Kosova votoi të dielën Haradinajn Kryeministër

Nga votave të numëruara, koalicioni PAN, doli i pari në zgjedhje. 42% nga 1.9 milionë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote, votuan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në një atmosferë të qetë pa ndonjë incident që do ta minonte procesin zgjedhor. Nga votat e numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), koalicioni i PDK-AAK-Nisma, me kandidatin për kryeministër Ramush Haradinaj ka fituar 34.6 për qind të votave.
Në vendin e dytë është radhitur Lëvizja Vetëvendosje me 26.7 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa e treta me 25.8 për qind të votave. Nga partitë serbe, Lista Serbe ka fituar mbi 5 për qind të votave.
Sipas KQZ, përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje ishte 42% apo 750 mijë qytetarë votuan në këto zgjedhje, nga rreth 1.9 milionë sa kishin të drejtë vote. Në këtë përqindje të publikuar online nga KQZ nuk janë përfshirë votat me kusht dhe votat nga diaspora, që megjithatë nuk pritet që ta ndryshojnë shumë rezultatin e zgjedhjeve.

Haradinaj: Kosova e ka kaluar sprovën

Pas mesnate, kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, tha se “Kosova e ka kaluar sprovën me zgjedhjet e 11 qershorit dhe votuesit i kanë dhënë besimin këtij koalicioni”. I kujdesshëm në deklarim për rezultatin zgjedhor, u shfaq kryetari i LDK-së Isa Mustafa, duke thënë se partia e tij pret rezultatin përfundimtar.
“Ftojmë të gjithë komisionarët, vëzhguesit dhe menaxherët e qendrave të votimit që të qëndrojnë në qendrat e votimit dhe ta numërojnë çdo votë, sepse aty është vullneti i qytetarëve në favor të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partnerëve të saj”, theksoi Isa Mustafa.
Të entuziazmuar, siç thanë me rritjen, u shfaqën edhe udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët thanë se në nivel partish, ata qysh sot e konsiderojnë veten “partia më e madhe në Kosovë”.

KQZ: Vlerësim pozitiv

Kryetarja e KQZ, Valdete Daka, procesin zgjedhor e cilësoi të jetë zhvilluar në një atmosferë të mirë dhe pa probleme. “Procesi zgjedhor ka shkuar shumë mirë, me përjashtim të disa pengesave teknike, por asgjë serioze që do ta minonte procesin. Janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në të gjitha komunat e Kosovës. Rezultatet preeliminare do të vijnë në kohë reale, varësisht sipas dinamikës së numërimit nga qendrat e votimit. Edhe në veri të Kosovës procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë problem. Sipas një raporti të OSBE-së që ka vëzhguar zgjedhjet në veri, ka pasur disa tentime për votim të dyfishtë, por, kjo është pamundësuar nga komisionerët e zgjedhjeve”, thotë Valdete Daka.

29 mijë vëzhgues në zgjedhje
Zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit u vëzhguan nga mbi 29 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, vëzhgues nga Bashkimi Evropian, si dhe ambasadat e huaja në Prishtinë.
Edhe përfaqësuesit nga organizatat joqeveritare Demokracia në Veprim (DNV) që vëzhguan zgjedhjet, thanë se procesi i votimit në të gjithë territorin e Kosovës ka shkuar pa ndonjë problem të theksuar, ndonëse, ata prezantuan disa parregullsi, kryesisht siç thanë “votimet familjare”. Sipas kësaj organizate (DNV), disa parti politike në deklarimet publike gjatë ditës së djeshme kanë thyer heshtjen zgjedhore duke deklaruar para mediave për avantazhe të partive të tyre. Heshtja zgjedhore sipas KQZ-së, vlente deri në orën 19:00, kur zyrtarisht mbyllen qendrat e votimit.

Forca të shtuara në veri të Kosovës

Në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, kishte forca të shtuara të rendit për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndonëse sipas autoriteteve në Prishtinë në këtë pjesë ka disa ditë edhe gjatë fushatës zgjedhore që mbretëronte një tension dhe tentim për të ndikuar tek votuesit se për kë duhet të votojnë. Këtë shqetësim e pati ngritur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Serbia përmes frikësimit ka tentuar të orientojë serbët e Kosovës se duhet të votojnë për një subjekt të caktuar politik që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar”.
Policia e Kosovës ishte e angazhuar në të gjithë territorin e vendit. Të angazhuar ishin edhe rreth 100 prokurorë për të siguruar dhe ndëshkuar të gjitha tentimet e mundshme për keqpërdorim apo prishje të procesit të votimit. Prokurorët që ishin të angazhuar në veri të Kosovës janë shfaqur të befasuar me procesin siç thonë të qetë dhe pa problem që u zhvillua në veri të Kosovës.
Sidoqoftë, institucionet që do të dalin nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, do të përballen me tri çështje, të cilat kanë shkaktuar mjaft telashe brenda politikës kosovare. Është çështja e demarkacionit me Malin e Zi, dialogu me Serbinë dhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe fillimi i punës së Gjykatës Speciale për Krime Lufte, e cila sipas analistëve mund të godasë “figura të larta politike në Kosovë”.

