Kreditë e këqija, biznesi nuk shlyen borxhet

Pjesa dërrmuese e kredive të këqija janë borxhe të pashlyera nga bizneset. Banka e Shqipërisë raportoi se qytetarët janë shumë më korrekt me kthimin e borxheve se sa bizneset. Sipas statistikave të bëra publike në raportin vjetor të BSH, në fund të vitit të kaluar norma e kredive të këqija për individët ishte vetëm 10%, ndërkohë që për biznesin shifra është 21.5 për qind.
Të dhënat tregojnë se individët kanë qenë historikisht qenë më të rregullt me shlyerjen e borxheve. Në të kundërt, bizneset vijojnë të jenë problematike me kthimin e huave.
Gati gjysma e kredive të këqija në Shqipëri zotërohen vetëm nga një grusht kompanish, më saktë 35 të tilla. Sipas Bankës së Shqipërisë, në total këto biznese kanë rreth 600 milionë euro borxhe të pashlyera në banka dhe pavarësisht se herë pas here kanë përfituar falje të një pjese të borxhit, vazhdojnë të mbeten problematike.
Sipas Bankës së Shqipërisë një pjesë e këtyre kompanive tashmë janë në fazë ristrukturimi, ndërsa 7 janë në proces falimentimi.
Të ndara sipas monedhës rezulton se pjesa më e madhe e kredive të këqija janë në valutë. Kreditë në valutë janë marrë kryesisht nga biznesi për të financuar investime gjatë viteve të shkuara. Por me mbërritjen e krizës financiare një pjesë e madhe e këtyre investimeve kanë rezultuar jo fitimprurëse duke bërë që bizneset të mos kthejnë borxhet në banka.
Megjithatë gjatë dy viteve të fundit treguesi i kredive me probleme është përmirësuar falë fshirjeve masive të borxheve nga bankat. Në maj 2017, treguesi i kredisë me probleme zbriti në 15.86%, në krahasim me 16.6%, që ishin muajin e mëparshëm.

Artikulli paraprakIbra dëshiron të jetë te United
Artikulli tjetërAntonio Conte i pakënaqur me merkaton e Chelsea