Krimi i familjes Rama me varjen e poetit Havzi Nela

Albert VATAJ

Nga pak na shtrëngon të gjithëve në fyt ai litar që të shteri frymën e fundit, Havzi Nela. Sot pas 29 vitesh qysh prej atij akti mizorie, sekush ndër ne e ndjen peshën e rëndë të atij krimi. Ata që kanë moshën e këtij ekzekutimi do ta kenë të vështirë të besojnë mbi absurdin që çoi në litar një poet të andshëm, një mësues të përkushtuar, një malësor atdhetar. Me vitet nuk shuhet kobi i asaj nate. Në mish na ngulet thellë e më thellë kafshimi i asaj vdekjeje, fikja e atij shpirti të dlirë.
Vijmë sot në këtë përshpirtje dhe përulemi me nderim para përmendores së këtij poeti si në një urdhnesë të shenjtë shugurimi. Behim në ndërmendjen e përvjetorit të shuemjes së gjalli të poetit, tuj kumtu mirënjohje për krejtçfarë ai e shkroi me gjak mbrojti me kalvar. Ngucemi tash me rijetu copëza të atij mundimi të pashoq hekash dhe lëngimesh që gjaset me i gatu vetëm havani i terrtë i kobit të kuq. I vetmi krim që ky za kushtrues kishte konsumu, dhe për të cilën ai shkoi në litar 29 vjet më parë, ishte vullnesa për me ia kushtu veten mish e shpirt shërbesës së fjalës së lirë.
I pamposhturi i kushtrimit të lirisë, i kumtit ngadhënjyes të poetit, ishte Havzi Nela. Varra e mbrame e bishës në agoni. Zemra e thyeme e një shtati të drobitun. Zani gjëmues i një shpirti ngjadhnjimtar.
Nata kobzezë e 10 gushtit të motit 1988 e thuri me mraz mantelin e trishtimit, që do të lëshohej mbi qytetin verior, si një qefin morti, bashkë më me terrin e qorruem. Në yje i’u shndërrue grahmat e fundit atij shpirti ngadhnjyes. Me dritën që lindtte s’kish mbetun kurrçka gjallnuese në të, veç kurmit hekakeq të martirit, që derdhej në plisin e përpushun lëngimesh në trekëndësh. Në kup të qiellit kuja i’a lëshoi në atë zgjim tragjik të atij qyteti që strukej nën peshën e heshtjes. Sy e zemra u qorrën në këtë manifestim frike dhe paniku që mbillte kjo varrë mesjetare që rrëmihte të shkumen, të tashmen e të gjithmonshmen e vetëdijes së njerëzisë, kësoane e gjithsekënd. Në atë prehje trishtane që kalli tmerr shtati i shterrun hekash i poetit që tuj ken “armik i popullit dhe partisë” ishte bzamja ma kushtrues që ajo ndërkohje kishte mujt me e lëshu potershëm. Klithmë, e cili theri si dhimbë shgjetare atëditë e sot. Kësohere dritëlëshuesi i dijes e kumtuesi i kremtes së lirisë, kish da mendjen me ik, jo si më heret “zemërplasun” por zëkallun e oshëtues në ndërkohje.
As tokë nuk i dhan në pushimin e pasosun, Havzi Nelës. Deri në njat cak kishte mujt me mbërri makabriteti i lëshuem në duar të zellshme gjakatarësh, mbi të cilët nderej i friguem ajo bishë e plagosun. E derdhën mish e kocka, poetin në vrimën e një shtylle, mes ferrave. Me gurë dhe mrryl e mbuluen atë grumbull të mbetun prej së gjalli. Pa varr e lanë, pa kuja, pa lot e degdisën në tjetër botë. Kaq mundi me gadit zelli i përbinshëm i një regjimi. Vetëm kaq, me diftu, i’a behu mendja djallëzore e dora e gjakut të prishun.
Lirinë kishte krejtçka Havzi Nela në të gjallë e në amshim pati si armë, të cilën nuk e lëshoj prej dore kurrnji dekik. Poezinë kishte pishtar e nuk ndali së lëshumi tmerr dhe dritë gjithkah kamba e tij shkeli e zemra e tij kalli. Përkundër asnjë godi nuk mësoi të hesht ai zë gjëmimtar. Qeli, pranga, tortura, e farkëtuan atë shpirt lirie, atë shkrepëtim që ndrit udhën shtegtarit atëditë e sot.
Havzi Nela, do të mbamendet si shembulli më vetanak i mizorisë së kuqe në agoni, është dëshmia më ngjethëse që ka lënë diktatura atëhershme. Si djalli nga temjani u përndoq ky korife i mendimit të lirë, kjo pëshpërimë gjëmimtare e ngulmit për të dëshmuar në një kohë të mraztë vitalitetin e një vullnese të dlirë.
Golgota e mundimeve të këtij Prometeu të dijes u dogj më flakën e dritës që kalli vargjet e tij të zëshme liberatore. Fatkobi i poetit tek ai nuk preku ndonjëherë ngjashmëri të tjetera, të njimendta në atëhohje. Tehu i gjakimit të së keqes duke e shpuar tejpërtej ndër rrufe përgjimesh kobzeza, ishte derdhur mbi të pamëshirshëm dhe nuk iu shkoq deri në të mbramë të frymës në konop. Përdnjekja e kalli këtë zë liri e në flakët e ferrit të kuq me të cilat u ndesh dhëmb për dhëmb. Si Ante qëndroi ai mbi zemëratën e shtërzishme të motmotit. Nëpër shkulmet e këtij marazi ai mrujti apogjeun e shpirtit. Krejtçfarë është thënë për këtë shpirt rebel, dhe ka bërë me pasion të shenjtë ky ngulm lirie është një vullnesë e dlirë, një shëmbëllim që ngucat. Përkundër tançka ka ndërzy atë bishë të përbindshme komuniste, nuk e ka tut, nuk e ka ndal, nuk e ka step atë yrysh tokësor, më u ndesh me forcat më të errta të Hadit komunist. Ai qëndroi në kambë, në të gjallë e në të vdekun. Mundimet e këtij shpirti sakrificash, e këtij kushtrimi të zëshëm të lirisë, nuk kanë shoq.

