Krijimi i qeverisë, Gruevski po kërcënon Zaevin me luftë

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski i ka ofruar liderit të LSDM-së, Zoran Zaev mbështetjen e plotë për t’u bërë kryeministër me kusht që të heqë dorë nga koalicioni me partitë shqiptare, me të cilat ka arritur marrëveshje për miratimin e një ligji për gjuhën shqipe.
Madje, Gruevski ka thënë se është i gatshëm të pranojë edhe të arrestohet vetëm të mos rrënohen siç ka thënë “themelet e shtetit maqedon”.
“Le të më arrestojnë, të më burgosin, le të më keqtrajtojnë, vetëm të mos rrënojnë shtetit dhe themelet e tij”, thuhet në ofertën publike të Nikolla Gruevskit të prezantuar në llogarinë e tij në rrjetin Facebook.
Gruevski ka shkruar se VMRO-DPMNE është e gatshme të mbështesë një qeveri të pakicës që do të drejtohej nga LSDM-ja, por me kusht që të heqë dorë nga mbështetja për platformën shqiptare, të cilët e quan si “shkatërruese për Maqedoninë”.
Draftligji për gjuhët parasheh përdorim të gjerë të shqipes në Kuvend, qeveri, pushtetit gjyqësor, jurisprudencë, në dokumentet personale, organet e sigurisë, përfshirë edhe komunat ku nuk ka popullatë shqiptare, por në rastet kur shqiptarët u drejtohen atyre për marrjen e shërbimeve personale.
Kryetari i VMRO-së, Nikolla Gruevski ka thënë se kërkesa e shqiptarëve për zyrtarizmin e shqipes nuk do të ndalet me kaq, por se ata sipas tij “do të vazhdojnë me shantazhet deri në federalizimin e vendit”.
Në një paraqitje në një media të afërt me partinë e tij Gruevski ka thënë se VMRO-DPMNE-ja nuk do të rrijë “duarkryq”, por me të gjitha forcat do të mbrojë sovranitetin dhe karakterin unitar të Maqedonisë.
Ai ka thënë se ka shumë opsione për parandalimin e Zaevit, ndërsa ka shtuar se “në fund do të jetë populli ai që do të mbrojë shtetin”.
Reagimi i Gruevskit vjen një ditë pasi lideri social-demokrat, Zoran Zaev u mandatua për kryeministër nga partia e tij. Zaev ka siguruar 67 nënshkrime për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re. Nënshkrimet pritet t’ia dorëzojë Presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, i cili i jep mandatin për kryeministër.
Bazuar në reagimin e Gruevskit, por edhe deklarimet e mëparshme të Presidentit mund të ndodhë që ai të mos i japë mandatin Zaevit.
Presidenti ka thënë se nga ai do të kërkonte edhe programi qeveritar, kërkesë që është në kundërshtim me Kushtetutën pasi programi dhe përbërja e qeverisë prezantohen dhe miratohen vetëm në Kuvend.

Artikulli paraprakDebati për ushtrinë e Kosovës në OKB
Artikulli tjetërMedia greke: Shqipëria po na bombardon me drogë, policia e lejon vetë