Kosova në zgjedhje të parakohshme, mocioni rrëzon qeverinë Mustafa

Mocioni i opozitës ka mbledhur votat e nevojshme për ta rrëzuar Qeverinë aktuale. Vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh. Pas afërsisht tre orë diskutimesh dhe akuzave të ndërsjella, Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur me 78 vota mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Isa Mustafa
Sipas vlerësimeve të fundit, presidenti do të duhej që qysh sot në konsultim me partitë parlamentare, të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, i kanë dhënë mbështetje mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë Mustafa. Mocioni i opozitës ka mbledhur votat e nevojshme për ta rrëzuar Qeverinë aktuale. Vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh. Pas afërsisht tre orë diskutimesh dhe akuzave të ndërsjella, Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur me 78 vota mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Isa Mustafa. Sipas vlerësimeve të fundit, presidenti do të duhej që qysh sot në konsultim me partitë parlamentare, të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Përveç opozitës, rrëzimin e Qeverisë e ka përkrahur edhe partneri i koalicionit, PDK. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës. “Pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar shpërndarjen e legjislaturës së pestë”, thuhet në njoftimin e presidentit. Vendimi i presidentit ka pasuar votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të iniciuar nga opozita dhe mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës. Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe më vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes. Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ishte vendimtar në rastin e mocionit të opozitës. PDK i ka dhënë mbështetje mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Për mocionin kanë votuar 78 deputetë, kundër tij kanë votuar 34 deputetë dhe kanë abstenuar 3 deputetë. Ky votim ka rezultuar me rënien e qeverisë aktuale të Kosovës, të drejtuar nga Isa Mustafa. Vota e PDK-së për mocionin ka nënkuptuar edhe vendimin për prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa. Vendimin e saj, PDK e ka arsyetuar me faktin se, qeveria aktuale e ka humbur fuqinë e vendimmarrjes, duke ia atribuuar sidomos dështimin e procedimit për ratifikim në Kuvend të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Përcaktimin e PDK-së për rrëzimin e qeverisë dhe prishjen e koalicionit, deputetët e LDK-së, gjatë fjalimeve, e kanë cilësuar si skenar të përgatitur më herët në bashkëpunim me opozitën. Seanca është përshkuar me debate, akuza e polemika ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, deri tani, parti partnere në koalicionin qeverisës. Ndërkaq, në emër të parashtruesit të kërkesës së mocionit, ka folur shefja e Grupit parlamentar të Partisë Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami. Ajo ka thënë se ka shumë arsye për shkarkimin e qeverisë, duke përmendur keq-qeverisjen si argumentin kryesor. Bajrami ka ftuar deputetët ta votojnë mocionin, duke konstatuar se, “vendi është zhytur në një krizë të thellë dhe se tani, rruga e vetme për të dalë nga kjo krizë mbetet shkarkimi i qeverisë dhe caktimi i zgjedhjeve të reja, të parakohshme”. Në anën tjetër, kryeministri Isa Mustafa e ka cilësuar mocionin si “një pamflet politik që nuk ka asnjë bazë”. Mocioni dhe nënshkrimi i tij nga deputetët, ka theksuar Mustafa është “një lojë politike dhe ka si qëllim fshehjen e adresave për krimet dhe aferat korruptive”. Sipas Mustafës, sukseset e qeverisë nën udhëheqjen e tij ishin të mëdha si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. “Ne duhet ta respektojmë jetën dhe demokracinë parlamentare”, tha Mustafa, duke e parë disponimin në Kuvend që Qeveria të shkarkohet. Ndërkaq, Zenun Pajaziti, shef i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha se këto javët e fundit kishte disa përpjekje të PDK-së që të bashkëbisedojnë me LDK-në për problemet dhe proceset aktuale. Ai, që në fillim të seancës paralajmëroi se PDK ka vendimin për rrëzimin e qeverisë dhe prishjen e koalicionit me LDK-në. “I ftoj deputetët e PDK-së që të votojnë për vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, tha Pajaziti. Sipas tij, Isa Mustafa në prezantimin e tij, ishte i njëanshëm, ngase shumë të arritura, siç tha ai, janë përparime të arritura në vazhdimësi. Partitë opozitare e kanë ‘shënuar’ këtë ditë si një fitore ndaj pushtetit. Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se ky koalicion ishte i dështuar nga fillimi ngase ishte arritur vetëm për postet e liderëve të partive politike të PDK-së dhe LDK-së. “Kjo është aq qeveri e mjerueshme sa nuk ke nevojë ta rrëzosh, sepse kjo është bërë gati ta rrëzojë vetveten”, tha Konjufca. Përderisa shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se po shpreson që kjo qeveri dhe kryeministri aktual, Isa Mustafa të largohen përgjithmonë. “Meqë kryeministri e lëshoi sallën, kolltukun e nuk mundi të durojë, dhashtë Zoti që të mos kthehet më në këtë Kuvend”, ka thënë Lekaj. Gjatë kohës sa Konjufca po mbante fjalimin para deputetëve, kryeministri Mustafa u largua nga salla e Kuvendit. Mbi bazën e koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, Qeveria e Kosovës, tashmë në largim, ishte themeluar më 9 dhjetor të vitit 2014, me 73 vota të deputetëve. Marrëveshja e koalicionit përfshinte edhe Listën serbe dhe partitë e komuniteteve jo-serbe. Ky koalicion ishte ndërtuar mbi parimet e ndarjes së posteve dhe pushtetit, që nënkuptonte që PDK të merrte nën udhëheqje postin e presidentit dhe kryetarit të Kuvendit, kurse LDK atë të kryeministrit. Përveç pikave programore për zhvillim ekonomik, zbutjen e papunësisë dhe krijimin e mirëqenies për qytetarët, kjo qeveri kishte marrë edhe zotime ndërkombëtare siç ishin: themelimi dhe nisja e punës së Gjykatës Speciale për Krime Lufte, vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve, me theks në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe ndërkohë, mori edhe zotimin për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kushte për liberalizimin e vizave.