Kush ishte ky gjëmim
Havzi Nela u lind më 20 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukësit. Ndoshta fëmijëria e tij e asaj ndërkohje s’do të kishte shumë më tepër gjana për të kumtu, ngase ai i tha me za e me vepëri në të gjallët e tij. Të themeltë e kish në vete shpirtin e kryengritjes, vullnesën e jetësimit deri në të mbrame të frymës që kishte. Tuj met jetim qysh në moshën 9-vjeçare, atij i’u lëshu në shpinën e njomë torba e randë e shtegtarit. U kalit në mundime dhe heka ky kurm që gjaku e shndërroi në pishtar.
Individi i kolektivizuar më shumë se një absurd që shakadahej në batakun e reales surreale, ishte për Havzi Nelën një ngadhënjim kryerendës, një domosdo për të reaguar që në krye të herës. Rebelimi kundër së keqes ishte gjaku dhe mishi që veshi, jetësoi ky bir nane.

Golgota e dijenxënies dhe e mësuesit
Edhe vetë kalvari i dijenxënies është jo më pak rrëfimtar i kacafytjes që kalli mbi këtë kurm drite paradoksi i asokohshëm. Ai mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa jetojnë në varfëri ekstreme. Krejt rrëfimtaria e tij jetësore është një rrugëtim nëpër natë nën qiellin e gërmushin vetëtimash. Zgjaton lëngueshëm ai kortezh i të gjallëve të mësuesit dhe poetit, individit që ngiste nëpër teh të rrezikut me kap fillin e dritimit të perëndishëm, të njeriut me ëndrra qiejsh të kjart.
Duke kqyr turraz nëpër faqet e të shkumes mundena me kumtu se Havzi Nela gurëthemelin e dijes e hodhi në qytetin e Shkodrës, prejku u dëbua si element destruktiv. Pas do vitesh i jepet mësuesisë në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat në rrethin e Matit. As këtu nuk i zan kambët dhe këti ngulmi zjarmtar. Te e vona ai i kthehet sërish Shkodrës me i përmbyll studimet, kësohere me korrespondencë. Kruma, Lojmja, Shishtaveci, Topojan janë këto toponimet e dijedhënies së poetit. Përgjatë gjithë këtij rrugëtimi dritëlëshues, një pal sy ferri do të qepeshin përmbas, ngado. Golgota e mundimeve do të lëshonte britmën. Ai nis të marrjet hera-herash në paraburgim.