“Die Presse”: Ndërtimi i qeverisë së re do të zgjasë

Krijimi i qeverisë së Kosovës mund të zgjasë më shumë sesa premtimet zgjedhore për zgjidhje: rezultatet akoma nuk janë përfundimtare, megjithatë prin ish-komandanti i UÇK në Kosovën Perëndimore, Ramush Haradinaj, i cili është akuzuar nga Serbia për krime gjatë Luftës së Kosovës 1998/99, shkruan media e djathtë austriake “Die Presse”.
Por pavarësisht se kush do ta marrë timonin e qeverisë së re, e pret një mision i vështirë. Kandidatët premtuan shumë: Haradinaj liberalizimin e vizave brenda tre muajsh. Abdullah Hoti nga LDK premtoi rritje ekonomike prej tetë për qind. Por problemet në vendin e vogël ballkanik janë më të mëdha sesa premtimet. Varfëria, papunësia, korrupsioni ose bllokada nga Serbia. Korrupsioni është i kudondodhur dhe përkundër çmimeve të lira që ofron vendi, investitorët qëndrojnë larg. Kosova i importon thuajse të gjitha mallrat dhe është e varur nga remitancat.

Demarkacioni si bllokim i liberalizimit të vizave

Serbia bllokon integrimin e Kosovës nëpër institucionet ndërkombëtare, ndërsa dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit hëpërhë është abroguar. Në kohën kur gjeorgjianët dhe ukrainasit nuk kanë nevojë më për vizë për të vizituar zonën Shengen, banorët e Kosovës akoma duhet t’u drejtohen konsullatave: moszgjidhja e demarkacionit me Malin e Zi lidhet ngushtë me mosliberalizimin e vizave.

“Reuters”: Vetëvendosja surpriza në Kosovë

Agjencia e lajmeve “Reuters” ka raportuar për rezultatin preliminar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor në Kosovë.
Në raportin e kësaj agjencie, thuhet se befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte rezultati i Lëvizjes Vetëvendosje.
Koalicioni i kryesuar nga Partia qeverisëse e qendrës së djathtë, ajo Demokratike e Kosovës (PDK) doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, por asaj do t’i duhet të gjejë një partner koalicioni për të formuar një qeveri të qëndrueshme.
Me 70 për qind të votave të numëruara, koalicioni i kryesuar nga PDK kishte 34.3 për qind të votave, Vetëvendosje (VV) 26.3 për qind dhe koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), 25.8 për qind, shkruan “Reuters” duke cituar rezultatet e DnV-së.
Rreth 1.9 milion kosovarë, gati gjysmë milioni i të cilëve jetojnë jashtë vendit, janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e treta që kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në zgjedhje kanë marrë pjesë rreth 41.5 për qind, më e ulëta që nga viti 2008, me shumë kosovarë të frustruar mbi mungesën e përparimit ekonomik dhe një nivel të thellë të korrupsionit. Në vitin 2010 dhe 2014 pjesëmarrja ishte 48 dhe 43 për qind.
Surpriza më e madhe ishte Partia Vetëvendosje e opozitës, e cila pothuajse ka dalë partia e dytë, shkruan më tutje “Reuters”.
“Vetëvendosja ka fituar këtë numër votash për shkak se ata duan që të ndëshkojnë partitë qeverisëse”, tha Ismet Kryeziu, kreu i Demokracisë në Veprim.
Qeveria e re do të duhet të merret me papunësinë dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët e Kosovës, sidomos me Serbinë, një parakusht për të dy vendet për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

A do të jetë LDK në opozitë?

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni LDK-AKR, Avdullah Hoti, ka falënderuar të gjithë anëtarët dhe votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mbështetjen e dhënë.
Hoti, në një postim në Facebook, ka thënë se gjatë këtyre zgjedhjeve ka bërë fushatë të civilizuar, fer e me program të qartë.
Ai i ka bërë thirrje KQZ-së që në ditët në vijim të çertifikojë rezultatin e zgjedhjeve dhe të themelohen institucionet e vendit në përputhje me Kushtetutën. Hoti ka paralajmëruar se ai dhe LDK nuk do të lëshojnë rrugë për ata që dhunojnë liritë qytetare, rendin dhe ligjin dhe perspektivën evropiane për Kosovën.

Më poshtë postimi i plotë i Avdullah Hotit:
Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,
Të nderuara struktura të LDK-së të nëndegëve dhe degëve, Forumit Rinor, Forumit të Grave, Kuvendit të LDK-së, Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së LDK-së,
Të nderuar qytetarë, votues të LDK-së dhe koalicionit,
Dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen që më keni dhënë në këto zgjedhje. Këto tri javë për mua kanë qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Kam takuar mijëra qytetarë të të gjitha moshave, studentë, të rinj e të reja, afaristë, bujq, pensionistë, punëtorë.
Me ekipin tim, jam mundur të zhvilloj një fushatë të civilizuar, fer, me program të qartë dhe të realizueshëm. Besoj shumë se kemi vendosur një standard të ri në politikë në këtë drejtim.
Dëshiroj në emrin tuaj të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në procesin zgjedhor, komisionerët, vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë, KQZ, KKZ, policinë dhe organet e rendit, për punën e tyre në mbrojtje të votës së sovranit.
Pres nga KQZ që në ditët në vijim të çertifikojë rezultatin e zgjedhjeve dhe të themelohen institucionet e vendit në përputhje me Kushtetutën.
Rrugëtimi jonë bashkë do të vazhdojë për të mbrojtur liritë tona qytetare, rendin dhe ligjin dhe siguruar perspektivën evropiane për Kosovën. Rrugë tjetër nuk ka. LDK dhe unë nuk do të lëshojmë rrugë për ata që dhunojnë këto vlera. LDK dhe unë do të qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të këtyre vlerave.
I juaji,
Avdullah Hoti

Artikulli paraprakSkandali, qeveria 42% të prokurimeve pa tender
Artikulli tjetërDeficiti tregtar i Kosovës arrinë në 2 miliard 479.8 milionë euro