Veseli: Koha për një udhëheqje të re

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, pas rrëzimit të Qeverisë u është drejtuar qytetarëve nëpërmjet një video mesazhi. Ai ka treguar për arsyet e prishjes së koalicionit me LDK-në dhe rrëzimin e kryeministrit Isa Mustafa. Kreu i PDK-së  ka theksuar se ai dhe qytetarët e Kosovës e kanë humbur besimin në udhëheqjen e Isa Mustafës dhe kjo është arsyeja pse vendi po shkon në zgjedhje të reja. “Kjo qeveri e udhëhequr nga Isa Mustafa nuk e ka çuar vendin tonë në ritmin e duhur. Zhvillimi ekonomik ka ngecur, krijimi i vendeve të punës ka ngecur”, ka thënë Veseli.

Haradinaj: Qeveria Mustafa, erdhi dhe shkoi me turp

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka përshëndetur vendimin e Kuvendit të Kosovës për rrëzimin e qeverisë. Në një konferencë për media, Haradinaj tha se pushteti po i kthehet sovranit, popullit të Kosovës, ngase Qeveria Mustafa, siç tha ai, “erdhi dhe shkoi me turp”. Haradinaj ka kritikuar qeverinë për paaftësi në qeverisje dhe paaftësi për t’u përballë me Serbinë në çështjet politike. Koalicioni PDK-LDK, ka nënvizuar ai, e ka vënë Kosovën në një katrahurë politike dhe se tani, ka thënë ai, është koha që vendi të rimëkëmbet. Ai tha se nëse vjen në pushtet, çështjen e demarkacionit me Malin e Zi do ta rikthente në fillim, duke e anuluar marrëveshjen aktuale dhe rinegociuar një marrëveshje të re me Podgoricën. Ndërsa, kreu i Partisë Nisma për Kosovën, partia iniciatore e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Mustafa, e cila u rrëzua sot në Kuvendin e Kosovës deklaron se qeveria e kishte humbur besimin e saj. Në një lidhje telefonike nga Prishtina për Ora News, Fatmir Limaj, i sheh zgjedhjet e parakoshme si një mundësi rifreskimi për elitat poltike dhe vendin. Limaj: Qeveria Mustafa e ka humbur besimin e shumicës në Parlamentin e Kosovës, ajo shumicë që e ka votuar Kryeministër. Secili Kryeëministër që mund të jetë nesër duhet ta ketë parasysh se mund t’i ndodhë ajo që i ka ndodhur sot zotit Mustafa. Fajtore është vetë qeveria Mustafa. Gjithmonë është situata e mirë për zgjedhje normale të parakohshme. Zgjedhjet freskojnë elitat politike, freskojnë vendin, japin mundësi të reja. Është mëse normale që në momente të caktuara kur bllokohet çdo gjë, kur njerëzit janë të pakënaqur me qeverisjen aktuale. Të gjitha vlerësimet vendore dhe ndërkombëtare, kam parasysh sondazhet kanë treguar se mbi 85% e qytetarëve kanë qenë të pakënaqur me këtë qeverisje. E vetmja rrugë dhe mundësi për të dalë nga kjo situatë është t’u jepet mundësi qytetarëve përmes votës të japin qëndrimin e tyre.