Kalvari i martirit
Dhe vjen dekiku i përballjes dhëmb për dhëmb. “Shko dallëndyshe” të Filip Shiroka, bahet “Lamtumira zemërplasun” e Havzi Nelës dhe bashkëshortes së tij, Lavdie. Ai arratiset për me sos në Kosovë, më 26 prill 1967. Një gërmushje ndjellakeqe e pret me “pushkë për faqe”. Ndalohet dhe merret në pyetje në një hotel në Prizren. Më 6 maj të po atij viti burrë e grua këmbehen në Morinë me shqiptarë të Kosovës, të cilët i dorëzohen UDB-së famëkeqe nga pala shqiptare.
Kalvari i trishtë nëpër të cilën rendi ky liberator, zgjaton që nga Elbasani, Vlora, Spaçi, Burreli, Ballshi, Qafë Bari. Nëpër zgafellet më makabre të diktaturës i kaploi 20 vitet e jetës së tij. Nëpër tmerrin më të mraztë e gërmëzoi gjithkohjen e kushtrimit të tij, poeti martir. Tinëz e thuri qiellin shkrepimtar të poetit, Havzi Nela në qeli. Në fletushka nëpër terrin e frikës dhe përgjimit e ngriti varg pas vargu e metaforë pas metaforë zjarmin e lirikës.
Të trishtë do ta ndjente të tashmën e zorshme të vlerave të përmbysta, kurmi i lënguem i atij shtati që sfidoi me qëndresën në kalvarët e terratisë. Rrno ndër ne Havzi Nela, në trajtën e një kujtese ngjethëse, një dlirësie shuguruese, një gjithëkohje kushtruese, rrno me dëshmu me mbamendjen tande të ngjyme në gjak lirie. Rrno ti trishtim i atij kobi që këputi frymën e poetit. Ngushtohu t’i litar që martirizove një shenjtor të fjalës së lirë dhe po na gremis çdo ditë e më thellë në honin e lirisë pa fjalë, në boshin e fjalës pa zë.

Ekzekutimi me varje për poetin në orën 2 të mëngjesit

Kristaq Rama, i ati i Edi Ramës ka firmosur dënimin me varje në litar të poetit Havzi Nela, në ditët kur diktatura komuniste po jepte shpirt. Në dokument duket qartë se, Kristaq Rama ka firmosur për dënimin me varje të poetit vetëm për faktin, se ai kishte shkruar poezi që nuk i pëlqenin regjimit. Ky ishte një vendim xhelatësh i firmosur nga Ramiz Alia dhe Kristaq Rama, për dënimin me varje të poetit të njohur më datë 10.8.1988. Poeti Havzi Nela mori një dënim maksimal për fajin e vetëm, se në vargjet e tij kërkonte të drejtat e njeriut. Më 9 gusht 1988, familjarët e Havzi Nelës kërkonin faljen e jetës dhe anulimin e vendimit për ekzekutim me varje të të afërmit të tij, por Presidiumi i Kuvendit Popullor, pjesë e së cilit ishte edhe Kristaq Rama nuk e pranoi. Disa herë, familjarët dhe shtresa e të përndjekurve politikë kanë kërkuar pendesën e djalit të atij që firmosi dënimin me vdekje të Havzi Nelës, por Edi Rama edhe sot e kësaj dite nuk pranon të kërkojë ndjesë për krimin e të atit të tij.
Kjo është tragjedia, e cila ka përfshirë sërish familjarët e Havzi Nelës, kur 29 vite pas ekzekutimit të tij me firmën e Kristaq Ramës, djali i tij i mashtron për mbështetje ndaj shtresës së të persekutuarve dhe harron të kërkojë falje. Dekreti që dënoi me varje në litar poetin Havzi Nela në ditët kur diktatura po jepte shpirt, mban firmën e Kristaq Ramës, babait të kryetarit të PS, Edi Rama. Havzi Nela u arrestua më 15 qershor në katundin Brekijë, ora 12 e mesditës – nis procesi hetimor. 24 qershor 1988 – dënimi i katërt, ose dënimi fatal. 25 qershor – bën ankim pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. 16 korrik – Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës, pas firmosjes që kishte bërë Kristaq Rama. Më 2 gusht, Presidiumi i Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e Havzi Nelës. Më 10 gusht 1988, ora 2:00 pas mesnate kryhet ekzekutimi me varje në Kukës, tek stacioni i autobusëve.
Dokumenti i Ministrisë së Brendshme, që mban firmën e ish-ministrit komunist, Hekuran Isai, mban datën 9 gusht 1988 dhe i drejtohet Degës së Brendshme të Kukësit, së cilës i kërkohet dënimi me vdekje i poetit. Ministria njofton degën e zonës se, Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk i fali jetën të dënuarit. Vendimi ka dhe emrat e firmëtarëve të Presidiumit, mes tyre edhe Kristaq Rama, i ati i kryesocialistit Edi Rama. Emrat e aparatit të Presidiumit Popullor nisin me ish-presidentin Ramiz Alia, Rita Markon, Xhafer Spahiun, Emine Gurin, Sihat Tozajn, Eleni Selenicën, Faik Çinajn dhe vijon më tej me emrat e Kristaq Ramës, Lumturi Rexhës, Petrit Gaçes, Rrahman Hankun, Simon Ballabanin, Sotir Koçollarin, Stefan Qirjakon dhe Terezina Marubin. Të gjitha këta persona kërkuan ekzekutimin me varje të poetit Havzi Nela dhe vetëm disa muaj para rënies së perdes së komunizmit, në një kohë kur familjarët e tij kishin kërkuar faljen e jetës, gjakatarët vendosën ta dënojnë Nelën me varje në mes të qytetit të Kukësit. Mbi të rëndonte akuza e krimeve kundër shtetit për dy herë radhazi, ndërkohë që vendimi përfundimtar ishte varja në litar.

