Kosova me sytë nga LDK për qeverinë

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 11 qershor, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësuesit e partive politike thonë se ende nuk kanë krijuar koalicione paszgjedhore për krijimin e qeverisë së re të vendit.
Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, i njohur si koalicionin PAN, i cili prin me numrin më të madh të ulëseve në Kuvendin e Kosovës, 39, por edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka 32 ulëse, synojnë që koalicionin për qeverisje ta krijojnë me koalicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, që ka fituar 29 ulëse.
Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se koalicionit PAN, si koalicioni me më së shumti ulëse në Kuvend, do ta ofrojë mandatarin e parë për kryeministër të vendit, Ramush Haradinajn. Sipas tij, Haradinaj është duke komunikuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës për krijimin e një koalicioni qeverisës, por ende nuk është konkretizuar ndonjë marrëveshje.
Megjithatë, siç thotë Lekaj, koalicioni PAN ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm prej 61 deputetësh, që do ta votojnë qeverinë e Haradinajt, në të cilin numër janë përfshirë edhe deputetë të partive të tjera.
“Ne e kemi potencuar, por edhe vetë zoti Haradinaj e ka thënë, që i kemi 61 deputetë që do ta mbështesin qeverinë Haradinaj. Por, në këto ditët në vijim, pritet edhe ndonjë koalicion i mundshëm me subjektet e tjera politike. Në këtë rast, mendoj për LDK-në dhe AKR-në. Nëse nuk pajtohemi me LDK-në dhe AKR-në, atëherë ne mund të themi se e kemi një qeveri me 61 ose 62 deputetë dhe që do të jetë funksionale dhe do t’iu shërbejë qytetarëve”, tha Lekaj.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, pretendon ta japë mandatarin e saj për kryeministër që do ta formonte qeverinë e re të vendit, në rast se dështon votimi i mandatarit të ofruar nga koalicioni PAN.
Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se subjekti politik që përfaqëson ajo, ende nuk ka ndonjë marrëveshje për koalicion qeverisës me asnjë subjekt politik. Por, ajo nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit edhe me deputetët e koalicionit PAN.
“Ne ende nuk kemi lidhur koalicion paszgjedhor me ndonjë nga subjektet që kanë fituar ulëset në Kuvend, gjegjësisht me koalicionet e krijuara para zgjedhjeve, për formimin e qeverisë së re. I kemi bërë një ftesë publike Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkë me partnerët e saj të koalicionit AKR-së dhe Alternativës, si dhe deputetëve të koalicionit PAN, deputetëve individualisht, të cilët dëshirojnë dhe mendojnë se duan ta çojnë në fund vullnetin e qytetarëve, i cili kësaj here qartë votoi për ndryshim”.

Artikulli paraprakÇfarë fshihet pas shkarkimit të kreut të OSHEE
Artikulli tjetërTakimi i Putin me Kissinger