Analistët: Koalicioni që ‘hëngri’ vetveten

Kalimi i mocionit të mosbesimit ndaj koalicionit qeverisës në Kosovë, që çoi në rënien e qeverisë, për njohësit e rrethanave politike ka qenë një hap i pritur. Sipas tyre, koalicioni kohët e fundit humbi koordinimin ndërmjet vete dhe ndryshoi, siç thonë, balancën e brendshme. Një mocion mosbesimi ndaj qeverisë u miratua me shumicë votash nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të mërkurën, duke i dhënë fund koalicionit qeverisës dhe duke hapur rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme. Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë hyrë në partneritet qeverisës për herë të dytë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe të dyja herët kanë prishur koalicionin pas më shumë se dy vjetësh qeverisjeje, thonë analistët. Analisti politik Halil Matoshi, i tha Radios “Evropa e Lirë”, se partia më e madhe e koalicionit të deritashëm, PDK-ja, ka qenë e interesuar që diçka e tillë të ndodhte dhe ashtu ndodhi. “Natyrisht që qeverinë e ka rrëzuar ‘vetë qeverisësi’, do të thotë Partia Demokratike e Kosovës. Kjo parti e sheh të vetmen mundësi që sërish të kthehet në pushtet, duke kalkuluar ose duke bërë ndonjë marrëveshje me partitë opozitare përkatësisht me Nismën për Kosovën, e cila ishte edhe sponsore e mocionit të mos besimit”, tha Matoshi. Ai ka konsideruar se veprimet politike të deritashme të PDK-së, janë ‘pragmatike dhe korrekte’, por sipas tij në aspektin logjik dhe të qeverisjes së mirë këto veprime janë, siç tha, ‘absurde’. “Kjo është absurde, sepse Partia Demokratike e Kosovës praktikisht e ka shpërbërë qeverisjen e saj. Ajo ka qenë e barabartë në qeverisje. Ajo i dha favore opozitës, përkatësisht e përmbylli krejt këtë cikël si fitore të opozitës”, tha Matoshi. Analisti Imer Mushkolaj, thotë se koalicioni qeverisës nuk punoi sipas planeve dhe premtimeve si dhe strategjive, të cilat ishin paraparë të realizohen. Për pasojë, tha ai, lindën edhe mosmarrëveshjet. Mushkolaj tha se, koalicioni qeverisës ka ardhur deri në këtë pikë për shkak të, siç tha, ‘interesave personale’. “Që nga fillimi i qeverisjes në pyetje janë interesat, thjeshtë, personale, individuale dhe partiake. Kjo është parë sot se sa larg është interesi i qytetarëve nga vëmendja e deputetëve dhe se sa në fokus apo sa primare janë interesat individuale”, tha Mushkolaj. Sipas tij, ‘qeveria ka rënë edhe për shkakun se nuk ka arritur të kryej projektet e mëdha siç është demarkacioni’. “Fatkeqësia pra qëndron në faktin se disa çështje të mëdha sikur se është edhe demarkacioni nuk arritën të kalojnë me këtë koalicion qeveritar dhe me këtë numër të deputetëve shumë të madh të koalicionit. Për mua është një pikëpyetje e madhe se çka do të ndodhë dhe si do të procedohet kjo çështje në të ardhmen në legjislaturën e re, kur nuk është e sigurt se do të ketë një koalicion me numra kaq të mëdhenj në Kuvend”, tha Mushkolaj. Koalicioni qeverisës, PDK-LDK, u krijua në dhjetor të vitit 2014, pas një bllokade politike prej gjashtë muajsh, që e futi vendin në krizë. Me marrëveshjen e koalicionit, LDK-ja do të merrte postin e kryeministrit, ndërkohë që partnerit në koalicion, PDK-së do t’i takonin postet e presidentit dhe të kryetarit të Kuvendit. Të dyja partitë në koalicionin qeverisës, së bashku me përfaqësuesit e partive politike të komuniteteve, arritën të krijonin shumicën parlamentare prej mbi 80 deputetësh. Por, kjo nuk dha garanci për votimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe Asocacionin e Komunave me shumicë serbe, marrëveshje këto që u kundërshtuan fuqishëm nga opozita jo vetëm brenda Kuvendit, por edhe jashtë tij. Kosova që prej shpalljes së pavarësisë së saj nuk ka patur një qeveri të qëndrueshme që ka përballuar mandatin katër vjeçar, thonë analistët dhe vendi ka shkuar në zgjedhje të parakohshme për shkak të mosbesimit të qeverive të shprehur në Kuvend.

REL

Artikulli paraprakUnited me sytë nga finalja
Artikulli tjetërBotërori i 2026-ës, me 48 skuadra