Kremtimi i Fitër Bajramit, mijëra besimtarë myslimanë mbushën sheshin “Skënderbej”

Besimtarët myslimanë në Shqipëri kremtuan sot festën e Bajramit të Madhe ose Fitër Bajramit. Këtë mëngjes, mijëra besimtarë myslimanë kanë mbushur sheshin “Skënderbej” për ceremoninë e faljes së namazit rreth orës 5:40 dhe mbaroi në 6:20.

Këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar pandemik me kufizime të forta, besimtarët u lejuan të grumbullohen në shesh.

Ceremonia filloi me lexim Kur’ani nga Imami i Xhamisë së Et’hem Beut, Elton Karaj, pastaj fjala përshëndetëse nga Kryetari i KMSh-së, H. Bujar Spahiu, Ligjëratë nga Nënkryetari i KMSh-së, Taulant Bica, Falja e Namazit ku Kryetari i KMSh prin në namaz dhe Hytbeja nga Myftiu i Tiranës, Lauren Luli.

Kryetari i KMSH, Bujar Spahiu, i uroi një ditë më parë të gjtihë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë.

“Bajrami është festë është gëzim që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër. Urojmë që sikurse në këtë ditë kur ata që kanë më shumë japin për nevojtarët (ZEKATIN), t’i gjendemi përherë pranë të varfërve dhe të angazhohemi vazhdimisht për një shoqëri të drejtë e solidare.

Sakrifica dhe devotshmëria e muajit të Ramazanit duhet të jetë shembull i angazhimit tonë për adhurimin e Zotit të Gjithësisë, ndërsa solidariteti dhe dashuria që e karakterizojnë festën e Fitër Bajramin të jenë vlera të përhershme të shoqërisë dhe mbarë njerëzimit”, u shpreh Spahiu.

Artikulli paraprakBasha, mesazh urimi për Fiter Bajramin pas vizitës në Komunitetin Mysliman
Artikulli tjetërFasada e zgjedhjeve dhe pikëpyetjet për drejtësinë