 

Ma ka nie zemra se kena me dalë prej këtij ferri …

 

Konflikti i Havzi Nelës me shtetin komunist nis në kohën kur në Shqipëri po kolektivizohej gjithçka. Të mos kishte më “është e imja”, por të kishte veç “është e jona”. Në një mbledhje në Shishtavec, në prill 1967, ai shprehet se “nuk duhet zhdukur prona private”. (Kjo binte ndesh me urdhrat e partisë, kundërshtarët shpallen armiq… Kolektivizimi synonte të degjeneronte familjen, synonte që gratë dhe burrat, djemtë dhe vajzat të ishin të partisë, të komunistëve, synonte që pushtet mbi gruan apo vajzën të kishte jo më burri apo vëllai, por komunisti, brigadieri, sekretari i partisë…). Havziu shprehet se, “nuk duhen prishur kishat dhe xhamitë”. (Kishte nisur në Shqipëri shkatërrimi i objekteve të kultit, shndërrimi i tyre në magazina e furra buke, dënimi e përndjekja e priftërinjve dhe hoxhallarëve, pasi diktatori Hoxha synonte të shndërronte në fe komunizmin dhe në Zot veten e tij… S’lejohej më të bëhej be për Zotin apo “pasha Zotin”, por duhej të bëje be e të betoheshe “për ideal të partisë”. Ndryshe ishte herezi, armiqësi…). Havzi Nela gjithashtu shprehet se, “nuk duhen mohuar traditat, nuk duhet ndërruar veshja tradicionle e grave”. (Synimi i diktaturës ishte krijimi i njeriut të ri të tipit Lejfen, me veshje të njëjta, me sjellje të njëjta, me tru të shpërlarë… që të zhdukej identiteti i individit, tradita që dallon shqiptarin…).
Kjo ka qenë gjithë herezia dhe disidenca e Havzi Nelës, derisa ndaj tij të fillonte kalvari i burgjeve dhe internimeve. Burgje që ia poqën plotësisht disidencën, ia bënë të qartë dhe të vetëdijshme luftën dhe qëndresën për idetë e tij…
Duke parë reagimet e partisë, pëshpëshet e shumta, përgjimet e përndjekjet që i bëheshin, Havzi Nela, bashkë me gruan e tij, Lavdien, më 26 prill 1967, ua lexon dhe reciton nxënësve të tij poezinë “Dallëndyshet” të Filip Shirokës, në orën e mësimit dhe niset për në Jugosllavi.
Në kufi shkruan këto fjalë në një letër “Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, po, zemërplasun…”. Dhe letrën e vendos në një degë lajthie që ta gjenin kollaj ushtarët e kufirit. Ushtarë që ruanin kufirin që të mos ikte kush në Jugosllavi e të mos vinte kush nga Jugosllavia.
Pak ditë i mbajnë në Prizren në burg dhe i kthejnë në Morin, pasi po këmbeheshin me disa kosovarë.
Lavdije Nela tregon se, në Prizren na thonin “jeni agjentë të Shqipërisë”.
Në vitet e fundit të burgut, kur po ndiheshin erërat e ndryshimit të sistemit dhe të burgosurit politikë e ndjenin si sizmografë ndryshimin e motit, Havzi Nela i thotë bashkëvuajtësit Ismail Didës: “Ma ka nie zemra se kena me dalë prej këtij ferri. Por kena me mbyll shumë gjana dhe kena me veprue si u ka hije njerëzve me mend. Përndryshe, nuk e merr vetin kurrë Shqipëria. Gjaku me gjak nuk lahet, se bahet një pellg tjetër gjaku, që s’e lan e s’mundet me e la kurrë të parin”…
Asnjëherë Havzi Nela nuk bëri kompromis me diktaturën e kasnecët e saj.
Ismail Dida, bashkëvuajtës që nga dita e kthimit nga Prizreni në të njëjtin autoburg, si dhe Mahmut Peposhi, rrëfenin se Havzi Nela ishte në hall edhe në burg, edhe jashtë burgut. Kur ishte në burg, nga fjalët e guximshme që thoshte, nga akuzat e drejtpërdrejta kundër regjimit, shumë të burgosur dyshonin tek Havziu. Edhe ndokush thoshte për të se, mos është i Sigurimit ky që nuk ka hiç frikë. Mos e ka fut Sigurimi që të provokojë të burgosurit e tjerë.
