Kreu i FBI-së po shpërndan marrëveshje imuniteti

“The Wall Street Journal”

Kreu i FBI-së, James Comey u shfaq të mërkurën përpara Komitetit Gjyqësor, ku pati një tjetër mundësi për të shpjeguar standardin e dyfishtë të agjencisë së tij në lidhje me trajtimin e çështjes së Hillary Clinton. Hetimi i tij për postën elektronike private të ish-sekretares së Shtetit ngjan më qesharake pas çdo zbulimi të ri.
Kreu i Mbikëqyrjes së Shtëpisë së Bardhë, Jason Chaffetz, tha ditën e premte se FBI-ja i kishte miratuar imunitetin mbështetësve kryesorë të Clintonit si pjesë e hetimit nëse Clinton kishte keqmenaxhuar informacionet e klasifikuara. Sipas Chaffetz, ky imunitet “i kufizuar” iu dha edhe ish-shefit të stafit, Cheryl Mills dhe këshilltares së lartë, Heather Samuelson një mënyrë për t’i bindur ato që të dorëzonin kompjuterët ku punonin duke bërë dallimin ndërmjet e-mail-eve private dhe atyre zyrtare të Clintonit.
Përse duhet ofruar imunitet në këmbim të dhënies së provave? “Nëse FBI-ja do të kërkonte laptopin e çdo amerikani tjetër, thjesht do të shkonte t’ia merrte, pa i ofruar asnjë marrëveshje imuniteti”, tha republikani Jim Jordan për “Politico”. FBI-së do t’i nevojitej vetëm një urdhër dorëzimi të materialeve që kanë lidhje me çështjen apo të merrte një mandat kontrolli. Duke ofruar imunitet, FBI-ja arriti të merrte në dorë këto laptopë për t’i etiketuar si prova potenciale në një hetim kriminal.
Beth Wilkinson, avokatja që përfaqëson Mills dhe Samuelson, thotë se marrëveshjet e imunitetit u projektuan për të mbrojtur klientet e saj kundër konflikteve në lidhje me deklarimin e informacioneve si të “klasifikuara”. Ky miratim tregon se të dyja ishin të ndërgjegjshme se laptopët e tyre të pasigurt mbanin informacione të klasifikuara për më shumë se një vit. Ndërkohë kreu i FBI-së lejoi që Mills dhe Samuelson të mbanin rolin e avokateve për Hillary Clinton gjatë një interviste me FBI-në, pavarësisht se ato vetë ishin intervistuar si dëshmitare dhe u ishte ofruar imunitet.
FBI-ja i ka ofruar imunitet edhe John Bentelit, i cili drejtonte zyrën e Departamentit të Shtetit për Menaxhimin e Burimeve të Informacionit; Bryan Pagliano ekspert i IT-së së Clintonit; si dhe një punonjësit të “Platte River Networks” (PRN), ku mbahej serveri i Clintonit. Zakonisht, FBI-ja “shpërndan” marrëveshje imuniteti në këmbin të informacioneve të sakta. Në këtë rast, FBI-ja duket se nuk i ka bërë këto kërkesa. Marrëveshjet gjithashtu nuk përfshinin – siç ndodh zakonisht – kërkesën që përfituesi të bashkëpunojë me trupa të tjerë hetues, siç është Kongresi.
Ndërkohë, FBI-ja priti deri në fund të ditës së premte për të nxjerrë 189 faqe të tjera dokumentesh nga hetimi, përfshirë edhe shënimet nga intervistat e Mills dhe Samuelson,  Pagliano, Huma Abedin dhe punonjësin e “Platte River Networks”. Kjo ngre akoma më shumë pikëpyetje.
Mos ndoshta FBI-ja ishte e shqetësuar se Mills, gjatë vjeshtës së vitit 2013 (pasi Kongresi filloi të hetonte sulmet në Bengazi) kishte thirrur Paglianon për ta pyetur rreth programit software që mund të përdorej për të “asgjësuar të dhëna kompjuterike”? Apo për faktin që punonjësi i “Platte River Networks” kishte marrë udhëzime nga Mills për të fshirë e-mail-et e Clintonit të 60 ditëve të fundit? Apo që punonjësi i “PNR” ishte instruktuar nga avokatët e komanisë për të mos dhënë përgjigje ndaj pyetjeve të FBI-së lidhur me bisedat që kishte bërë me David Kendall, avokatin personal të Hillary-t?
Dokumentet e FBI-së bëjnë gjithashtu publik faktin se Pagliano kishte pranuar se në fillim të mandatit të Hillary Clinton, kishte bërë biseda të vazhdueshme me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, të cilët ishin të shqetësuar për kërcënimin që përbënte serveri i saj privat për të dhënat federale dhe se mund të dilnin informacione të klasifikuara. Kur Pagliano ia paraqiti këto shqetësime zj.Mills, ajo vendosi t’i injorojë.
Do të donim gjithashtu të dinim se çfarë bëri FBI-ja me lajmet se Clinton ka mbajtur llogarinë e saj në Gmail. Kandidatja demokrate nuk ka folur kurrë për këtë detaj. Duke folur për këtë zbulim, Presidenti Obama tha se e kishte marrë vesh çështjen e serverit privat të Clintonit përmes raportimeve të lajmit në media. Megjithatë, shënimet e FBI-së tregojnë se ai i ka dërguar e-mail Clintonit në serverin e saj privat nën një pseudonim. Shtëpia e Bardhë është njoftuar kur Clinton ndryshoi adresën e saj të e-mail-it në mënyrë që serveri i sigurtë i Presidentit të mos përjashtohej nga e-mail-et e saj. A gënjeu edhe Obama?
Është refuzuar gjatë emërimi i prokurorëve specialë në këtë çështje, por kjo varet nga aftësia e oficerëve ligjorë për ta bërë punën e tyre pa favore politike. Fakti që z.Comey po merret me shqyrtimin e çështjes së Clintonit i bën amerikanët të pyesin veten nëse qeveria është e besueshme për ta kryer siç duhet këtë detyrë. Duke parë se çfarë trajtimi special i është rezervuar ndihmësve të Clintonit, kanë të drejtë të dyshojnë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakBankat gjermane në buzë të greminës?
Artikulli tjetërQeveria Rama, sëmundja epidemike që po shkatërron biznesin dhe Shqipërinë!