Kosova zyrtarisht me kodin telefonik 383

Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, (ITU) i ndau ditën e enjte Kosovës zyrtarisht kodin e saj telefonik 383. Lajmi u mirëprit në Prishtinë. Kosovës edhe zyrtarisht nga ditën e enjte (15.12) iu nda kodi telefonik 383. Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit e vendosi Kosovën në listën zyrtare të shteteve që kanë kode telefonike dhe e publikoi në faqen e vet zyrtare. Ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, e cila ishte tash e gjashtë vjet pjesë e këtyre bisedave me Serbinë, tha se ky lajm përbën një arritje historike për Kosovën. “I bëjmë me dije opinionit se ITU në pajtim me marrëveshjen e telekomit ka publikuar kodin telefonik për Kosovën. Ky lajm përbën një arritje historike për fushën e telekomit dhe fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, tha në një reagim të parë të saj, ministra Edita Tahiri.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. “Kosova ka shënuar një arritje të madhe duke bërë një hap të rëndësishëm në kompletimin e elementeve të shtetësisë. Ndarja e kodit telefonik ndërkombëtar e forcon sovranitetin dhe subjektivitetin e shtetit”, tha kryeministri Mustafa. Ndarja e kodit telefonik për Kosovën u bë e mundur pas një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Serbia është pajtuar që mos ta pengojë Kosovën në marrjen e kodit të saj telefonik, ndërsa, Kosova tash është e obliguar që t’ia lejojë shërbimet në Kosovë një kompanie serbe, por që kjo kompani të regjistrohet me rregullat dhe ligjet e shtetit të Kosovës.
Kjo kompani, “do të veprojë me leje të plotë për shërbimet telefonike në Kosovë dhe do të marrë autorizimin e përkohshëm për telefoninë mobile”. Kosova që nga paslufta vazhdon të shfrytëzojë tri kode telefonike, 381 që ishte pronë e ish-federatës jugosllave, kodet për telefoninë celulare, 377 kodin telefonik të Monakos dhe 386 kodin telefonik të Sllovenisë. Zyrtarë të lartë nga Posta dhe Telekomi i Kosovës, thanë se që nga paslufta, Kosova duke shfrytëzuar kodet e huaja telefonike është detyruar të paguajë mbi 200 milionë euro. Sipas tyre kodi i ri 383 telefonik i Kosovës, do të fillojë të aplikohet nga janari i vitit 2017 dhe përfitimet e Kosovës për një periudhë të caktuar sipas tyre do të jenë mbi 100 milionë euro.

Artikulli paraprakKompanitë e teknologjisë së lartë ndryshojnë qëndrim
Artikulli tjetërRinovohen sanksionet e BE-sё ndaj Rusisё