Kosova kërkon rol aktiv të SHBA në dialogun me Serbinë

– Zoti President, në fund të muajit të kaluar u takuat me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe u pajtuat për një fazë të re të bisedimeve. Çfarë nënkupton kjo fazë e re e bisedimeve?
Dialogu në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë, fqinjësia e mirë gjithashtu duhet të fitojë. Është në interesin e dy shteteve, të rajonit, por edhe vetë interesin e investimeve të faktorit ndërkombëtar në Kosovë, Serbi, por edhe në rajon, sepse paqja Kosovë-Serbi nënkupton paqe dhe qëndrueshmëri për gjithë rajonin dhe perspektivë e sigurt euro-atlantike për Kosovën dhe evropiane për Serbinë. Pra, do të jetë një rrethanë ku përfitues do të jenë të dy shtetet, por para së gjithash vlerat euro-atlantike. Unë dua të besoj që do të hapet një faqe e re e dialogut në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë apo do të jetë faza finale, që nënkupton perspektivën e sigurt të Kosovës për t’u integruar në organizatën e Kombeve të Bashkuara, natyrisht edhe perspektivën euro-atlantike, por edhe për Serbinë një perspektivë më të shpejtë evropiane.

– Ju paralajmëruat që takimet mund të zhvillohen edhe këtu në Shtetet e Bashkuara. A pritet një takim i tillë gjatë takimeve të Asamblesë të Kombeve të Bashkuara?
Rolin udhëheqës do ta ketë Bashkimi Evropian, zonja Mogherini, por natyrisht kam kërkuar si gjithmonë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë rolin e tyre aktiv, sepse është shpresë, besim dhe garanci për institucionet e Kosovës se, procesi mund të ketë sukses edhe në arritjen e marrëveshjes edhe në zbatim. Mund të ketë takime më të shpeshta dhe unë dua të shpresoj që me lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të ketë takim edhe në New York edhe në dhjetë ditëshin e ardhshëm në mes të Presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

– Zoti President, ju jeni shprehur për një përfshirje më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara në bisedimet me Serbinë, në çfarë shkalle flitet për këtë përfshirje amerikane?
Me rëndësi është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata e re të ketë një qëndrim shumë të qartë rreth këtij procesi. Ne kemi diskutuar edhe këtu dje në Washington, unë kam besim të plotë që do të ketë një përfshirje të nivelit vendimmarrës dhe jo vetëm vëzhgues në këtë proces nga Shtetet e Bashkuara, t’i japin një mbështetje të fuqishme zonjës Mogherini, sepse vetëm angazhimi i përbashkët dhe i vendosur i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe faktorëve të tjerë mund të sjellë një marrëveshje të qëndrueshme, efikase, zbatuese dhe natyrisht një marrëveshje finale që do të nënkuptonte anëtarësimin e Kosovës në OKB.

– A do të këmbëngulni për njohjen e Kosovës nga Serbia apo thjesht normalizimin e marrëdhënieve?
Ne do të punojmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve shtetërore, por edhe pajtim ndërmjet dy popujve tanë sepse është në interesin edhe të Kosovës edhe të Serbisë, por edhe të rajonit, ndërsa ne do të punojmë fuqishëm që Kosova më shpejt të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara. Por, sa i përket njohjes ajo do të ndodhë në një të ardhme jo të largët, ndërsa për periudhën kohore vendosin vetë institucionet e Serbisë. Nuk mund të imponojmë periudha kohore apo axhendën e tyre sa i përket njohjes së Kosovës, por një gjë është e sigurt që Kosova e Serbia kanë mbetur në një gjendje të status qou-së prandaj duhet t’ia lehtësojmë perspektivën evropiane dhe euro-atlantike njëra-tjetrës dhe të mos e pengojmë njëra-tjetrën.

– Ju erdhët këtu në Washington vetëm pak ditë pas krijimit të qeverisë së re të Kosovës, e cila përballet në fakt me sfida të vjetra siç është ajo e shënimit të kufirit me Malin e Zi. Kryeministri Haradinaj ka shkarkuar Komisionin Shtetëror që kishte arritur marrëveshjen që ju e keni nënshkruar. Si e vlerësoni këtë veprim?
Është jashtëzakonisht me rëndësi që Kosova përmbylli një proces elektoral shumë të suksesshëm më 11 qershor, që ishin zgjedhje të drejta dhe demokratike, të pranueshme nga të gjithë dhe të vlerësuara nga bashkësia ndërkombëtare. E dyta, shumë me rëndësi që Kosova nuk u vonua së formuari institucionet, edhe Parlamentin, edhe qeverinë. Tani Kosova ka institucione legjitime, demokratike, të qëndrueshme dhe shumetnike prandaj ne do të vazhdojmë me axhendën që e kemi pasur edhe më herët dhe besoj që do të dalin edhe axhenda të reja që nënkuptojnë thellimin e reformave demokratike në ekonomi, legjislacion, por edhe në fusha të tjera. Gjithashtu duhet të angazhohemi maksimalisht për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, të formimit të Ushtrisë së Kosovës, por për të gjitha këto kërkohet zbatimi i kritereve të nevojshme dhe të domosdoshme për liberalizimin e vizave dhe shënimin e kufirit. Çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi, nuk është më çështje ndërshtetërore ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, po më tepër vetë çështje e Kosovës që të marrin vendimin e tyre në Parlamentin e Kosovës, prandaj unë dua të besoj që secili prej subjekteve politike dhe udhëheqësve do të ngrihet mbi interesat ose partiake ose të ngushta elektorale në shërbim të nxjerrjes së vendimit të drejtë, të qëndrueshëm dhe unik dhe sa më konsensual të mundshëm, që të kalojë çështja e kufirit me Malin e Zi dhe të hapet perspektiva e menjëhershme për liberalizimin e vizave për Kosovën.

 

 

Artikulli paraprakKasapi Mlladiç do të lirohet? E kërkon Serbia
Artikulli tjetërTottenham dominon Dortmundin