Kreu i Antimafias italiane: Në Shqipëri pastrohen paratë e drogës të shitur në Itali

Prokurori i antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho ka thënë gjatë një konference në Tiranë se një e ardhme në Europë ndërtohet përmes një lufte të pareshtur ndaj kriminalitetit dhe korrupsionit.
Gjatë konferencës, De Raho tha se, lufta ndaj krimit dështon nëse s’merremi me mekanizmin financiar që ndihmon trafikantët.
“Krimi shqiptar është i specializuar në trafikun e lëndëve narkotike, hetime të shumta janë duke u zhvilluar në Itali dhe vende të tjera. Të gjitha drejtoritë e rretheve në Itali janë duke hetuar për këtë gjë. Rezulton se është rritur edhe trafiku i armëve, të mendojmë për shfaqjen e territorit ku mund të zbatohet. E përsërisim, ne, po edhe agjencitë ndërkombëtare, se çdo veprim në luftën ndaj kriminalitetit do të falimentojë nëse nuk merremi me mekanizmin financiar”, u shpreh De Raho.
Prokurori italian tha se, kriminaliteti shqiptar është i specializuar në trafikun e drogës, të ardhurat e të cilës riciklohen në Shqipëri.
“Vetëm në raste shumë të rralla fitimet janë fshehur apo riinvestuar në Itali, pasi ka një mundësi të lartë, që pastrimi i parave të ndodhi përmes organizatave kriminale. Ky fenomen ndodh në Shqipëri. Riinvestimi i paligjshëm dhe korrupsioni janë rrezik shumë serioz. Mendojmë sa korrupsion mund të ketë nga subjektet kriminale që kanë pasuri të mëdha. Në çdo vend të botës ka jo vetëm një lidhje mes korrupsionit dhe rëndësisë ekonomike që ka marrë trafiku i drogës, por edhe një marrëdhënie e drejtpërdrejtë e konsolidimit të organizatave të mëdha dhe depërtimi në politikën vendore apo qendrore”, tha De Raho.

Artikulli paraprakBasha, bashkëbisedim me tregtarët e Shkodrës: Punojmë për sevap, ka mbaru çdo gjë këtu!
Artikulli tjetërMinistri Lleshaj injoron Parlamentin, nuk pranon të paraqitet në komision!