Kosovë, rritja ekonomike e pamjaftueshme për uljen e papunësisë

Pavarësisht rritjes ekonomike që ka ndikuar nga sektori privat dhe uljes së papunësisë në 28 për qind në këto dy vitet e fundit, bizneset kosovare ende po përballen me barriera të shumta, duke filluar nga korrupsioni, informaliteti i lartë, tregu i vogël dhe importi i madh i mallrave. Kështu u tha në konferencën IV ndërkombëtare me temë “Aktivizimi i Burimeve të Rritjes Ekonomike” të organizuar nga Instituti Riinvest. Kryeministri në detyrë, Isa Musatafa duke vlerësuar lart kontributin e Institutit Riinvest, tha se gjatë qeverisjes dyvjeçare ka pasur bashkëpunim me këtë institut dhe kanë respektuar të gjeturat nga hulumtimet e tyre, ku ka rezultuar me rritjen ekonomike që është rreth 4 për qind sa ka qenë 1.2 për qind. Mustafa tha se papunësia në qeverisjen e tij është ulur nga 35 në 27 për qind, duke shtuar se papunësia është problemi më i madh që ka Kosova kryesisht te punësimi i grave. Ai përmendi resurset shtetërore të Kosovës që sipas Mustafës është një potencial i madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe kjo rritje në vitet e ardhshme mund të jetë edhe më e lartë dhe papunësia të ulet në vazhdimësi. Menaxheri për Kosovën në Bankën Botërore, Marcko Mantovamelli, tha se këto hulumtime të prezantuara nga Instituti Riinvest janë krah për krah me hulumtimet e BB-së. Sipas tij aspekti makrofiskal është stabël dhe Kosova ka nivel të ulët të borxheve. Ai vlerësoi rritjen ekonomike që sipas tij është më e larta në vendet e Ballkanit. Ruud Vermeulen përfaqësues i FMN-së, me këtë rast tha se është këndvështrim edhe i FMN-së se rritja ekonomike në Kosovë është e mirë krahasuar edhe me vendet e Ballkanit, por sipas tij kjo normë duhet të jetë edhe më e lartë për të ulur numrin e papunësisë dhe varfërisë. Përqindja e papunësisë sipas tij mbetet 28 për qind. Vermeulen theksoi se duhet identifikuar se cila është baza e rritjes në Kosovë dhe cilat janë barrierat e rritjes më të lartë në Kosovë. Ai parasheh normën e rritjes ekonomike prej 3.5 deri 4 për qind edhe për vitin 2017 deri në vitin 2022. Drejtori i kërkimeve në Institutin Riinvest, Alban Hashani, tha se synimi i këtyre hulumtimeve ka qenë pasqyrimi dhe trajtimi i temave ekonomike. Sipas tij, problemet ekonomike me të cilat përballet Kosova janë të mëdha me gjithë të arriturat pozitive në periudhën e fundit. Ai tha se krahas sfidave kyçe me të cilat përballet Kosova, është papunësia dhe varfëria. Papunësia sipas Hashanit mbetet 28.7 për qind, ndërsa sipas tij remitencat nga diaspora mbetet një shtytje e madhe për vendin. Klima e të bërit biznes sipas publikimit të Riinvest, në bazë të burimeve të ndryshme të të dhënave vlerësohet se në tremujorin e parë të vitit 2017 ka një disponim relativisht të mirë sa i përket perceptimit të bizneseve lidhur me ambientin e përgjithshëm biznesor.

Artikulli paraprakÇfarë po ndodh me Universitetin e Elbasanit?
Artikulli tjetërVotim pa popullin nuk do të ketë, 88 ditë protestë