Kur ishte jashtë burgut, të gjithë e shihnin si armik të popullit e të partisë dhe nuk e kishte vendin askund.
Havzi Nela nuk pati të drejtë për një varr. Nuk pati të drejtë të varrosej si gjithë njerëzit e vdekshëm në varr i shtrirë. Atë, policët, varrëmihësit e diktaturës, nuk e shtrinë në varr horizontalisht. Nuk çelën varr për të. Por, e ngulën në gropën e një shtylle vertikalisht. Në gropën e një shtylle që nuk dihej se pse e kishin shkulur. Pasi e shëtitën gjithë ditën e lume nëpër qytet për me tremb njerëzit, në mesnatë, rreth 24 orë pasi ia vunë litarin në qafë dhe pasi e shëtitën, e ngulin në gropën e një shtylle vertikalisht…
5 vite qëndroi në këmbë në varr. Nuk e lejuan të shtrihej e prehej si gjithë të vdekurit…
Pasi iu gjet varri, afër fshatit Kolsh, 3 kilometër larg Kukësit, më 20 gusht 1993, Havzi Nelës iu dha titulli i lartë “Martir i Demokracisë”, nga Presidenti i atëhershëm, Sali Berisha. Prej asaj kohe, ai prehet në fshatin e tij të lindjes Kollovoz. Por, prehet edhe në kujtimet dhe shpirtin e të dashurës së tij të zemrës, të gruas që e ndoqi kudo e kurdo, të gruas që diktatura synoi ta deformonte nëpër burgje e kampe përqendrimi, prehet në shpirtin e kujtimet e Lavdie Nelës, e cila nuk reshti së treguari e së foluri asnjë çast për burrin e saj, Havzi Nela, për burrin i cili i shkroi dhjetëra e dhjetëra letra dashurie nga qelitë e burgjeve të diktaturës, për burrin që i dha jetë ëndrrave të saj, për burrin që ia varën, që ia morën nga gjiri dhe nuk i lejuan të lindnin as edhe fëmijë…
Vetëm letra nga burgu, që ia ka dërguar gruas së tij Lavdijes, Havzi Nela ka shkruar 100 copë. Pa llogaritur vjershat e shumta. Të gjitha janë, thotë Lavdija, por i ka marrë dikush për t’i përdorur për publikim.
Letrat dhe vjershat e Havziut i kanë ruajtur me shumë zor nëna e tij, gruaja Lavdija, vëllai, Shukriu, edhe pse Sigurimi i Shtetit i ka kërkuar e gjurmuar shumë ato letra.
Vëllezërit e Havziut, duke zbatuar amanetin e besën, ia ruajtën gjithë letrat e vjershat në bahçen e shtëpisë në Kollovoz, poshtë një peme dhe shumë të mbështjella e të siguruara për mos me u prish. Kur ra diktatura ata i nxorën në dritë. I pari që është marrë me sistemimin e dokumenteve të Havzi Nelës është Nazif Dokle, studiues.
Havzi Nela është vlerësuar shumë edhe nga autoritetet letrare të vendit. Poeti Xhevahir Spahiu është shprehur “jam gati të dal në mes të natës e të bërtas: Nuk vriten poetët o të marrë…”. Halit Shamata thotë se, Havzi Nela është i pari që i kushtoi poezi Helsinkut që në vitet shtatëdhjetë. Teodor Laço e cilëson si “vrasje të përjetshme të ndërgjegjes që vrau Havzi Nelën”. Visar Zhiti shton: “Spanja shpreh pendim për vrasjen e Lorkës, kurse tek ne vrasësit janë krenarë”.
Më 20 gusht 1993, Presidenti i atëhershëm, Sali Berisha, i jep titullin e lartë “Martir i Demokracisë”. Këtë titull e dërgoi në familje, në Kollovoz të Kukësit, shoku i qelive të burgut, shoku i idealeve, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë në atë kohë, Pjetër Arbnori. Ishte akti i parë i vlerësimit të figurës së Havzi Nelës në epokën e lirisë.

