panic tek qytetarët e shumtë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, por pa arritur të identifikojnë dhe kapin autorët.
Policia bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, rreth orës 18:44 neë Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Kongresi i Manastirit” ka të shtëna me armë. “Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, ku ka rezultuar se në një rrugicë që lidhet me rrugën “Kongresi i Manastirit”, në afërsi të Morgut është vrarë me armë zjarri shtetasi D.K, 41 vjeç. Janë ngritur pika të shumta kontrolli, si dhe po krihet zona. Grupi hetimor në vendngjarje po fikson dhe grumbullon çdo provë që mund të çojë në identifikimin e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Burimet e policisë bënë të ditur se 41-vjeçari i vrarë kishte ndërruar emrin, nga Dëfrim, në Devi Kasmi. Sipas burimeve të policisë, viktima njihet si person me precedentë penalë dhe është përfolur si i përfshirë në vrasjen e Franc Konomit, por asnjëherë nuk është provuar autorësia e tij. Franc Konomi konsiderohej si një nga vrasësit e kreut të bandës së rrugës “Bardhyl”, Gaz Muça.
Prej disa ditësh vendi ndodhet nën pushtetit e krimit. Vrasjet, grabitjet nga maskat në rrugët nacionale e në banesa dhe shpërthimet me tritol janë kthyer në një tmerr për qytetarët. Në asnjë rast policia nuk ka mundur të zbulojë autorët e krimit. Pa u mbushur një javë nga vrasja e dyfishtë në Vlorë, ku nënë e bir u vranë në banesë dhe më pas iuvu zjarri, një tjetër vrasje ka ndodhur mbrëmë në Tiranë. Ndër pak ditë më parë ndodhën dy shpërthime të fuqishme tritoli në Gjirokastër dhe Vlorë. Shpërthimi i parë ka ndodhur në lagjen “Dunavat i dytë” në qytetin e Gjirokastrës. Një sasi tritoli është vendosur në banesën e shtetasit Gentian Liti dhe si pasojë ka mbetur i plagosur babai dhe djali i tij i vogël.
Shpërthimi i dytë ka ndodhur në qytetin e Vlorës në lagjen “10 korriku”. Një sasi lënde eksplozive i është vendosur automjetit të një biznesmeni, por fatmirësisht nuk pati të plagosur. Të dyja këto raste nuk janë zbardhur nga policia, ndërsa autorët janë ende të lirë.

Artikulli paraprakRaporti: 218 anije në Shqipëri jashtë kontrollit të radarëve
Artikulli tjetërZbulohet dokumenti që largoi në Itali financierin e Habilajve