Kreditë e këqija, 93 milionë euro

Duke u bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se, niveli i kredive performuese në vend aktualisht është 93 milionë euro apo 3,9 për qind e nivelit të përgjithshëm të kredive në vend, të cilat në fund të qershorit të këtij viti kanë arritur në 2 miliardë e 390 milionë euro, transmeton zeri.info. Niveli i kredive joperformuese (të këqija) deri në fund të muajit qershor të këtij viti sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës ka rënë në 3,9 për qind apo në rreth 93 milionë euro. Në raport me të gjitha vendet e rajonit. Kosova qëndron më së miri sa i përket kredive joperformuese. “Deri në qershor të 2017-ës sektori bankar regjistroi rënie të kredive joperformuese dhe përmirësim të mbulueshmërisë së tyre me provizione. Niveli i kredive joperformuese shënoi rënie në 3,9 për qind, një shkallë e ulët krahasuar me vendet në Ballkanin Perëndimor dhe vendet në Eurozonë, transmeton zeri.info. Për më tepër, niveli i mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione shënoi rritje në 136,6 për qind”, thuhet në raportin e stabilitetit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës. Aty më tutje thuhet se sektori bankar u karakterizua me rritje të profitit si rezultat i rritjes së të hyrave dhe rënies së shpenzimeve të sektorit.

Investimet

Nga 139 milionë euro sa ka arritur vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte në Kosovë në gjysmën e parë të këtij viti rreth 76 milionë euro janë investuar në patundshmëri. Investimet e huaja në Kosovë nuk pritet të shënojnë rritje as edhe këtë vit. Nëse krahasojmë investimet e huaja prej vitit 2007 e deri më tani shohim që viti 2007 ishte viti që ka sjellë më së shumti investime të huaja në Kosovë, me plot 440.7 milionë euro. Kjo shifër nuk arriti të kalohej edhe pas 10 vjetëve. Niveli më i ulët i investimeve të huaja në Kosovë ishte gjatë vitit 2014, me vetëm 151.2 milionë euro. Në vitin 2008 në Kosovë ishin 369.9 milionë euro investime të huaja, në vitin 2009 investimet arritën shifrën e 287.4 milionë euro, në vitin 2010 rreth 370 milionë euro, në vitin 2011 investimet kishin arritur shifrën e 384.4 milionë eurove. Gjatë vitit 2012, totali i investimeve ishte 229.1 milionë euro, në vitin 2013 kishte 280.2 milionë euro investime, në vitin 2014 rreth 151.2 milionë euro, në vitin 2015 kishte 308.8 milionë euro investime dhe në vitin 2016, shifra e investimeve ishte rreth 216 milionë euro. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017 investimet e huaja arritën shifrën e 139.2 milionë eurove. Gjermania ishte shteti që gjatë kësaj kohe ka investuar më së shumti në Kosovë, me 29.7 milionë euro, e pasuar nga Zvicra, me rreth 22.8 milionë euro investime. Austria investoi me 20.4 milionë euro, SHBA-ja me 11.9 milionë euro dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me 11.2 milionë euro. Listës së investitorëve të huaj i shtohen edhe Britania e Madhe, me 10.8 milionë euro, Shqipëria me 8.8 milionë euro, Turqia me 8.3 milionë euro, Italia me 2.5 milionë euro dhe investimet nga shtetet tjera rreth 12.8 milionë euro. Nëse analizojmë investimet e huaja në Kosovë gjatë periudhës janar-qershor, sipas aktivitetit ekonomik, 75.4 milionë euro u investuan në patundshmëri, në qiradhënie dhe në aktivitetet biznesore. Në shërbime financiare investimet arritën shifrën e 37.6 milionë eurove. Në miniera 6.6 milionë euro, në shërbimet tregtare kishte 6.7 milionë euro investime dhe në ndërtim vlera e investimeve arriti shifrën e 14.4 milionë eurove.

Artikulli paraprak14 mënyrat për tu punësuar në Shtetet e Bashkuara
Artikulli tjetërBuxheti faktik, u mblodhën 22 milionë euro më pak se plani