Kostoja e dhunës sa 7% e PBB-së

Shqipëria ndodhet në listën e vendeve të paqta në botë, e renditur e 54-ta nga 162 ekonomi botërore, me një rënie prej 2 shkallësh krahasuar me një vit më parë, sipas studimit të realizuar nga “Global Peace Index 2015″.
Sipas Institutit për Ekonominë dhe Paqen, ndikimi global ekonomik i dhunës ishte 13.6 trilionë dollarë PPP në vitin 2015, e rritur me 2% krahasuar me një vit më parë. Në Shqipëri kosto e dhunës, sipas studimit vlerësohet të jetë sa 7% e PBB-së.

Europa më e paqta
Europa vijon të dominojë në këtë indeks, me shtetet më të paqta në botë, ndërsa Afrika dhe Lindja e Mesme kanë performancën më të keqe. Sipas raportit, shtetet më të paqta në botë po bëhen gjithnjë e më të paqta, ndërsa ato në gjendje lirie të munguar, po i shtohen trazirat më tepër dhe si rrjedhojë, edhe kostot e dhunës.
Ndër 20 shtetet më të paqta në botë, 15 janë shtete evropiane. Raporti tregon sakaq që ndikimi i terrorizmit përkeqësoi rreth 77 vende, ndërsa ata që panë përmirësim ishin vetëm 48. Vetëm 37 nga 163 vende të matura nuk kanë pasur ndikim të terrorizmit. Përkeqësimin më të madh e kanë vendet e Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme.

Gjendja e Ballkanit, në përkeqësim
Shtetet ballkanike janë ndër shtetet e paqta që shfaqen në zonën jeshile. Renditjen më të mirë në Ballkan e ka Serbia, e 48 në botë, sakaq vjen Shqipëria e 54, që ka humbur 2 vende, Mali i Zi i 57. Bosnja dhe Hercegovina ka pësuar rënie drastike të paqes, me 11 shkallë, duke u vendosur kështu në zonën e verdhë, të mesme të paqta. Kosova ka pësuar rënie me 11 shkallë po ashtu nga një vit më parë, ndërsa Maqedonia vijon të mbetet në zonën e verdhë. Performancë më të keqe duket se e ka Maqedonia, e renditur e fundit në Ballkan dhe e 94 në botë, në zonën e verdhë, por me 22 shkallë të zbritura nga një vit më parë.
Instituti për Ekonomi dhe Paqe, i cili ka publikuar raportin ka përdorur 23 kritere në mënyrë për të marrë rezultate, duke përfshirë nivelin e dhunës, nivelin e vrasjeve, jostabilitetin politik dhe numrin e vdekjeve në konflikt të brendshëm.

Artikulli paraprakFIAA: Legjislacioni tatimor kompleks dhe i pakuptueshëm
Artikulli tjetërInvestimet e huaja bien me 42%