Kredia dhe çmimi i banesave

Rritja e kredisë hipotekare nga bankat që pas vitit 2004 ka ndikuar pozitivisht në shtrenjtimin e apartamenteve, ndërkohë që blerja e apartamenteve ka qenë dhe një investim relativ, krahas atij të blerjes së bonove të thesarit. Një raport i përgatitur nga Erjona Suljoti, nga Banka e Shqipërisë, e cila ka analizuar implikimet e kushteve financiare në tregun e banesave thekson faktin se pavarësisht nivelit të ulët të kredive hipotekare në Shqipëri, zhvillimi i saj ka një efekt të rëndësishëm statistikor në zhvillimin afatgjatë të çmimeve të banesave. Për më tepër, ky studim konfirmon një lidhje statistikisht të rëndësishme negative midis çmimeve të banesave dhe yield-it 12-mujor të bonove të thesarit, në përputhje me hipotezën e ngritur se tregu i letrave me vlerë në vend është një alternativë për investimin e kursimeve. Ndërkohë, raporti thekson se puna kërkimore për këtë material nxori në pah disa çështje të rëndësishme, që pengojnë zhvillimin e tregut të banesave në Shqipëri. Në një treg të pasurive të paluajtshme me informalitet të lartë, qeveria miraton rregullisht listën e çmimeve të referencës të banesave sipas zonës, duke ndërhyrë në vendosjen e çmimeve. Gjithashtu, tregu i banesave vazhdon të vuajë nga probleme të shumta sa i përket zbatimit të ligjit dhe të drejtave të pronësisë në vend, të cilat pengojnë zhvillimin e natyrshëm të çmimeve, nëpërmjet ndërveprimit të kërkesës dhe ofertës në treg. Problemet ligjore dhe ato institucionale në zgjidhjen e çështjeve të pronësisë dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë të tokës, kanë kontribuar në shtrembërimin e çmimeve të banesave.

Artikulli paraprakEuro shënoi nivele të ulëta në nëntë vite
Artikulli tjetërKeqqeverisja një nga tre kërcënimet për Ballkanin