Kreu PD Basha: Avokatia politike e Edi Ramës ndaj inceneratorëve, përmasa groteske. Pastrimi i politikës me 3 instrumente

Në konferencën e fundvitit  kreu i PD Basha është ndalur tek inceneratorët dhe pastrimi i politikës. Kryedemokrati Basha tha se avokatia politike e Edi Ramës ndaj inceneratorëve ka marrë përmasa groteske dhe se në këtë aferë është e gjithë trupa qeveritare.

”Para pak ditësh një ministër i Edi Ramës u arrestua për aferën mafioze të inceneratorëve. Prej vitesh PD dhe unë personalisht kemi denoncuar me fakte se si qeveria e Edi Ramës me në krye Edi Ramën e konceptoi, e zbatoi dhe përfitoi nga afera korruptive e inceneratorëve. Gjatë gjithë kohës jemi ndeshur me një mur që vetëm lartësohej, i cili përbëhej nga censurë, autocensurë, shpifje dhe sulme ndaj opozitës, ndaj meje dhe përfaqësuesve të PD që denonconin. Një xhirim të shpejtë të këtij qëndrimi e keni parë dhe në kom hetimor. Avokatia politike e Edi Ramës ndaj inceneratorëve ka marrë përmasa groteske. Vetëm, një javë para arrestimit të Kokës mbërritën kallëzime nga njerëz që janë sot në kërkim, kundër meje dhe 4 drejtuesve të tjerë të PD. Në këtë aferë nuk kemi të bëjmë me një njeri të vetëm, as ata 2-3 që janë në kërkim, por me gjithë trupën qeveritare avokatia dhe mbrojtja shtetërore që i ka bërë Edi Rama e ka nxjerrë atë zbuluar. Është bashkëautor, bashkëfajtor me Lefter kokën dhe të pandehurit e tjerë. Arrestimi i një min të Edi Ramës është provë e drejtësisë së qëndrimeve tonë, e qendresës sonë për të mbrojtur një kauzë që ka të bëjë me 400 mln euro. Para që mungojnë në xhepat e shqiptarëve”, tha Basha.

Për sa i përket pastrimit të politikës, kjo sipas kreut të PD bëhet me 3 instrumente, së pari zgjedhjet, e dyta që drejtësia të bëjë përpara dhe së treti vettingu i politikanëve.

“Pastrimi i politikës përmes 3 mënyrave, së pari zgjedhjet. Patronazhistët, një konfirmim i partisë-shtet, u konfirmua nga afera e inceneratorëve. Çlirimi i zgjedhjeve nga rrethimi i shumëfishtë, nuk mund të kryhet vetëm me disa hapa korrektivë, me ligjin e reformës zgjedhore. Kërkohet një reformë e thellë e cila të përfshijë dhe Kushtetutën. Një reformë e tillë kërkon dhe shoqërinë.
Ky është një kusht pa të cilin nuk mund të ecet përpara, arsyeja kryesore që PD ndodhet në një parlament që nuk përcakton vullnetin e qytetarëve, ku pakica është shumicë jo prej votës së shqiptarëve por prej masakrës zgjedhore.
E dyta mënyrë është që drejtësia të bëjë përpara. Hapat e parë janë inkurajues. Shqiptarët meritojnë më shumë dhe më shpejt, transparencë brenda kushteve të sekretit hetimor dhe hapi i tretë është vettingu i politikanëve. Iniciativa jonë nuk është për të larë gojën. Bashkë me ligjin antimafia, janë mënyra e vetme për të çliruar Shqipërinë”, deklaroi Basha.

 

Artikulli paraprakBasha i përgjigjet Ramës me shprehjen e At Gjergj Fishtës: Injoranca dhe krenaria shkojnë bashkë si shtati dhe hija
Artikulli tjetërBasha: Drejtësia të godasë korrupsionin, shqiptarët meritojnë një të ardhme më të mirë