Kosova, shifër rekord importi në janar

Në vitin e kaluar, në Kosovë u importuan rreth 2.8 miliardë euro mallra, ndërsa eksportet ishin rreth 309.6 milionë euro, duke krijuar një bilanc me deficit me rreth 2.5 miliardë euro. Vitin e kaluar, importet arritën vlerën më të lartë që nga viti 2005, përderisa eksportet janë më të ulëta se në vitin 2015 e 2014.
Janarin 2017 regjistroi shifra rekorde në favor të importit. Eksporti në muajin janar të këtij viti ishte më i ulët në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar dhe vitit 2015, gjithashtu importi shënon shifër rekorde në raport me 2016-ën dhe 2015-ën. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) thonë se deficiti tregtar është më i lartë për 13.7 për qind në muajin janar të këtij viti.
“Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për (13.7%) në muajin janar 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 125,4 milionë €, krahasuar me deficitin 110,3 milionë € në vitin 2016. Eksporti mbulon importin (14.6%)”, thuhet në publikim. “Eksporti i mallrave në muajin janar 2017 kishte vlerën 21,4 milionë €, ndërsa importi 146,8 milionë €, është një rënie prej (-3.7%) për eksport, si dhe një rritje prej (10.8%) për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016”.
Mbi 45 për qind të eksporteve të Kosovës janë metale bazë, ndërsa përqindja e eksporteve të tjera është shumë më e vogël. “Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: (45.1%) të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (15.4%) produktet minerale, (8.2%) plastika, goma dhe artikuj prej tyre, (8.0%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (5.8%) produktet bimore, (3.7%) lëkura dhe artikuj prej saj, (3.1%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj”, njofton publikimi.
Për dallim nga eksportimi i metaleve bazë, Kosova këtë muaj importoi produkte minerale, ushqime të përgatitura, duhan dhe produkte të tjera në përqindje më të vogël. “Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: (17.5%) të importit e përbëjnë produktet minerale, (12.9%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (12.1%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (10.2%) mjetet e transportit, (7.9%) produkte të industrisë kimike, (6.1%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (5.5%) plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj”, thuhet në publikimin e ASK-së.
Tregtia e jashtme e Kosovës me vendet e Bashkimit Evropian ishte më shumë në favor të importit sesa të eksportit. Importet nga vendet e BE-së u rritën rreth 11.3, për qind përderisa eksportet as deri një për qind. “Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së-28 arritën në 5,4 milionë €, ose rreth (25.6%) e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej (0.4%). Partnerët kryesorë per eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (6.4%), Holanda (4.0%), Britania e Madhe (4.0%) dhe Austria (2.4%). Importet e Kosovës nga vendet e BE-së- 28 ishin rreth 63,8 milionë €, ose (43.4%) e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (11.3%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.0%), Greqia (4.8%), Italia (4.3%), Republika Çeke (2.9%) etj”, vazhdon më tej publikimi.

Artikulli paraprak“The Smart Mind” of the White House
Artikulli tjetërFMN-Shqipërisë: Tatimorët i keni të paaftë