KQZ, streha e fundit e vrasësit Mondi Prenga

Nën urdhrat politikë të Ramës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje që të mos i heqë mandatin deputetit socialist, Armando Prenga duke refuzuar të njohë vendimin e formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Kurbinit, e cila dënon Prengën për falsifikim të dokumenteve. Për të fituar kohë në përpjekje për të shpëtuar mandatin e Prengës, KQZ-ja vendosi që të kërkojë më shumë informacione nga Prokuroria për dënimin e deputetit. Një shkresë e publikuar në media tregon një pjesë të vendimit që Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar para disa ditësh Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndërprerjen e mandatit të Armando Prengës. Sipas dokumentit të dërguar në KQZ nga Prokuroria, thuhet se deputeti socialist në vitin 2005 është dënuar me vendim të formës së prerë për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”. Por dje KQZ-ja vendosi të kërkojë informacione shtesë për rastet në Itali, ndërsa nuk e mori parasysh vendimin e formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Kurbinit.
Edhe pse anëtarët e opozitës në KQZ kërkuan që të votohej heqja e mandatit, me forcën e kartonit mazhoranca vendosi të kërkojë sërish informacione në lidhje me aktivitetin e Armando Prengës. Sipas dokumentit të dërguar në KQZ nga Prokuroria, thuhet se deputeti socialist në vitin 2005 është dënuar me vendim të formës së prerë për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”. Ndërkohë, një hetim penal është regjistruar edhe kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi Prokuroria e Përgjithshme ka konstatuar se, në disa raste, ky institucion nuk ka përmbushur detyrimet e tij në bazë të Ligjit “Për dekriminalizimin”.
Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Armando Prenga i duhet ndërprerë mandati i deputetit, pasi rezulton që nuk ka deklaruar: 1. Një dënim të formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, me 450 000 lekë gjobë. 2. Si edhe faktin që rezulton me precedentë penalë në shtetin italian për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos. Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane. Pas ushtrimit të nismës nga ana e prokurorit të Përgjithshëm për deputetin Armando Prenga, Prokuroria është informuar nga KQZ se subjekti nuk ka deklaruar një vendim të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Këtë informacion, KQZ e ka disponuar më 27.05.2016 me anë të një vërtetimi të gjendjes gjyqësore.
Sipas organit të akuzës, KQZ duhet të kishte bërë kallëzim penal menjëherë pas këtij konstatimi, pra në maj 2016, pasi subjekti ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. KQZ nuk e ka kryer këtë detyrim ligjor. Për më tepër, edhe në shkresën KQZ, datë 14.02.2017, sjellë për verifikim të thelluar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, nuk specifikohet që subjekti i është përgjigjur me “JO” pyetjes nëse ka një vendim penal të formës së prerë.

Ramës nuk i dalin llogaritë për të pasur 71 deputetë

Vendimi i KQZ dje në favor të Armando Prengës dëshmoi se ky institucion nuk vendosi në bazë të ligjit, por në bazë të urdhrit politik të Ramës, i cili i gjendur në vështirësi numrash në Parlament, Armando Prenga i duhet me patjetër në Parlament. Rrudhja e mbështetjes së Ramës brenda grupit të tij, ku pas largimit të deputetëve Blushi e Hafizaj, heqja e mandatit të disa deputetëve socialistë të konstatuar me precedentë penalë vë në pikëpyetje numrat e Ramës në Parlament. Prokuroria ka paralajmëruar se lista e deputetëve, për të cilët organi i akuzës ka kërkuar verifikimin e dosjeve në bazë të ligjit për dekriminalizimin mund t’i shtohen edhe emra të tjerë deputetësh. Në këto kushte, Rama e sheh veten të rrezikuar përballë rrudhjes së numrave të tij në Parlament, ku dihet se numri i deputetëve socialistë me predecentë penalë është i lartë. Ndaj dhe KQZ luajti blofin me zbatimin e ligjit në lidhje me Prengën për të mbrojtur këtë të fundit nga heqja e mandatit pas kërkesës së Prokurorisë për ta zhveshur atë nga funksioni i deputetit.

Prenga me 10 identitete të rreme në Itali

Deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga rezulton se ka mbajtur disa emra të rreme në Itali. Siç konfirmohet nga dokumenti i policisë italiane, deputeti socialist, ka përdorur identitete të ndryshme si: Ardian Ndoka, Mond Gjoni, Don Gjoni dhe Arjan Ndoci. Gjithashtu sipas dokumentit të policisë italiane, Prenga ka precedentë penalë të mëparshëm si grabitje, falsifikim dokumentesh dhe krim prone. Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar t’i ndërpritet mandati deputetit të Kuvendit, Armando Prenga, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. “Të dhënat janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Në dosjet e drejtësisë italiane, Prenga rezulton person me precedentë të rrezikshëm si i përfshirë në trafik droge e prostitucion, si dhe vepra të tjera penale. Bëhet e ditur se deputeti Armando Prenga në Itali kishte ndryshuar identitetin për shkak të problemeve me drejtësinë. Por ai gjeti strehë tek Rama dhe grupi i deputetëve socialistë. Pas futjes në Parlament, Rama e përdori Prengën për të ushtruar dhunë ndaj deputetëve të opozitës. Por nga ana tjetër, Prenga njihet edhe për vepra të tjera penale. Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste Armando Prenga është arrestuar mëngjesin e 5 shtatorit 2015, nën akuzën e “Plagosjes së rëndë, me dashje”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosje serioze për vrasje”. Deputeti ishte njëri prej 6 të arrestuarve në flagrancë pas një përplasjeje me armë zjarri e mjete të ftohta mes disa pjesëtarëve të familjes Cali dhe familjes Prenga. Konflikti kishte të bënte me pronësinë e Lagunës së Patokut, ku deputeti socialist zhvillonte aktivitetin e tij duke kërcënuar me forcën e pushtetit familjen Cali. Të dyja familjet ishin në procese gjyqësore në lidhje me pronësinë e Lagunës. Falë ndërhyrjes së Ramës, Prenga u lirua nga burgu duke u rikthyer në Parlament. Ai sërish përdoret nga Rama, si llogari numrash për të miratuar apo rrëzuar ligje.

Arben Shahini

Artikulli paraprakJehonat rumune të gjeopolitikës globale
Artikulli tjetër“BBC”: Janë 5 miliardë euro në vit nga droga, jo 2 miliardë