 

KUR TË VDES

Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë.
Thoni: “Ai urreu mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuetje e dërmoi”.
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”
Thoni: “Për njerzinë këndoi,
E për vete mbajti zi”.

Thoni se e qërroi terri
Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: “Çohu!”

Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue.
Mbi vorr tim me gur’e ferra,
Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur t’a ngushëlloni,
Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë”!

 

Kush ishte Havzi Nela

Poeti Havzi Nela ka lindur më 1934 në Kollovoz të Kukësit. Ai ishte njëri nga ata njerëz që s’u pajtua asnjëherë me të keqen. Qysh në shkollë të mesme nisi të formësohet dhe të marrë frymë ndjenja e rebelizmit ndaj padrejtësive të sistemit që po i ngrinte në sistem. Pasi kishte kryer shkollën pedagogjike në Shkodër, ai fillon punën në rrethin e Matit, por u bënë shkak disa vjersha që iu gjetën, të cilat siç duket ishin të “papëlqyera” për pushtetin dhe pushtetarët e asaj kohe dhe pushohet nga puna. Më 22 maj 1967 – dënohet me l5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e tij me 10 vjet të lirisë. Më 8 gusht 1975 – ridënohet me 8 vjet heqje lirie. 19 dhjetor 1986 – lirohet nga burgu. 12 tetor 1987 – internohet në Arrën. 15 qershor – arrestimi në katundin Brekijë. 15 qershor, ora 12 e mesditës – nis procesi hetimor. 24 qershor 1988 – dënimi i katërt, ose dënimi fatal. 25 qershor – bën ankim pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. 16 korrik – Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës. 2 gusht – Presidumi i Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e Havzi Nelës. 10 gusht 1988, ora 2:00 pas mesnate – ekzekutimi me varje në Kukës, tek stacioni i autobusëve. 10 gusht, ora 11:00 e paradites – trupi hiqet nga vendi i ekzekutimit. 11 gusht, ora l:00 pas mesnate – trupi futet në gropë.

Kalvari i vuajtjeve të poetit

Për të vëzhguar tablonë e mundimeve të Havzi Nelës, në rast se e heqim kapakun për të parë ferrnajën, me lehtësi mund të vërejmë se fijet e saj janë futur në trupin e tij si gjilpëra tejpërtej:
22 maj 1967 – dënohet me l5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e tij me 10 vjet të lirisë.
8 gusht 1975 – ridënohet me 8 vjet heqje lirie.
19 dhjetor 1986 – lirohet nga burgu.
12 tetor 1987 – internohet në Arrën.
15 qershor – arrestimi në katundin Brekijë.
15 qershor, ora 12 e mesditës – nis procesi hetimor.
24 qershor 1988 – dënimi i katërt, ose dënimi fatal.
25 qershor – bën ankim pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
16 korrik – Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës.
2 gusht – Presidumi i Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e Havzi Nelës.
10 gusht 1988, ora 2 mbas mesnate – ekzekutimi me varje në Kukës, tek stacioni i autobusëve.
10 gusht , ora 11 e paradites – trupi hiqet nga vendi i ekzekutimit.
11 gusht, ora l mbas mesnate – trupi futet në gropë.

Artikulli paraprakBasha: Havzi Nela është një thirrje për shoqërinë
Artikulli tjetërDule: Qeveria Rama represion në Himarë, gjoba selektive ndaj bizneseve